Me pasojat e luftës civile dhe ndërkombëtare në Siri e më gjerë, tabloja e Ballkanit dhe e Europës dhe historia e kohës sonë po ndryshojnë dramatikisht. Globalizimi i shumëfolur po shtrihet gjithnjë e më tepër edhe në fushën e së Keqes. Realiteti tregon se luftrat sot nuk kanë karakter lokal, por janë me ndikime me rreze të gjerë rajonale, deri kontinentale. E me sa duket, edhe Shqipëria, një shtet relativisht i vogël e larg Lindjes së Afërme dhe Sirisë, nuk mbeti pa u prekur e përfshirë në teatrin e ngjarjeve tronditëse aktuale. Hemoragjia e luftës spërkati edhe rrugët e Ballkanit dhe aroma e gjakut të derdhur po ndihet e fortë edhe në kufijtë e Shqipërisë, e cila, me përjashtim të prokacioneve të Gushtit 1949 e të pranverës 1997, ka mbi 70 vite pa njohur luftë brenda kufijve të saj.
Nga ana tjetër, duke jetuar me kufijtë e mbyllur dhe e izoluar nga shtete fqinjë, Shqipëria për mëse gjysmë shekulli nuk njohu dyndje të të huajve, të materialit njerëzor jo autokton. Pas vitit 1990, me hapjen dhe liberalizmin në të gjitha drejtimet, Shqipëria njohu rryma të ndryshme, që dihen, por më shumë dërgoi në Ballkan, Europë dhe Amerikë, armatën e pafund të emigrantëve dhe azilkërkuesve politikë. Ky realitet dhe kjo klimë e bëri më të lehtë pranimin e elementit njerëzor të të huajve, duke atakuar edhe nacionalizmin egoistik që kultivoi izolimi komunist.
Në Gjirokastër u ngritën e janë gati dy qendra për pritjen e refugjatëve sirianë, një në Grehot dhe tjetra në fshatin Arshi Lengo. Pritet të vijnë me sot e me nesër. Një mundësi e madhe është që ata të mbeten këtu, që t’u shtohen romëve dhe egjiptianëve, ardhur shekuj më përpara nga India. (E këta të ardhur të lashtë duhet të jenë banorët më të vjetër të Shqipërisë dhe të Ballkanit). Shqipëria, shteti më i varfër i Ballkanit dhe i Europës është gati të presë refugjatët aziatikë, duke treguar mikpritjen tradicionale. Kjo ardhje është e ndryshme nga ajo e qindra-mijëra kosovarëve të dëbuar nga lufta Serbi-Kosovë, të cilët erdhën përkohësisht te bashkëkombasit e vet, u pritën si vëllezër që janë dhe, kur u krijuan kushtet, u kthyen në shtëpitë e veta. Masat e refugjatëve sirianë, edhe pse vuajnë dramën e tyre dhe klimën e ashpër të dimrit, ndihen më mirë larg atdheut të martirizuar, nga ku i përzuri e përze dhuna shumëpalëshe, prandaj përderisa nuk mund të shkojnë në Europë e aq më pak të kthehen në trojet e veta, qëndrimi këtu, edhe me privacione, është shpëtimtar dhe i dëshirueshëm.
Çështja e tyre është jetike, ekzistenciale dhe lyp rrugëdalje emergjente. Vendimi për pritjen e tyre edhe në Shqipëri u paraqit si shprehje e vullnetit të mirë të politikanëve që pretendojnë përditë hyrjen e Shqipërisë në Europën e popujve të bashkuar. Mirëpo ky vendim i lavdërueshëm u muarr nga politikanët tanë pa pyetur popullin, veçanërisht Korçën, Gjirokastrën dhe Dropullin. Qeveritarët shqiptarë nuk vuajnë nga sasia e tepërt e humanizmit, por kam përshtypjen se lakmojnë paratë e Evropës që t’i futin në xhepa, si me shtresat vulnerable vendase, dhe që me fatkeqët sirianë t’i thonë popullit “të vet” se ka edhe më të mjerë se shqiptarët e sotëm, ndaj të΄mos ankohet shumë. Nuk përjashtohet edhe propaganda për konsum elektoral. Sigurisht, njerëzit e thjeshtë pozitivë edhe ndonjë biznesmen, u shprehën se janë gati të ndihmojnë me strehë, ushqime dhe veshje, aq më tepër që rreth një milion emigrantë shqiptarë të çerekshekullit të fundit e provuan dhe e shijuan pritjen jo aq të keqe që u bënë kryesisht populli grek e ai italian, ku edhe nisën një jetë të re. Tradita dhe ndjenja e mikpritjes, humanizmi, ndonëse e goditur për vdekje nga vrasjet e pabesa dhe krimet ndaj njëri-tjetrit, gjallon ende tek shqiptarët, shto këtu edhe anën sentimentale, kur shikon si vuajnë gra me fëmijë, pleqtë, të sëmurët, të lënduarit dhe të gjymtuarit e ardhur nga fronti i luftës.
