Më datën 18 Prill Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 102 vota, disa ndryshime mbi Kodin Civil që konsistojnë në lehtësimin e veprimeve nga ana e bankave për ekzekutimet e kolateraleve. Vendimi për ndryshimet në Kod ka kërkuar një shumicë të cilësuar, pra dhe votat e opozitës, ndërsa duket se ky votim në dukje i thjeshtë, ka angazhuar disa ditë më parë disa përfaqësues të lartë të FMN-së të cilët kanë lobuar dhe kanë kërkuar garanci nga palët për votimin e menjëhershëm të këtyre ndryshimeve.
Një burim diplomatik ka informuar “DITA”-n se ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore kanë qenë tejet të shqetësuar mbi mundësinë e precipitimit të situatës financiare dhe ekonomike në vend nëse nuk do të ndërmerreshin hapa të menjëhershëm për lehtësimin e bankave në shfrytëzimin e kolateraleve të bllokuara. “Tre përfaqësues të dërguar specialë të FMN-së kanë marrë takime me kryeministrin, kreun e opozitës dhe disa drejtues të tjerë në vend ku kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me bllokimin dhe ngërçin e bankave në ekzekutimin e kolateraleve. Ata kanë bërë të qartë se nëse nuk do të ndërhyej në Kodin Civil atëherë Shqipëria do të përfundonte me banka të gjunjëzuara dhe do i përshtatej ose skenarit të Greqisë(shkurtime, dhe borxh i rëndë) ose skenarit të Qipros(prekje depozitash) për të dalë nga situata”, – bënë të ditur burime të mirinformuara diplomatike.
Takimet
Përfaqësues të lartë të FMN-së në takimet me krerët shqiptarë kanë përçuar në mënyrë të qartë mesazhin e tyre në lidhje me rrezikun që po përballej sistemi bankar në Shqipëri. “Me pak fjalë skema është e thjeshtë. Shumë biznesmenë që kanë marrë me dhjetra miliona euro kredi kanë lënë kolaterale pasurore. Kur ata kishin probleme dhe vështirësi për shlyerjen e kredisë, banka niste procedurën për sekuestrimin e kolateraleve, por biznesmeni niste një proces gjyqësor që mund të zgjaste dhe 4 vite dhe kështu i gjithë procesi zvarritej dhe banka pësonte humbje të ndjeshme pasi jo vetëm nuk vilte këstet e parashikuara në kontratë, por nuk manovronte dot as me kolateralin për shkak të zvarritjeve dhe bllokimeve gjyqësore. Në këtë pikë ekspertët e FMN-së e bënë të qartë për krerët politikë shqiptarë se Bankat duhej të kishin të drejta të cilat u siguronin ekzekutimin e menjëhershëm të kolateralit në të kundërt politikanët shqiptarë do të duhej të menaxhonin një krizë të thellë bankare pas disa kohësh si pasojë e bllokimit të bankave”, – saktësoi dje i njëjti burim. Ndonëse nuk ka qenë aspak komode në marrjen e këtij vendimi qeveria shqiptare është detyruar të pranojë ndryshimet në Kod, ndërsa edhe opozita ka dhënë garancitë politike për këto votime. Tashmë pritet që disa nga biznesmenët e njohur në Shqipëri të bëhen objekt i sekuestrimit të kolateraleve.
Falimenti
Disa nga emrat më të njohur e më të përfolur të biznesit shqiptar janë të përfshirë në situatën e bllokuar të kolateraleve, e cila pas ndryshimeve të fundit në Kodin Civil pritet të përmirësohet. Disa ekspertë thonë se një numër i konsiderueshëm biznesmenësh kanë marrë kredi të mëdha, i kanë investuar lekët në skema jo rentabël biznesi dhe kur banka ka kërkuar kolateralin e vënë peng ata kanë bërë rezistencë dhe kanë zgjatur ekzekutimet nëpërmjet seancave gjyqësore, madje në këtë periudhë zvarritje ata shpesh kanë mundur të marrin dhe të tjera kredi, duke thelluar “gropën” e borxhit të tyre. Tashmë, ekzekutimi i kolateralit pritet të sjellë si efekt edhe falimentin e shumë bizneseve dhe sipërmarrjeve që nuk do të mund të mbijetojnë dot nga “pikatorja” dhe frymëmarrja provizore që u jepte fitimi i kohës nëpërmjet seancave gjyqësore.
