A duhet ta denoncoj të keqen?

redaktor

Dërguar me SMS

Në numrin e redaksisë

 

Kam një nderim të veçantë e ndoshta edhe pak xhelozi për njerëzit me kurajo e trimëri intelektuale e qytetare për luftën kundër së keqes. Nuk do të thotë që çdo diplomë a doktoraturë të bën të tillë. Mbase profesionist, por intelektualizmi është një shkallë më lart. Sot lexova te DITA një denoncim të tillë. Kemi parë e dëgjuar mjaft denoncime publike, bile në qiell të hapur e në mes të bulevardit ku ka ndodhur krimi e askush edhe sot e kësaj dite tall b….. me këtë denoncim dhjetëra mijësh. Del pyetja që është kthyer në dilemë personale e gati ç’inkurajuese: A duhet ta denoncoj të keqen? Përse? A do të dënohet nga kjo katrahurë drejtësie?

Por si e gjykoj unë këtë fenomen? Së pari, të denoncosh të keqen për t’i hapur rrugë së mirës është gjest i mirëfilltë qytetar. E dimë që bota e zhvilluar e ka një nga shtyllat e sigurisë. Së dyti, pa një sinjalizim publik, organet që sigurojnë lirinë e individit do ta kishin më të vështirë. Por mua më shqetëson fakti se edhe kur spikat, sado rrallë, kjo kurajo apo “trimëri” mbetet pa krahë. Është e thjeshtë të kuptosh se pa “trimërinë” e organeve që kanë të drejtën ligjore për të dënuar të keqen e denoncuar, ajo mbetet një diçka teorike, bile edhe duke na ç’inkurajuar.

Konkludoj duke qenë i bindur se çdokush prej nesh duhet të bëjë detyrën në luftë kundër të keqes sepse është humane e në të mirë të vetes e të të gjithëve. Por mjerisht na mungon përkrahja, sidomos e kësaj drejtësie inekzistente dhe e korruptuar deri në kockë. Reforma kaq shumë e përfolur na jep disi shpresë. E përse jo, meqë ajo vdes e fundit! Profeti

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *