Nuk mund të ketë veçse dy universe të mundshme në shpirtin njerëzor: Ai i hyjnores dhe ai i revoltës./“I revoltuari” A. Kamy
Në shoqërinë shqiptare të këtyre 25 viteve, klasa politike duket sikur nuk ka asnjë lidhje me shqetësimet reale të vendit. Po të shohësh parlamentin shqiptar, me shumë pak përjashtime, duket sikur kemi të bëjmë me dy grupime bandash të cilat përveç llafazanërisë, sharjeve, dhe një ligjshmërie të marrë nga bota dhe të përkthyer keq, nuk kemi asnjë mbrojtje të interesave aq jetike për qytetarin shqiptar. Në rast se në sistemin e shoqërive demokratike shoqëria civile humb çdo të drejtë për të folur ose për të pasur ndikimin e saj, atëherë sigurisht që fenomenet shoqërore do të politizohen dhe do të mbeten në pingpongun pozitë – opozitë, pa asnjë efekt në fushën e drejtësisë aq të pritshme nga shoqëria. Siç është i domosdoshëm në një shoqëri demokratike roli i shtypit (që edhe ky për fat të keq, në shoqërinë tonë, me përjashtime shumë të rralla, pjesa më e madhe është e futur në rrjetin e interesave ekonomike nën drejtimin e klasës politike), ashtu do të ishte i domosdoshëm syri mbikqyrës i organizatave jo fitimprurëse të cilat do të nxirrnin në pah kërkesat e shoqërisë civile. Le ta shohim këtë të konkretizuar në një shembull siç është rasti i Gërdecit.
Në 15 mars 2008, rreth orës 12.05, u dëgjua një nga shpërthimet më të forta ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Shpërthim ky që, sipas Euronews, CNN etj., u dëgjua deri në vendin fqinj Maqedoni.
Shpërthimi ndodhi në një “fabrikë” të akredituar nga Ministria e Mbrojtjes që kishte si funksion prioritar demontimin e armëve, por më vonë, u zbulua që shërbente si pikë grumbullimi armësh dhe lëndësh luftarake me qëllime tregëtie.
Sipas disa gazetave të shtypit të huaj si Reuters apo vetë raportit të mbajtur nga Avokati i Popullit në parlamentin shqiptar për vitin 2008, në faqen 268, numri i të vrarëve arrinte për 48 orët e para në 26 shtetas, ku midis tyre kishte gra dhe të mitur, si dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë. Gjithashtu u dëmtuan me qindra banesa, prona dhe objekte social-ekonomike, private apo shtetërore etj. Po ashtu sipas Reuters spitalet u mbushën me të gjymtuar. Disa humbën jetën në çast e disa të tjerë më pas në spital.
Në 27 mars të po atij viti gazeta prestigjioze “New York Times” në artikullin “Furnizues nën hetim në lidhje me armët në Afganistan” (Supplier under scrutiny on arms of Afghans) shkruar nga C. J. Chivers; Eric Schmitt; Nicholas Wood venë theksin në aferat korruptive që përfshinë qeverinë shqiptare të asaj kohe, me epiqendër Ministrinë e Mbrojtjes dhe ministrin e saj Fatmir Mediu, ky ndërkohë i dënuar edhe nga drejtësia italiane për një tjetër dosje penale me tre vjet burgim dhe shpëtuar nga marifetet e politikës së vogël shqiptare ndërmjet Nano – Berishës.
Opozita shqiptare e asaj kohe bëri një përpjekje të mefshtë për të kërkuar drejtësi, gjë që së bashku me kohën, edhe kjo ra në pluhurin e harresës.
Rasti i Gërdecit është një nga shembujt që tregon më së miri se si klasa politike shqiptare me gjithë faktorët e saj nuk arrin dot të mbrojë qoftë edhe interesa kaq të dukshme të shoqërisë e cila fatkeqësisht i ka dhënë të drejtën e të kryesuarit. Nga ana institucionale gjithë drejtësia shqiptare tregoi paaftësinë e të trajtuarit të kësaj ngjarjeje. Por më keq akoma, edhe mekanizma të tjerë ndërmjetës midis shoqërisë dhe administratës shqiptare siç është rasti i Avokatit të Popullit, nuk arritën dot ta institucionalizojnë dhe ridimensionojnë këtë ngjarje në bazë të parametrave të jurisprudencës të kohëve moderne.
E lënë thjeshtë në mëshirën e disa tentativave të revoltës sociale shprehur nga organe të shtypit, kjo dosje aq e qenësishme e humbet vlerën e saj goditëse.
Çfarë efekti mund të ketë shtypi shqiptar përballë një klase kaq arrogante politike ku vetë ish kryeministri i qeverisë së mëparshme Sali Berisha e quan “letër higjenike” (që as vetë Enver Hoxha nuk do të kishte guxuar) gazetën New York Times, njërën prej gazetave më prestigjioze të botës dhe me etikën më të lartë profesionale?
Qeveria socialiste e riardhur pas 2013- ës, këtë çështje nuk arriti dot ta depolitizonte për ta nxjerrë përballë bangave të drejtësisë.
Sikur shoqëria shqiptare të kishte pasur forcën dhe ndërgjegjësimin për të ngritur disa prej OJF-ve, të cilat duke integruar në gjirin e tyre profesionistë të nivelit të lartë të drejtësisë, të ndërtonin dosjen Gërdeci që edhe në pamundësinë e ballafaqimit me drejtësinë shqiptare ta dërgonin këtë dosje nëpërmjet kanaleve të avokatisë internacionale në Gjykatën e Strasburgut të Drejtave të Njeriut…
Gjithashtu përpjekja e OJF-ve duhej të ishte e koordinuar dhe e shoqëruar nga pjesa avantgardiste e shtypit që nuk është në kthetrat e egra të politikës, për ta kthyer këtë gjykim në një qëllim mbarëshqiptar, ku të dëmtuarit dhe viktimat me të cilët shoqëria shqiptare për shkak të indiferentizmit, të frikës politike ose arsyeve të tjera ju ka dhënë më pak se shumë pak, oh sa pak… t’i bënte pjesëmarrës të ndërgjegjshëm për të drejtën e tyre dhe në rast fitoreje, kjo do të dilte si fitore e ndërgjegjjes së të gjithë shoqërisë shqiptare, në rast humbjeje si humbje e ndërgjegjes së shoqërisë shqiptare.
Në shoqëritë moderne perëndimore nga raste të tilla të veçanta ndërtohen shembujt e domosdoshëm të mendësive të kornizës morale që përbëjnë shtyllën kurrizore të shoqërisë.
Shoqëria shqiptare është munduar t’I bashkangjisë Berishës si autor kryesor pjesën më të madhe të mbrapshtësive që e ka shoqëruar atë. Por në të gjitha përpjekjet kjo asnjëherë nuk ka qenë e institucionalizuar. Dhe gjithmonë është menduar pa të drejtë që Berisha është i plotfuqishëm, një autokrat i pakuptimtë në një shoqëri, të themi demokratike, ku e ka ushtruar fuqinë e tij si një diktator i vërtetë ku e mban gjithë shoqërinë shqiptare si të burgosur.
Në thellësinë e celulave të këtij burgu, ëndrra është pa kufi, realitetin nuk e frenon dot më asgjë. Inteligjenca nën pranga humbet në logjikë atë çka ajo fiton në vrullin e revoltës. Rasti i Gërdecit do të ndryshonte të gjithë mendësinë midis dialogut të shoqërisë shqiptare dhe klasës së saj politike.
Në skenën politike shqiptare përgjatë 25 vjetëve Berisha duket si i plotfuqishmi, dhe sigurisht pak kush mund të mendojë që drejtësia shqiptare e sotme me gjithë “mëkatet e rënda” të bëra nga ai me klanin e tij nuk ka forcën për ta vënë përpara përgjegjësisë ligjore. Por rasti i Gërdecit mund të ndryshojë të dhënat e problemit. Në rast se Berishës do t’i “dridheshin këmbët”, bashkë me të, gjithë klasa e sotme politike do ta ndjente këtë tronditje.
Për momentin shoqëria shqiptare mund ta quante fitore dhe vetëm marrjen e dënimit nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Le të kemi dënim pa të dënuar.

Edhe une jam dakord me idene Tuaj qe, nese do te largohej Berisha nga skena politike e Shqiperise shume gjera do te ishin bere ndryshe! Gjithashtu jam dakord qe Gerdeci te behej rasti i pare per denimin e figurave politike. Kjo do te trondiste gjithe klasen politike shqiptare qe duket si e paprekshme…ndoshta ka ardhur koha…
Eshte e veshtire por jo nje mision i pamundur!E veshtire pasi me te eshte ulur kembekryq edhe pozita qe dikur premtonte se do ta ulte Berishen ne banken e te akuzuarve(si te keqen absolute te ketij vendi) por tani vetem amniston shkeljet e panumerta te tij,duke demoralizuar edhe vet ata qe i besuan voten.
E mundur pasi kur nuk ka kompromis kryen misione qe ne teori duken te pamundura(ketu kam parasysh greven e sudenteve ne Vlore dhe protestat)ku zoterija dorezoi pushtetin.
OJF-te jane nje arme e forte ne demokraci,ne rastin e Gerdecit nuk kane kryer misionin e duhur.
Gerdeci eshte nje fakt flagrant… ,eshte nje krim me vrasje ku kane marre pjes me teper se nje hallke e strukturave shteterore ,pra edhe nje krim i organizuar …fatkeqesia eshte se ky krim vazhdon me qendrimin e shtetit ne teresi…,Gjykata dhe prokuroria e konvertuan ne nje ceshtje banale ,vendimi si pasoj gjithashtu kriminal…ne nje shtet mirefilli demokratik kjo do te thoshte se ky shtet ka rene . . ,kjo nuk nuk do te thote se shoqeria eshte e inkriminuar ,kjo do te thote se morali i shoqerise eshte deformuar nepermjet institucioneve te veta. .Eshte detyra jone qe nepermjet solidaritetit moral te ngrem zerin duke bere te mundur qe tju tregojme atyre qe jane te implikuar jo vetem ne kete ceshtje se jane pak.. .Konsiderate per autorin e shkrimit.. Per faktin se nuk ngelet deri te konstatimi por edhe te thebi i zgjidhes se ceshtjes… Kjo eshte nje fryme nje fryme qe i jep oksigjen moralit te kesaj shoqerie .