FMN, premtim Ramës për injektimin e 1.3 mld eurove
Burime të mirinformuara diplomatike kanë bërë të ditur për “DITA”-n se gjatë takimit të kreut të PS-së Edi Rama me përfaqësues të FMN-së për të diskutuar në lidhje me miratimin e ndryshimeve në Kodin Civil, ndër të tjera është diskutuar edhe mundësia e një ndihme në formë kredie nga ana e FMN-së me rreth 1.3 miliardë euro në rast të ardhjes në pushtet të opozitës më datën 23 Qershor. “Kjo ka qenë një temë diskutimi e nisur më herët që kur në vitin 2012 Edi Rama bëri një vizitë në SHBA. Kjo temë u risoll edhe njëherë në vëmendje gjatë vizitës në Tiranë për çështjen e kolateraleve të tre ekspertëve të FMN-së. Shqipëria ka probleme serioze me likuiditetin sidomos si pasojë e bllokimit dhe mospagimit nga ana e qeverisë të shumë kompanive të ndërtimit, skemës problematike mes qeverisë dhe bankave për bonot e thesarit dhe interesat e larta të borxheve që paguan Shqipëria çdo vit. FMN-ja është shprehur e gatshme për injektimin e ekonomisë shqiptare por sigurisht që nga ana e këtij institucioni priten më shumë garanci mbi mënyrën se si do të kryhen këto investime dhe rentabilitetin dhe efiçencën e investimit të tyre”, – bënë të ditur burimet.
Çfarë kanë sjellë ndryshimet në Kodin Civil?
Sipas ndryshimeve të miratuara në Kodin Civil , ankandet për shitjen e aseteve do të zhvillohen në një distancë kohore 1 muaj nga njëri-tjetri, por vlera do të ulet me 30 për qind në ankandin e dytë, ndërkohë që Shoqata e Bankave kishte kërkuar që ulja të ishte në masën 50 për qind. Një tjetër ndryshim lidhet me drejtën e apelimit të vendimeve të gjykatave, që shpeshherë ka sjellë vonesa në procesin e ekzekutimit të kolateralit. Sipas propozimeve të reja vendoset një afat kohor për apelimin, si dhe një detyrim tjetër për transparencën e ankandeve përmes publikimit të tyre në media. Ndryshimet në kod ishin kërkuara me forcë nga Shoqata e bankave, pasi aktualisht ata nuk po arrinin që të shisnin në ankand pasuritë që kredimarrësit e këqij kishin vënë peng. Niveli i kredive të këqija ka vijuar rritjen dhe në dy muajt e parë të këtij viti, për të arritur 23.6% e totalit të huave në fund të shkurtit 2013. Rreth një e treta e këtyre huave konsiderohen të humbura. Banka e Shqipërisë nga ana e saj ka ndryshuar rregulloret e likuiditetit, të cilat u japin më shumë hapësirë bankave për të dhënë hua, sidomos në euro. Të gjitha këto ndryshime pritet që të rigjallërojnë huadhënien në vend, që muajt e fundit pothuajse ka ngecur në vend, me stokun e huasë në shkurt, që ishte më i ulët se në muajin dhjetor, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.
Kjo eshte si puna e cekut te bardh te ndierit Gramos Pashko.Ne ate kohe njerzit nuk ishin te informuar dhe besuan,po sot as te shkolles fillore nuk e zene bese.Te pakten ndihma humanitare pati ne vitet e permbysjes komuniste.