Sfida e madhe Juventus–Bajern në Ligën e Kampionëve do të luhet më 23 shkurt në Torino, por media italiane ka menduar ta “servirë” më shpejt duelin e shumëpritur.
Nga konferenca e fundit e trajnerit të Bajernit, Pep Guardiola, një sajt napoletan ka shkëputur një deklaratë të 44-vjeçarit, ku provokon Juventusin e Masimiliano Alegrit.
“Juventusi? I fortë dhe nënkampion i Evropës, e dimë. Këtë e tregon seria e fitoreve të këtij sezoni, por … gabohem unë, apo është ende i dyti në Serie A?
Kjo do të thotë diçka. E sigurt që ata të cilët janë sipër Juventusit po bëjnë më mirë dhe nuk e kuptoj pse nuk flitet për ta.” Pikërisht këto fjali kanë krijuar një histori. Le ta rrëfejmë deri në fund!
Reagimi i Sarrit – I pyetur për vlerësimin nga Pep, tekniku i skuadrës napoletane, Mauricio Sarri, ka shprehur kënaqësinë e tij: “Më bëhet qejfi që Guardiola ka folur për ne. Është diçka e madhe.” Sarri ka buzëqeshur, krenar për punën dhe Napolin e tij, por pa e ditur se sa e vërtetë është e gjitha kjo.
Dyshimet – Në Itali, deklarata e trajnerit të Bajernit “mori dhenë” brenda dy ditësh, por në Gjermani askush nuk i ka “kapur” fjalitë e bujshme të katalanasit.
Hoze Karlos Menzel Lopez, korrespondent i spanjolles “AS” në Gjermani dhe redaktor i “TZ”-së, ka shpjeguar çështjen e krijuar. “Kam qenë i pranishëm në konferencën për shtyp të Guardiolës, por trajneri nuk ka folur për Juventusin dhe Napolin.
Pasi kam lexuar deklaratën e Sarrit, kam kërkuar edhe nga kolegët e tjerë për të kuptuar se ç’ka ndodhur. Por, asgjë …” – është shprehur ai. “Në Gjermani askush nuk di gjë për këto fjalë. Sarri, gjithsesi, do t’i meritonte elozhet për punën e tij të madhe”, – ka shtuar gazetari.
