“E ndërtuam fshatin, e bëmë qytet”. M’u kujtua menjëherë kur dëgjova së fundmi Benin në parlament. Beni më kënaqi. O sa mirë bilbiloste. Sikur Kiçua i tij, t’ia kishte vënë emrin skenarit të dikurshëm: “Arbeni ecën vetë”, sigurisht që sot Beni do ta kishte mbajtur emrin Arben. Faji është i baballarëve që ndonjëherë nuk janë largpamës! (Apo, edhe ai e ka pasur emrin Arben?!)
Pastaj, edhe sikur nuk shkon si titull! Stilistikisht e largon pakëz, ama fare pakëz, vëmendjen e lexuesit po t’i zgjatësh emrin. Beni është emër popullor. Pyes veten: Ku ka qenë deri dje ky farë sokoli që i zbërthen dhe kopsën e fundit politikës shqiptare? Ndoshta në fshat me punët e korrje-shirjeve? Ndoshta nuk mban më ison e këngës së dikurshme, por mësoi ta këndojë vetë? Eh, more Arben! S’di pse, aktori Pandi Raidhi më ngjau një ditë me Fatos Nanon. Po, po, me Fatos Nanon, që e bëri Benin ministër të Pushtetit Lokal dikur. Dinte apo s’dinte Beni të ngarkonte gomarin e pushtetit, s’është faji i tij.
Sigurisht, tani Beni është rritur. Është rritur dhe është bërë një xhentëllmen i vërtetë Elbasani. Pa brekë të shkurtra. S’ka frikë, asnjë lloj frike nga kafshët e dikurshme të pyllit. E ka bërë gjuhën shpatë, shpatë që do t’ia kishte zili edhe Skënderbeu kundër turqve. Beni shpreh atë që ndjen, Beni nuk qëndron dot i heshtur përballë padrejtësive! Ju do të pyesni:- Po sikur Edvini ta kishte bërë Benin ministër gjëkundi, do të ulërinte prapë kështu? Epo kjo është punë tjetër! Për atë mund ta pyesim pak kujdesshëm vetë Benin. Kujdesshëm, sepse Beni nuk duron dot ngjyrimin emocional, ngaqë është edhe romancier.
Arbeni që ecën vetë do të krijojë një parti. Qoftë edhe me gjashtë partiakë, ama do ta krijojë. Ja edhe unë shtatë! Ja edhe ndonjë si puna ime, dhjetë. E çë, pastaj? A di ta ngarkojë sot Beni gomarin me duaj gruri? Do të mësohet! Ç’nuk bën nevoja e shkretë, kur njeriu e sheh veten ngushtë! Pa le, kur e ndjen veten jashtë aristokracisë së pushtetit.
Fejton i nënshkruar,
Vali LUARASI