A do të bëhet homoseksual fëmija im?

anazapta

(Opinione të disa mjekëve dhe psikologëve homoseksualë)

 Këtë pyetje, me shqetësim, e bëjnë shumë prindër kudo në botë. Nuk ka dyshim, që disa sjellje të fëmijëve i bëjnë prindërit të rrudhin vetullat me mërzi. Të gjithë i njohim këto stereotipe të disa djemve të vegjël si delikatesa, sjellja me një lehtësi të pazakontë dhe atmosfera femërore që krijojnë hapat e tyre. Shpesh, këto sjellje, kombinohen me dëshirën e tepruar për librat, me kyçet e lëshuara, me interesin për kukullat, me dëshirën për të bërë tualet, me tendencën për t’u sjellë si princesha, me veshjen e fustaneve dhe evitimin e lodrave të forcës me djem të tjerë të moshës së tyre. Ndryshe ndodh me disa vajza të vogla. Ata synojnë të marrin pozicionime djaloshare, kanë qejf të merren e lozin me veglat, në ecje janë më të ngathëta nga shoqet, nuk pëlqejnë asnjë lloj parfumi, shtrëngojnë nofullat dhe rreken të munden me djemtë, nuk u pëlqejnë veshjet delikate femërore.

Këto sjellje dhe të tjera të përafërta, u tregojnë prindërve seksualitetin fillestar të fëmijëve të tyre dhe shpesh, i bëjnë fëmijët të padëshiruar. Këto sjellje shqetësuese dhe të papëlqyera për prindërit, shpesh, janë paralajmërim, që u tregon se kur fëmija do të rritet, ai do të jetë një homoseksual. Këto pak vitet e fundit, shkencëtarët, që merren me zhvillimin e fëmijëve, përmes studimeve të kontrolluara dhe me qëllime të qarta, kanë arritur të identifikojnë me kujdes shenjat më të hershme dhe më përgjegjëse, që paralajmërojnë homoseksualitetin tek të rriturit.

Duke vëzhguar me kujdes fëmininë e homoseksualëve të rritur, kërkuesit kanë gjetur një kompleks sjelljesh, që janë të përbashkëta për të gjithë homoseksualët. Është mjaft kurioze dhe me shumë rëndësi të themi, se edhe frikësimi homofobik i prindërve për fëmijën, është një faktor i veçantë, që fëmija kur të rritet të jetë një homoseksual.

Në shkrimet shkencore-teknike, kërkuesit e kësaj fushe, u referohen me termin “pre-homoseksual”, fëmijëve që në perspektivë do të bëhen gay dhe lesbiane. Ky term, duhet thënë, nuk është perfekt. Ai na kujton një kohë të trazuar, kur shkencat, akoma, dominoheshin si nga determinizmi biologjik, ashtu dhe intervencionizmi klinik.

Psikologu Michael Bailey dhe psikiatri Kenneth Zucker, së fundmi, kanë publikuan një artikull shumë të vlefshëm për shenjat e homoseksualitetit në fëmijëri. Sipas autorëve, qëllimi i këtij artikulli ishte “të rishikonin të dhënat që bëjnë lidhjen midis sjelljes fëminore dhe orientimit seksual kur fëmija do të rritet”. Gjëja që duhet mbajtur mend lidhur me këtë studim është, se ky punim i veçantë nuk vlen për të identifikuar shkaqet e homoseksualitetit përse, por krejt ndryshe, për të treguar se cilat janë ato raporte që e nxisin fëmijën të tërhiqet nga i njëjti seks. Me fjalë të tjera, nuk diskutohen faktorët gjenetikë, që qëndrojnë në bazë të homoseksualitetit adut dhe as influencat prindërore prenatale. Por, krejt ndryshe, kjo vlen për të indeksuar sjelljet kryesore jo erotike, që në mënyrën më të sigurtë parathonë se cilët fëmijë kanë më shumë gjasa të tërhiqen nga ata me të njëjtin të njëjtin seks dhe cilët fëmijë nuk janë të prirur për këtë, kur të rriten.

Bailey dhe Zucker thonë, se është e gjatë lista e veprimeve, që tregojnë se djemtë e rinj sillen ndaj vajzave të reja jo në përputhje me seksin e tyre të lindur, ose natyral. Kjo listë, tanimë, është shkencore dhe kanunore. Shkencëtarët kanë dokumentuar se këto diferenca seksuale gjenden në çdo kulturë që është studiuar. Padyshim, që ka përjashtime nga rregulli- ka variante të qarta midis fëmijëve si dhe brenda një fëmije të caktuar. Këto diferenca janë vënë re më shumë në lodrat e fëmijëve. Djemtë angazhohen në ato që psikologët e zhvillimit i quajnë “lodra të forta”, ndërkohë që vajzat preferojnë të luajnë me kukulla.

Në fakt, interesi për lodrat është çelësi që tregon për diferencën midis sekseve. Djemtë tërhiqen nga makinat, armët dhe monstrat, ndërsa vajzat orientohen nga kukullat dhe figurinat e superfeminizuara. Fëmijët e vegjël të të dy sekseve kanë fantazi, por rolet që ata lozin brenda kontekstit të fantazive të tyre, gjithnjë, janë në varësi të seksit. Që në moshën e hershme dy vjeçare, vajzat lozin rolin e nënës që gatuan, të balerinës, ose princeshave të përrallave, ndërsa djemtë lozin fort me karakter mashkullor, si ushtarët, ose superheronjtë. Djemtë, natyralisht, zgjedhin djem të tjerë si shokë loje, ndërsa vajzat lozin me vajza të tjera, më shumë se me djem.

