A do të guxonte ndokush që heronjtë e rezistencës t’i quante shërbëtor të fëlliqur?

redaktor

“Bishti i kometës” është libri më i ri i Besnik Mustafajt. Ai u promovua mbrëmë në stendën e “Toena” në Panairin e Librit në Pallatin e Kongreseve. Në të, shkrimtari ka përfshirë përshkrime pa fund për fëmijërinë, familjen e lënë në Tropojë dhe gjyshin, i cili shpesh do t’i thoshte, si do të jetosh me letërsi. Ndërsa rrëfen jetën në komunizëm, në kohën ku në Shqipëri shembeshin kisha e xhami, nuk lë pa përmendur as gjyshen e ardhur nga një prej fshatrave të djegur nga serbët. Por, mbi të gjitha, interesante është ajo pjesë e librit të tij, ku Mustafaj rrëfen për vitet 1990. Si e gjeti atë rënia e komunizmit? Cilat ishin përjetimet e tij? Çfarë di ai për ardhjen e demokracisë? A pati një Katovicë? A u rrëzua komunizmi me ndihmën e CIA-s. Sot, po ju sjellim një pjesë nga ky libër.

II

Sipas këtij shkrimi të botuar për së pari në një gazetë shqiptaro-amerikane dhe sjellë pastaj në shtypin e Tiranës për t’u përtypur e ripërtypur pareshtur gjatë njëzet vjetëve, gjë që do të vazhdojë, me sa duket, edhe ca dekada të tjera, rrëzimi i komunizmit në Shqipëri, në mënyrën si u krye dhe njerëzit me të cilët u krye, është mirëfilli zbatimi i një strategjie të Gorbaçovit, strategji kjo e shpalosur në një mbledhje me dyer të mbyllura me të gjithë udhëheqësit e vendeve anëtare të kampit të demokracive popullore në qytetin polak të Katovicës në një datë të panjohur të paktën për publikun shqiptar gjatë vitit 1987. Fjalimi “strategjik” i Gorbaçovit nuk ka mbërritur kurrë si i tillë në tregun e zhurmshëm mediatik të Tiranës. Por ai zbulohet përmes riprodhimit që del t’i ketë bërë atij Ramiz Alia në një mbledhje po me dyer të mbyllura të Byrosë Politike të Partisë së Punës të Shqipërisë në tetor 1989. Madje, edhe kohën e shpalosjes së kësaj strategjie nga ana e Gorbaçovit e marrim vesh gjithashtu nga goja e Ramiz Alisë, i cili (në tetor 1989) i njofton shokët e vet të rrethit të parë të pushtetit se “materialin që më dërgoi Gorbaçovi kam dy vjet që po e studioj”.

Po sjell në këto shënime disa paragrafë nga ky fjalim, për autenticitetin e të cilit kam më shumë se dyshime. Në këta paragrafë, – më duket mua, – del mjaftueshëm në pah qëllimi zanafillor i atyre që i kanë sjellë për së pari në vëmendjen e publikut.

“Do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes, që e kemi planifikuar dhe po e përgatisim vetë. Sistemi ynë ka kapitulluar përballë atij kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji. Kundërshtarët tanë do t’i nxisim që të krijojmë parti sa të duan, të majta, të djathta dhe të qendrës. Por gjithsesi këto parti duhet të kontrollohen dhe të drejtohen nga ne. Programet e themelimit të tyre do t’i formalizojmë ne. Në krye të këtyre partive duhet të nxirren njerëzit që e përkrahin strategjinë tonë. Partia, që do të marrë pushtetin, do të shajë komunizmin me themel e me çati. Në këtë mënyrë do të fitojnë simpatinë e Perëndimit dhe të disidencës antikomuniste. Ata që janë nëpër burgje, të dënuarit dhe të persekutuari antikomunistë, do të flasin për ne dhe do të na shajnë. Këta dihet që e urrejnë komunizmin. Por do të na afrohen dhe do të na përkrahin. Ne na intereson karta e tyre morale. Këta do t’i afrojmë dhe do t’u japim punë të parëndësishme, por kurrë nuk do t’i lemë të na marrin pushtetin. Sepse ata, sa ta marrin fuqinë, do të fillojnë të hakmerren e ne kështu do të bëheshim hyzmeqarët e tyre (…). Të burgosurit dhe të persekutuarit janë të moshuar dhe nuk kanë fuqi, janë të parrezikshëm. Duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre. Por ata, duke u dhënë një pasaportë dhe duke u bërë presion, do t’i largojmë nga Shqipëria (…)

Ne kemi kuadro sa për shtatë komitete qendrore. Ndaj nuk ka arsye pse të kemi frikë. Ne kemi studime dhe platformat gati për zbatim (…).