Por, me ardhjen e refugjatëve, shumica të dëbuar dhunshëm nga vatrat e tyre, u shpreh edhe frika jo pa baza për një destabilizim potencial për shkak të prirjeve politike ekstremiste të muhaxhedinëve, nga infiltrimi i terroristëve me identitet të fshehur, dhe nga fanatizmi fetar ekstrem në një mjedis me bashkëjetesë fetare relativisht paqësore. Fatkeqët që kërkojnë strehë thonë se janë kalimtarë nëpër Shqipëri, sepse duan të kalojnë me det në Itali. Por italiani ka marrë masa t’u mbyllë rrugën nëpërmjet detit, po ashtu veriu i Gadishullit tonë. Kalimtare tha se ishte edhe ushtria gjermane, por ndërtoi fortifikata dhe kazerma, gjë që tregoi se do të qëndronte gjatë. Natyrisht, krahasimi çalon shumë, sepse refugjatët janë viktima, vijnë pa armë dhe janë në mëshirë të fatit, por gjithsesi, përbëjnë një mbingarkesë për hallet e Shqipërisë, nga ku brenda një viti e pak mund të jenë larguar, si azilkërkues dhe emigrantë ekonomikë, shumë herë më tepër se sa refugjatët fatkeqë që pritet të vijnë.
Nuk e dimë a do të kenë rrënjë të thella çadrat e refugjatëve që priten edhe tek ne. Dimë që peshën më të madhe të tyre po e mban Greqia, sepse sllavo-Maqedonia, Hungaria dhe Austria i kanë mbyllur kufijtë. Kurse Turqia është shtet i madh dhe di edhe të marrë miliardat evropiane, edhe t’i përcjellë nga toka e vet. Dhe nuk dihet perspektiva. Sepse mbyllja e rrugëve për në veriun evropian, do të shtojë presionet edhe mbi Shqipëri, me pasojë që sasia e refugjatëve që do të përplasen këtu të rritet, të jetë e pallogaritshme. Fatkeqësia kombëtare e një populli po bëhet problem edhe i popujve të tjerë, por çështja është te qëndrimet e qeverive të ndryshme europiane e ballkanike, mosmarrëveshjet midis tyre dhe strategjia e munguar e bashkëpunimit. Duke pranuar pa kushte vërshimin e refugjatëve, Gjermania e ndonjë shtet tjetër evropian, sikur ua lehtësojnë punën shkaktarëve të fatkeqësisë. Një palë ia hedhin fajin Rusisë, që bombardon qendrat e banuara siriane, duke i bërë gërmadha qytetet e atij vendi të begatë e me histori të madhe, një palë tjetër ia hedh fajin Amerikës. SH.B.A, qëndrimet e të cilëve disa herë janë të pashpjegueshme, përfshi edhe pritjen me nderime me nderime zyrtare të disa politikanëve të inkriminuar shqiptarë. Të dy fuqitë e mëdha që përballen atje ushtarakisht e më pak diplomatikisht, luftojnë për zgjërimin e sferave të influencës, dhe kanë faj e përgjegjësi të madhe, edhe Europa gjasme paqësore. Zgjidhja e vetme është të pushojë sa më shpejt lufta, të tërhiqen dy superfuqitë e mëdha me koalicionet përkatëse të brendshme dhe të jashtme që ballafaqohen e ndeshen atje. Të pushojë lufta, edhe pse Bashar Al Asadi është diktator dhe ka vrarë e vret nga populli i vet. Por ai, Moamar Kadafi dhe Sadam Huseini nuk kanë vrarë nga populli i vet aq sa vranë e po vrasin amerikanët dhe evropianët me ndërhyrjet, armët e bombat e tyre në Kuvajt, Afganistan, Irak, Libi, Liban etj.. E të nesërmen dalin si nismëtarë për rindërtimin e asaj që shkatërruan po ata. Pas deklaratave për luftë kundër terrorizmit dhe për shembjen e diktaturave e vendosjen e një regjimi demokratik, fshihen interesa ekonomike dhe gjeostrategjike të caktuara, vjen era naftë, narkotikësh e jo beharnash, qëndron etja e fuqive të mëdha, të cilat i kanë zënë me radhë shtetet e Lindjes dhe të Afrikës së Veriut, etje që i nxit dhe ushqen.
Sot Amerika dhe Europa, kjo më pak, janë bërë shtete shumëkombëshe. Gjermania, me problem demografik dhe nevojë për fuqi të lirë punëtore, me potencial të madh ekonomik, nuk e ka problem të presë, pas disa milionë turqve, edhe disa milionë sirianë, duke iu përgjigjur edhe për nevoja të tjera, arsimore e kulturore, përveç ndërtimit të xhamive. Por në rast se një pjesë e refugjatëve sirianë do të mbetet në Shqipëri, shteti i drobitur shqiptar dhe qeveritarët e papërgjegjshëm nuk janë në gjendje të plotësojnë nevojat e tyre në vazhdim, për shërbim mjekësor falas, për shkollim të fëmijëve në gjuhën amtare, për punësim e kushte më të mira banimi e jetese, kur vetë populli shqiptar ka mjaft mungesa dhe pamjaftueshmëri. Sociale. Pra, lipset të mendohet e të merren masa edhe për të nesërmen, për perspektivën. Natyrisht, duke patur mirëkuptimin dhe ndihmën e pakursyer të qendrave ku merren vendimet e mëdha edhe për këtë vend të vogël.
