Dje nisi sezoni i ri shkollor. Arsimi është fytyra e një shoqërie. Ç`shkon e ç`nuk shkon vijnë prej arsimit, nëse përfshijmë aty në dimension e gjërë kumtues edhe edukimin, si një përmasë përcaktuese për vajtjen e punëve mbroth. Kjo bën që, për të gjykuar punën e një qeverie, të mjaftojë arsimi dhe vetëm arsimi. Sikur ta vendosësh mandatin 8-vjeçar të Berishës në këtë optikë, do mjaftonte për t`ia vënë notën gjithë qeverisjes që ai la pas. Eshtë e vërtetë që ndërtoi shumë çati shkollash, por mendjet i la të shprazëta. Ka prirjen që gjithnjë të mbrohet apo sulmojë me shifra investimesh, por më keq akoma kur janë hedhur miliona, e prej tyre kanë dalë sërish tutkunë nga të gjitha nivelet. Ja një episod, që tregon pak a shumë, degjenerimin e arsimit vitet e fundit: muaj më parë, një grup kontrolli nga Ministria e Arsimit shkon në një shkollë fshati në jug të Shqipërisë. Godina e shkollës, edhe pse e vjetër dhe e patrajtuar, gjithsesi mbahej e fortë: çatia nuk pikonte, suvajave e murreve nuk kishte rënë, ndërsa dritaret ishin gjithsesi me xhama. Kontrolli has në një mësues që, edhe pse futbollist i ekipit të një qyteti aty afër, çuditërisht jepte bio-kimi. I kërkojnë mësuesit që të shohin ditarin, por ai u thotë se e ka harruar në shtëpi! Sakaq, klasa ishte bosh. E pyesin për nxënësit se ku janë, e ai u thotë se gjithsej janë tre, por që njërit prej tyre i dhimbte barku, ndërsa dy të tjerët shkuan ta shoqërojnë për në shtëpi! E pra, kjo është më e dhimbshme se suvaja, trarët e tavani i rënë i shkollave tona; kjo është të të ketë rënë i gjithë sistemi arsimor, e të katandisesh si shtet e qeveri, duke luajtur shkollash!