Ne, komunistët reformatorë, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas të cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm do të jemi ne dhe njerëzit tanë. Me këtë strategji, brenda 2-3 legjislaturash do të arrijmë që, nga klasa komuniste, të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes, që e kemi planifikuar dhe po e përgatisim vetë. Të jeni të sigurtë që e ardhmja do të jetë e jona. Kurrë nuk do ta lejojmë restaurimin e pushtetit politik të armiqve tanë. E ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë e mrekullueshme. Për këtë kemi derdhur gjak dhe do të derdhim akoma po të jetë nevoja. Shqipërinë do ta gëzojmë ne dhe fëmijët tanë (…)”.

III

Në dhjetor 2011, në televizionin më të madh shqiptar “Top Channel” u transmetua një intervistë e gjatë e dhënë ekskluzivisht për këtë kanal me një ish-emigrant politik çek, Robert Buchar, i cili ishte arratisur nga vendi i tij në vitin 1980 për t’u vendosur në SHBA dhe tashmë jepte mësime në Kolegjin e Arteve të Bukura Kolumbia në Çikago. Të paktën kështu u paraqit shkurtimisht biografia e tij nga intervistuesi shqiptar. Të nesërmen intervista e Robert Buchar zuri vend gjerësisht në gazetat e ditës në Tiranë. Merita e tij për të pushtuar kështu të paktën për dy ditë vëmendjen e bashkëkombësve të mi lidhej me një libër që mësuam të ketë shkruar së fundmi mbi prapaskenat e ngjarjeve të vjeshtës 1989 në vendin e tij të origjinës, njohur botërisht ndryshe si revolucioni i kadifenjtë çek, i cili përfundoi me çmontimin e regjimit komunist në Pragë, siç dihet, dhe vendosjen e demokracisë me Vaclav Havelin President të Republikës. Mësuam gjithashtu me këtë rast se ky Buchar kishte në përfundim një film dokumentar me të njëjtën temë, për të cilin nuk kam dëgjuar më të flitet më pas.

Nisur nga sa tregon në intervistën e tij, ky Robert Buchar ua ka kushtuar gjithë vitet 2000 hulumtimeve rreth shembjes së komunizmit dhe ka arritur në përfundimin se mbarë lëvizja antikomuniste në Lindje ishte në të vërtetë një skenar i përgatitur deri në hollësi me kohë dhe i drejtuar me mjeshtëri të lartë nga Moska. Dhe njëherësh i financuar gjerësisht nga CIA. Ideatori gjenial i këtij skenari del të jetë Juri Andropov, një nga personazhet më mizorë të historisë komuniste jo vetëm pse është njeriu kyç në shtypjen e përgjakshme të revolucionit hungarez të vitit 1956, por edhe pse ka udhëhequr KGB-në sovjetike, domethënë policinë e fshehtë politike gjatë gjithë periudhës famëkeqe të Brezhnjevit deri sa mori vetë kreun e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik me vdekjen e këtij të fundit. Si për ironi të milionave viktimave, Robert Buchar e quan “të shkëlqyer” karrierën e Juri Andropovit, i cili, edhe në pasvdekje ka mundur të sigurojë mbijetesën e regjimit komunist. Del se ai paska lënë të gatshëm mekanizmin, nëpërmjet të cilit, krejt si në një teatër, do të zhvillohej gjithandej një gjasme kryengritje popullore paqësore (përjashtuar Rumania), për të dhënë me një përfundim të shpejtë një ndryshim thjesht të fasadës së sistemit komunist. Rrjedhimisht, kjo kryengritje popullore, e shpërthyer pak a shumë njëkohësisht në të gjitha vendet e bllokut sovjetik, nuk do të mund ta ndryshonte historinë, siç e kishte qëllimin e shpallur pikërisht sepse ishte e përgatitur në laboratorët e atyre, kundër të cilëve drejtohej.