Kështu, në bazë të kërkimeve më të hershme, u ngrit ngit hipoteza, se pre-homoseksualët, si fëmijë, kanë sjellje inverse (djemtë e vegjël preferojnë vajzat si shokë loje dhe çmenden për sendet e tualetit të nënave të tyre. Vajzat e reja pre-homoseksuale pëlqejnë shumë fushat e futbollit, ose pëlqejnë të munden, e të tjera të kësaj natyre). Ka dy mënyra për të investiguar lidhjen midis sjelljeve jo tipike dhe orientimit seksual më vonë. E para, është mënyra prospektive. Kjo do të thotë të ndiqen për gjatë gjithë kohës fëmijët e vegjël që shfaqin sjelljet atipike. Të shikohen sjelljet e tyre në adoleshencë dhe në vitet e rinisë së hershme. Orientimi seksual individual shfaqet më dukshëm në kohën e pjekjes seksuale. Por, kryerja e këtyre studimeve prospektive, për disa arsye, është jo praktike. Siç dihet, vetëm një proporcion i vogël i popullatës është ekskluzivisht homoseksuale, ndaj është e vështirë të gjendet një numër shumë i madh, i domosdoshëm statistikisht, i pre-homoseksualëve. Që të arrihej kjo, do të duheshin shumë fëmijë në studim dhe prej tyre, vetëm, një pjesë e vogël do të kthehej në gay. Ka dhe arsye të tjera pse këto lloj studime nuk janë praktike. Ato kërkojnë kohë të gjatë, më së paku duhen gjashtëmbëdhjetë vjet, që të ndiqet seksualitetin e fëmijëve deri në adoleshencën e vonshme. Kjo është shumë e vështirë. Së fundmi, prindërit, përgjithësisht, nuk pëlqejnë që fëmijët e tyre të bëhen vullnetarë në këto studime.

Psikologia Kelly Drummond dhe kolegët e saj, intervistuan 25 gra të rritura, të cilat kur ishin në moshën midis 3 dhe 12 vjeçare, prindërit i kishin çuar për vlerësim në klinika shëndetësore. Në atë moshë, të gjitha këto vajza kishin disa tregues diagnostikë që flisnin për çrregullime të identitetit gjinor. Ato preferonin të loznin me djem, insistonin të vishnin tesha djemsh, pëlqenin lodrat e forta, prisnin që t’u rritej penisi dhe nuk urinonin ulur si vajzat. Kur këto gra u rritën, vetëm, 12 përqind e tyre nuk ndjeheshin mirë, nga që seksi i tyre biologjik nuk përputhej me identitetin e tyre gjinor(disfori). Pra, për ta bërë edhe më të qartë, duhet të themi, se historitë e fëmijërisë së këtyre grave ishin shumë paralajmëruese për orientimin e tyre seksual si të rritura. Studiuesit gjetën se orientimi biseksual dhe homoseksual i këtyre grave, ishte 23 herë më i lartë, nga ai që shfaqet në një panel të përgjithshëm me gra të reja. Edhe pse kështu, duhet thënë, se jo të gjithë vajzat me këto sjellje (tomboys), u bënë lesbiane. Këto të dhëna, flasin për atë, që lesbianet, shpesh, kanë histori sjelljesh që i përkasin tipit të seksit të kryqëzuar.

E njëjta gjë vlen për edhe për burrat gay. Në studimet retrospektive (kur u studiua lidhja midis sjelljes së fëmijërisë dhe orientimit seksual si të rritur, kur paneli i të rriturve pyetet për fëmijërinë e tij), u gjet se 89 përqind e burrave gay të mbledhur rastësisht në një panel, mbanin mend fare mirë sjelljet e tyre fëminore me karakter seksual të kryqëzuar. Këto sjellje tek burrat gay, ishin shumë më të shprehura se tek burrat heteroseksualë.

Në studimin shumë të zgjuar, të publikuar në Developmental Psychology, janë evidentuar regjistrimet video familjare dhe u krahasuan sjelljet fëminore me sjelljet seksuale të mëvonshme. Autorët gjetën se “ata persona që si të rritur e identifikojnë veten si homoseksualë, edhe kur ishin fëmijë ishin gjykuar si “fëmijë me gjini të pakonfirmuar”

Janë të shumta studimet që evidentojnë lidhjen e fortë që ekziston midis deviacioneve nga roli normal i gjinisë në fëmini dhe orientimit seksual si të rritur. Ka raportime shkencore që theksojnë rolin e të ashtuquajturës “efekti dozë”: Sa më e pa konfirmuar gjinia në fëmini, aq më të mëdha janë gjasat që fëmija kur të rritet të jetë me orientim biseksual dhe homoseksual.

Tani, me të drejtë ju prisni që unë të filloj një fjali me “POR”

Le të vazhdojmë herën tjetër.

 

Dr. Adem Harxhi / DITA

 

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *