Ish-themelues e kontribues në PD, që tashmë janë mënjanuar prej Berishës, vazhdojnë të ruajnë ndaj Berishës një lloj etike politike dhe të heshtin. Kjo i bën ata realisht të jenë jashtë loje në politikë. Unë e kuptoj se ata mendojnë se duke ruajtur etikën dhe duke mos vënë hapur gishtin tek plaga, i japin vetes iluzionin të jenë ish-pjesa qytetare e PD-së.
Në të vërtetë Berisha funksionon në mënyrë shumë të qartë. Për aq kohë sa këta do të përpiqen të jenë brenda etikës së mosprekjes së Berishës, por dhe jo shumë aktivë, ai nuk do të merret me ta. Në momentin që këta do të bëhen aktivë, ai do ta ndajë vetë historinë, duke i sulmuar dhe duke i bërë palë në konfliktin politik. Për këtë arsye mendoj se kompleksi i ruajtjes së etikës politike me Berishën duhet të tejkalohet nëse do të duan të konkurrojnë Berishën.
Partia Demokratike është tashmë thjesht një sh.p.k e Sali Berishës. Pra, është një parti që edhe formalisht ka vetëm kryetarë dhe anëtarë. Nuk ka nënkryetar, nuk ka kryesi, nuk ka sekretarë, nuk ka forume. Ajo parti nuk konkurrohet më për arsyen e thjeshtë se aty s’ka garë dhe s’ke me kë konkurron. Berisha konkurrohet vetëm në një mënyrë, duke i kërcënuar pushtetin ekzekutiv, i cili e ka bërë arrogant dhe të pacipë në raport dhe me partinë e tij.
Asnjë iluzion nuk duhet pasur që të ruhet etika me Berishën. Nëse Bamir Topi e ruante dikur këtë etikë për shkak të pozicionit të tij si president, nuk ka më arsye ta bëjë. As të tjerët që janë të djathtët realë të këtij vendi. Ajo parti nuk edukohet më. Aq më pak duke u ankuar për Sali Berishën. Ajo parti edukohet duke e shpëtuar prej Sali Berishës.
Në sfond janë zgjedhjet parlamentare. Energjitë opozitare me Berishën në të djathtën shqiptare duhet të bëhen funksionale, dhe e vetmja mënyrë është që të jenë një frymë e qartë kundër Berishës për të bllokuar riciklimin e tij në pushtet. Ashtu si në Shqipëri nuk ka demokraci funksionale për shkak të imponimit të pushtetit mbi institucionet, ashtu nuk do të ketë as politikë funksionale në të djathtën shqiptare, nëse nuk formohet profili i një lidershipi të qartë pro-perëndimor dhe konkurrues me Berishën.
2 Comments

Me falni po pse kjo vlen vetem per Berishen? A nuk eshte dhe PS tashme sh.p.k e Rames? Te gjithe kritiket e tij i ka larguar ose i ka hedhur ne cep, partine e ka mbush me Tahira e Velira qe i ka katapultuar ai ne politike. Dhe ne fund fare ka ne dore asin e madh te kodit elektoral, listen e deputeteve. Kush nuk i bindet atij nuk futet e ne liste e ne vend te tij merret dikush nga rruga.
Sepse Berisha te vret. Ai qe i nderrron tyten armes vrastare nuk e ka per gje qe ti vere tyten ne koke presidentit dhe prokurorit. Ketij i thone puc afrikan?