Ja çfarë ka ndodhur sipas këtij ish-emigranti politik:

KGB e kishte kuptuar qysh në vitet ’70 se regjimi, të cilit i shërbente, nuk mund të mbijetonte ekonomikisht duke ndjekur metodën e vet të njohur. Shpëtimi ishte vetëm një dhe do të vinte përmes heqjes dorë nga ideologjia e vet leniniste si dhe nga monopoli i partisë unike mbi pushtetin. Për këtë qëllim, pra, në vitet ’70, KGB mori urdhër nga shefi i vet Juri Andropov të përgatiste planin e veprimeve. Në këtë vazhdë, nën kujdesin e vetë Juri Andropovit, në Austri u themelua një institut, një lloj “Think Tank”, ku ekonomistë dhe politikanë (perëndimorë) në zë jepnin mendime mbi reformën ekonomike të nevojshme dhe të mundshme brenda një sistemi ekonomik të centralizuar. Ata shpërbleheshin mirë për këto mendime, kuptohet.

Gjithë puna për hartimin dhe zbatimin e këtij plani futurist do të konceptohej dhe zbatohej përmes një departamenti të themeluar posaçërisht e të quajtur “Direktorati i Dizinformacionit”. Te ky “Direktorat D” është ngjizur perestrojka dhe të gjitha masat e tjera liberalizuese shumë vjet para se Gorbaçovi të ngjitej në majë të piramidës për t’i vënë në jetë, ashtu siç këtu zë fill edhe vetë rruga e Vaclav Havelit për në Kështjellën e Pragës, ku do të merrte frenat e shtetit si President i Republikës dhe do të qetësonte zemërimin popullor duke deklaruar se “komunistët janë zhdukur. Ata na e dhanë pushtetin ne.” Sepse edhe Vaclav Haveli, thotë Robert Buchar, ka qenë agjent i policisë së fshehtë çeke, i stërvitur gjatë për këtë mision.

Madje, ky ish-emigrant politik çek, i konvertuar në profesor në Kolegjin e Arteve të Bukura Kolumbia në Çikago, gjen kohë në intervistën e tij për kanalin televiziv shqiptar “Top Channel” të sqarojë edhe rrethanat kur u rekrutua Haveli nga policia e fshehtë çeke, gjë që de facto do të thoshte rekrutim nga KGB. Kjo ka ndodhur kur Haveli ishte në burg si shumë nga të ngjashmit e tij, të cilët do të përdoreshin gjatë ngjarjeve të vitit ’89 për ta bërë të kadifenjtë revolucionin siç ishte dhe interesi i komunistëve. Robert Buchar pohon pa iu dridhur qerpiku se burgjet në Çekosllovaki kanë shërbyer kryesisht për rekrutime të disidentëve nga ana e policisë politike. Rrjedhimisht, edhe “Karta 77” është sajuar fund e krye në kokën e Juri Andropovit. Madje, kjo është një nga përvojat e para serioze të “Direktoratit D”. Për më tepër, në këtë rast ka dhënë ndihmën e vet edhe CIA, duke financuar bujarisht disidentët nëpërmjet George Soros-it. Robert Buchar tregon t’ia ketë shprehur një ish-oficeri të lartë të CIA-s çudinë e vet të thellë për këtë bashkëpunim të panatyrshëm amerikano-sovjetik në pikun e Luftës së Ftohtë. Dhe ka marrë si përgjigje: “Duhet ta kuptoni që asgjë në këtë botë nuk është bardh e zi. Kjo ishte një lojë nga të dyja palët. Duhen kuptuar momentet. Në atë kohë rusët kërkonin në mënyrë të dëshpëruar ndryshimin e sistemit. Përse amerikanët duhej të thoshin jo? Të gjithë kërkonin largimin e komunizmit. Kështu që secili punoi për interesin e vet”.

 

IV

Midis hedhjes për herë të parë në publik të tezës se revolucioni ynë, përfshirë këtu edhe themelimin e Partisë Demokratike si organizatë e domosdoshme për ta strukturuar politikisht lëvizjen tonë në përballjen e vrullshme me regjimin, ishte vepër e parapërgatitur nga partia komuniste dhe intervistës së këtij ish-emigranti politik çek, kishin rrjedhur diçka më shumë se pesëmbëdhjetë vjet. Parë në kalendarin e kohës, kjo nuk është ndonjë periudhë kushedi se çfarë. Por është një periudhë shumë e gjatë në jetën e një brezi njerëzish.

Kjo periudhë ngjan, po ashtu, shumë e gjatë po të shihet me sytë e Historisë së Shqipërisë moderne, e cila kishte njohur ndërkohë konvulsione shumë të forta e më pak të forta. Por, më kryesorja, kishte mbijetuar ecja e saj përpara, në rrugën e lirisë e të demokracisë, nuk ishte ndalur e as shmangur kjo rrugë. Pushteti kishte kaluar nga duart e opozitës së dikurshme antikomuniste (Partia Demokratike) në duart e ish-komunistëve (Partia Socialiste) e ishte kthyer përsëri te Partia Demokratike. Gjithnjë përmes votës popullore, duke shënuar kështu përfundimisht fitoren historike të aspiratës tonë më të shenjtë zanafillore. Unë për veten time kisha hequr tashmë një herë e përgjithmonë kostumin e politikanit për të zënë vend në tryezën e vetmuar të shkrimtarit, që do të thotë se kishte ndryshuar krejt mënyra ime e jetës. Këtij ndryshimi rrënjësor i kishte mbijetuar vetëm vëmendja ndaj zhvillimeve politike të ditës, ama një vëmendje tërësisht pasive si dhe kureshtja e veçantë ndaj historisë politike bashkëkohore të vendeve ish-komuniste, një kureshtje kjo e fituar gjatë kohës që isha në skenë e nga cila nuk do të shërohem më dot kurrë me sa duket.

Me siguri që kjo kureshtje më shtyu ta ndjek me njëfarë përqendrimi deri në fund intervistën e Robert Buchar. Në fletoren time të shënimeve, mbrëmjen e 11 dhjetorit 2011, kam shkruar: “Një intervistë e neveritshme e një ish-emigranti politik çek. Kush mund të besojë broçkulla të tilla konspiracioniste, të cilat synojnë të rrëzojnë nga themeli historinë më të bukur e më madhështore që ka bërë njerëzimi gjatë gjysmë shekullit të fundit?” Një shfrim të tillë neverie nuk e kisha pasur as në fillim e as më pas kur shihja nëpër gazetat e Tiranës të përsëritej rregullisht, por me firma të ndryshme, zakonisht jo me pseudonime, se e gjithë lëvizja jonë antikomuniste ishte gatuar në kuzhinën e pistë e të përgjakur të një pushteti veç të tjerash edhe thellësisht dritëshkurtër, siç janë gjithmonë dritëshkurtra pushtetet despotike, të cilat jetëgjatësinë e tyre e mbështesin vetëm mbi ashpërsinë e dhunës ndaj popullit. Vërtetimi i një skenari të tillë do të kishte qenë një dafinë e paçmueshme, që i jepej aposteriori atij regjimi mëkatar.

Sipas këtij skenari, regjimi komunist dilte të ketë qenë në thelb krejt e kundërta e atij që e njihnim aq mirë ne, të sakatosurit në darën e tij të hekurt. Që do të thoshte se ai regjim kishte qenë jashtëzakonisht realist në gjykimin e performancës së vet, fort vizionar në parashikimin e të ardhmes dhe po aq i aftë për të ndërtuar strategji afatgjata të zbatueshme, sa të falsifikojë e pastaj të përvetësojë vetë prirjen e natyrshme të kohës për të shkuar drejt lirisë. Dhe se e gjithë kjo inteligjencë gjeniale e komunizmit nuk fillonte madje as me Gorbaçovin, i cili në fund të fundit ishte nderuar me Çmimin Nobel për Paqen vetëm pse arriti ta kuptonte sa nuk ishte tepër vonë prirjen e Historisë dhe pati aq vullnet të mirë sa të shmangte kundërvënien ndaj asaj prirjeje të Historisë me mjetet që zotëronte ende siç e kishim pasur zakon të bënin paraardhësit e tij, ndër të cilët më famëkeqi kishte qenë dhe mbetej pikërisht Juri Andropov, ose, thënë me fjalët e ish-emigrantit politik çek pa ndonjë tingëllimë ironie nën zë, njeriu “me karrierë të shkëlqyer”. Një lëvdatë e tillë për armiqtë e betuar të lirisë do të duhej të ishte mirëfilli një fyerje e rëndë dhe kolektive për të gjithë popujt që vuajtën për dekada nën atë regjim e sidomos për miliona viktimat e pafajshme, që nuk arritën të dalin gjallë nga ai ferr. Më gjëmonte në kokë një pyetje: A do të guxonte ndokush të hidhte mbi heronjtë e rezistencës antifashiste duke i quajtur shërbëtorë të fëlliqur të Hitlerit një baltë të tillë si kjo që po hidhej mbi Vaclav Havelin, Les Valesën, Azem Hajdarin? Sigurisht që jo. Ky diferencim kaq i thellë për një vepër me të njëjtën vlerë në altarin e përbashkët të lirisë, përbën për mua një pikë të errët dhe të shëmtuar në kulturën e kohës tonë, të përcaktuar nga historianët dhe estetët si “koha e postmodernizmit”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *