A duhet t’i puthim në buzë fëmijët? Çfarë thonë psikologët

J L

Disa prindër, veçanërisht nënat, i puthin në buzë fëmijët e tyre si një gjest natyral.

Edhe pse disa psikologë pohojnë se intimiteti midis prindërve dhe fëmijëve, i cili kalon edhe përmes gjesteve spontane, si puthjet në buzë, i sjell dobi mirëqenies së fëmijës dhe të tjerë e vendosin kufirin e kësaj praktike në moshën 3-4 vjeç; ka shumë ekspertë të cilët thonë se është një zakon i gabuar, i cili ka pasoja në zhvillimin e fëmijës dhe që nuk e ndihmon atë në rritje.

-Kalimi i të porsalindurit në foshnjërinë e hershme: shkëputja e nevojshme nga nëna

Ekspertët shpjegojnë se fëmijët nga 12 deri në 14 muaj po përballen me përpjekjen për të ” kaluar nga i porsalinduri në fëmijërinë e hershme” .  Deri në moshën rreth një vjeç, fëmija do vetëm nënën. Ky ndryshim thelbësor duhet të merret parasysh, duke mbështetur rritjen dhe duke ndihmuar fëmijën të shkëputet nga nëna. Ngadalë fëmija fillon të zvarritet , të eksplorojë botën. Psikologët shpjegojnë se, nëse nëna e puth në buzë, nuk e lejon këtë lloj kalimi , që tashmë është problematik në vetvete.

– Buza si zonë erogjene

Goja është një zonë erogjene , e cila të jep kënaqësi. Duhanpirësit e dinë këtë, grykësit që duan të hanë e dinë. Stimulimi i asaj zone është i gabuar . Koha në të cilën lirohet ajo zonë erogjene e foshnjës është ajo e shkëputjes nga gjiri, një periudhë vendimtare që formon sfondin e zhvillimit.

– Kompleksi i Edipit dhe qartësia e roleve

Në atë moshë fëmija do të kalojë nëpër kompleksin mitik të Edipit , në të cilin prindi i të njëjtit seks shihet si rival. Mund të ndodhë, për shembull, që fëmija t’i thotë babait se nëna e tij është e dashura e tij. Puthjet në buzë ushqejnë këtë atmosferë paqartësie , edhe nëse për fëmijën kjo ndodh në mënyrë të pandërgjegjshme dhe të pavetëdijshme.

Me pak fjalë, puthja në gojë krijon paqartësi në një fazë delikate që fëmija duhet ta kapërcejë, e ndihmuar edhe nga përcaktimi i roleve. Në kohën e kompleksit të Edipit është mirë që fëmija të shohë se ka një palë prindër me role . Në këtë kuptim, duhen inkurajuar shfaqjet e dashurisë midis prindërve.

Shembuj dhe shpjegime

Në një artikull të Your Tango, vite më parë, rreth asaj se nëse duhet të puthen fëmijët në buzë apo jo, është prekur deklarata e diskutueshme e bërë nga psikologia i fëmijëve dhe profesorja Dr. Charlotte Reznick.

“Puthja në buzë mund të jetë stimuluese. Është shumë hutuese. Nëse mami e puth babin në buzë dhe e kundërta, çfarë kuptimi ka, kur unë, një djalë apo vajzë e vogël, i puth prindërit e mi në buzë? Nëse më duhet të përgjigjem se kur duhet të ndalohet puthja e fëmijëve në buzë, ajo do të ishte TANI”, ka thënë Dr. Reznick. Këto komente i kanë ndarë prindërit në dy grupe në atë kohë, duke krijuar debate të nxehta online dhe në radio. Disa prindër madje nuk mund ta besojnë që kjo paraqet problem.

“Sapo e pashë në lajme: ‘mos i puthni fëmijët në buzë, është shumë seksuale’. Nuk dua të jetoj më në këtë botë”, ka shkruar njëri. Nga ana tjetër, ekspertët e tjerë nuk pajtohen me Dr. Reznick.

Psikologia Sally-Ann Mccormack ka thënë për The Sun se nuk është aspak e vërtetë që puthja e fëmijëve në buzë nga ana e prindërve të tyre mund të jetë hutuese për të vegjlit.

“Kjo është si të thuash ushqyerja me gji është hutuese. Disa njerëz mund të kenë probleme me të, por nuk është më seksuale se masazhimi i shpinës në një fëmije”, ka shtuar Mccornmack.

Mendimet e kundërta vazhdojnë. Sigurisht prindërit që e praktikojnë këtë puthje janë të bindur që nuk ka asgjë të keqe në të. Victoria dhe David Beckham bëjnë pjesë te ta. Në fillim ishte Victoria që u sulmua për puthjen në buzë me të bijën, Harper 7, por njëlloj pati pakënaqësi edhe kur David, postoi një foto ku e puthte të bijën në buzë vetëm pak kohë më parë.

BBC Trending është konsultuar me eksperten e rregullave të mirësjelljes shoqërore, Liz Brewer. Ajo shprehet se puthja e fëmijëve në buzë është një praktikë e pazakontë, por mbetet zgjedhja e prindërve nëse ata e konsiderojnë të arsyeshme apo jo.

“Normalisht nuk mund të puthim në buzë një anëtar të familjes, nëse ai person nuk është burri juaj,” ka thënë ajo. Shqetësues është fakti nëse fëmijët nuk dëshirojnë, e prindërit apo të afërmit e bëjnë një gjë të tillë. Afrimitetin e “tepruar” duhet t’ia lëmë në dorë fëmijëve e nëse ata ndihen mirë ju mund t’i puthni në buzë.

Kjo puthje, megjithatë mund të ketë efekt çoroditës, veçanërisht te fëmijët me nevoja të veçanta. Vera Kurti, mësuese e Edukimit Special në New York ka thënë për revistën Psikologjia që kjo praktikë te këta fëmijë mund të shkaktojë shteg për abuzime.

“Është e thjeshtë të kuptohet se, pa dashur, vetë së pari krijojmë një çoroditje te fëmija dhe së dyti, edhe një shteg për abuzime, sidomos ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara, të cilët për vetë moshën dhe sidomos për mungesën e aftësive për të dalluar rreziqet e çfarëdolloji, nuk arrijnë të bëjnë dallimin e veprimeve apo sjelljeve të të tjerëve ndaj tyre, ose të sjelljeve të tyre ndaj të tjerëve. Konkretisht, nuk arrijnë të kuptojnë se pse duhet ta puthë mamin në buzë dhe Verën jo”, ka thënë ajo.

Më pas ka shtuar edhe një argument që mbetet i fundit. “Një tjetër argument, që duhet patur në konsideratë për këto lloj puthjesh, është shëndeti i fëmijës, infektimi me mikrobe dhe viruse të ndryshme, që i madhi (prindi) mund të ketë. Për të gjitha sa thashë, puthja e fëmijës në buzë është puthja më pa sens dhe krejt pa shpjegim. Aq sa kuptoj unë, dashuria e nënës, babait e gjyshërve, apo të tjerë të afërmve ndaj fëmijës së çfarëdo moshe ka vetëm një mënyrë përkujdesje dhe përqafime të ngrohta”.

Megjithatë shkenca nuk mund të jetë e prerë në një temë të tillë. Prindërit duhet të njihen me mendimet e psikologëve, pa u bërë robotë të këshillave të tyre…

Share This Article
2 Comments
  • Sigurisht qe nuk eshte normale. Ketu flitet per puthjet qe i ben nena femijes. Po sikur edhe babai te puthe ne buze vajzen apo djalin e vet? Puthja ne buze ka ngjyrese seksuale.

  • Jemi ne gare per te permbysur dhe traditat e prinderve tane . Jo vetem anormale e quaj kete xhest por dhe nje cmenduri e prinderit qe e praktikon . Mania per t”u dikur modern , paksa te ndryshem nga te tjeret i shtyn .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *