Në Tiranë po përflitet këto ditë një shkëputje e Ilir Metës nga qeveria dhe riafrimi i tij drejt PS-së së Ramës. Disa të dhëna sugjerojnë se nuk përjashtohet mundësia që një marrëveshje mes dy palëve të shpallet që përpara zgjedhjeve të qershorit. Sipas zërave që janë përhapur menjëherë pas ndërhyrjeve “të forta” publike të orëve të fundit të krerëve të partive të majta europiane për nevojën e bashkimit, sipas tyre, Rama-Meta, – ky i fundit do të bëjë një ndryshim kursi prej 180 gradë vetëm tre muaj përpara zgjedhjeve. Mësohet se Meta synon një marrëveshje duke hequr dorë nga kushti i tij i preferuar për të qenë “dy vite kryeministër” i koalicionit, duke pretenduar vetëm një hapësirë pushteti të ngjashme me atë pushtet që fitoi nga koalicioni me Berishën, pra tre ministri dhe rreth 20 përqind të vendeve në administratën publike. Flitet edhe se në këto negociata është premtuar në horizont dhe mundësia e kuotimit të Ilir Metës si një kandidat potencial për President në vitin 2017, megjithatë gjithcka mbetet për tu sqaruar vetë publikisht nga Meta në ditët në vijim. Hë për hë, është e pamundur të merret një konfirmim zyrtar nga zyrat e PS-së apo LSI-së.
Duket se i mirë informuar dhe në dijeni të këtyre negociatave është edhe vetë Berisha. Përflitet se paraprakisht ai i ka çuar disa sinjale serioze Metës për një përsëritje të bashkëpunimit si në vitin 2009 dhe premtim për një zgjerim të pushtetit dhe kontrollit qeveritar të LSI-së.
Meta ka qenë kontradiktor kohët e fundit. Fillimisht ka premtuar se LSI-ja do të hyjë në zgjedhje si një subjekt i vetëm, pra si pol i tretë. Lëvizja e shkëputjes nga koalicioni me Berishën dhe shpallja e një koalicioni të ri me PS nuk ka qenë nominuar deri më sot. Lëvizja mund të shtojë shanset për futjen e Shqipërisë në zgjedhje jo më nën patronazhin e Berishës por nën një qeveri teknike, duke i dhënë më shumë garanci dhe besim edhe procesit zgjedhor që do të mbahet më 23 qershor.
Pro dhe kundër riafrimit të Metës në PS
DITA pyeti dje Mustafa Nanon dhe Bledar Priftin lidhur me apelet e të majtëve europianë për riafrim të Metës me PS-në dhe lajmet e pakonfirmuara për shkëputje të LSI-së nga qeveria. Për Mustafa Nanon, bashkimi PS LSI duhet bërë. Nano vetë u vu në qendër të kritikave nga internautët sidomos, pas një pohimi të cilin ai vetë më vonë e përmblodhi si: “U bënë nja dy a tre muaj qysh nga momenti që kam hedhur tezën, se në rrethanat ku jetojmë duhet të bëhen tok të gjithë ata që janë kundër këtij regjimi… Gjendjen e shoh aq dramatike sa në shkrimin e fundit arrita të bëja pohimin më amoral që mund të jetë bërë ndonjëherë këtyre anëve: çdo qelbësirë që s’i ka punët mirë me regjimin duhet parë e përfillur si një resurs opozitar…”