A është 4 me 2 rezultati i 23 qershorit në Dibër?

editor

Që nëkrye të herës dua të nënvizoj që për zotin Lorenc Vangjeli ndonëse nuk kam njohje personale për shumë arsye kam krijuar respekt  nga media. Mes arsyeve zë vend dhe fakti që  sa u takon shifrave,  është “ skrupuloz”. Një gjë të tillë “ gjuhën e shifrave “ dhe vetë e kam shumë qejf . Një material pa shifra se pse më duket si përshesh pa qumësht apo pa kos.

Në shkrimin e datës 08 prill 2013 në DITA “Shifrat e një aleance , garancia për rotacion”ndër të tjera në parashikimet për rezultatet zgjedhore të 23 qershorit  2013 zoti Vangjeli  lë në vendnumëro qarqet e Kukësit dhe Dibrës , me të njëjtin numër deputetësh sa në 2009 – ën 3 me 1 për PD-në në Kukës dhe 4 me 2 po për PD-në në Dibër dhe kjo bazuar mbi rezultatet e vitit 2009. Mundësinë e marrjes së një tjetër deputeti në Dibër ( pra barazimin 3 me 3 ) e quan “mision gati i pamundur”.

Po çfarë do të kundërshtoja telegrafisht sa sipër.

Shumëkush e di faktin që një deputet më shumë të kishte marrë e majta në Dibër dhe një tjetër në Kukës gjërat nuk do të kishin shkuar kështu siç nisën në 2009 për të bitisur në 2013. Qeverisja do të kishte kah tjetër.

Sa u takon numrave mendoj se duhen pasur parasysh disa  gjëra :

Së pari në vitin 2009 në Dibër kandidoi dhe zonja Monika Kryemadhi , e cila ndonëse midis dy “zjarresh “ ( djathtas dhe majtas ) me një fushatë intensive personale artriti të marrë 3989 vota , të cilat nuk u numëruan as në koalicionin e majtë as në të djathtin , por “ shkuan në përrua “ siç thuhet këtyre anëve.

Së dyti , në Dibër ka ndërtuar shtratin , ndër të tjera dhe FRD dhe ,siç duket ashiqare qoftë dhe nga strukturat apo anëtarësia e kësaj force politike  , në atë shtrat përroi elektoral,  që do të rrjedhë ,do të jetë nga PD.

Së treti , fushata e 2009 nga vetë opozita nuk qe në nivelin më të mirë të mundshëm ,pasi  drejtues të saj,  në ngarendjen për të fituar gjithçka,  bënë dhe “ harakiri” me thirrjet” mos votoni për partitë e koalicionit se duan pushtet.”

Së katërti , nga viti 2009 ka rrjedhur shumë ujë. PD- ja ka premtuar çfarë i ka zënë goja e çfarë i ka ardhur në mendje fluturimthi në fushatë e asgjë nuk ka realizuar. Premtoi “ Rrugën e Arbërit” e ajo ka mbetur aty ku ishte për të mos thënë më keq. Premtoi ujë 24 orë e në fakt ka prodhuar vetëm ujësjellësa fantazmë për të cilët lekët janë marrë e ujë e ujësjellës nuk ka as për inventar. Premtoi rritje punësimi e punësimi ka shënuar vetëm rënie drastike e çdo ditë po shtohen listat e ndihmës ekonomike . Premtoi rritje të ndihmës ekonomike e paaftësisë  ndërsa  ajo bie çdo muaj në pikiadë e në asnjë rast hallexhinjtë nuk kanë marrë  të plotë as vlerën qesharake përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave . Premtoi të rregullonte minierat në Bulqizë e Mat dhe në katër vjet  galeritë i ktheu në arkivole .  I tha qytetarit “ti je i pari”, por siç duken bathët “i pari është dollari”. Tha e ç’nuk tha , por “me të thënë e me të bërë ka në mes një mal të tërë”. Premtoi e ç’nuk premtoi po ku janë ata që realizoi?!

Ndërsa është aksiomë fakti që pushteti të konsumon , kjo qeverisje  pakice,  që dhe për pak ditë e kemi mbi kokë padrejtësisht , jo vetëm është konsumuar , por është vetëgrirë me ato që nuk ka bërë , por dhe me ato që ka bërë. Parimi i saj “ një për shtetin e nëntë për xhepin” mendoj se do të marrë ndëshkimin e merituar më 23 qershor.

Mund të shtoja dhe shumë argumente të tjerë të korrupsionit e keqqeverisjes në të gjitha nivelet  për të rrëzuar “ rezultatin” e parashikuar , por t’i rrimë asaj që thamë më lart , fjalës          “telegrafisht”.

 

Share This Article
2 Comments
  • Ke harruar dhe ate faktin tjeter, te dhenies se ndihmes ekonomike vetem per vote dhe qe u nderpre menjehere, mbas “fitores”, per rreth 2 a 3 mije familje, nuk me kujtohet egzakt, sepse nuk jam prej asaj zone,por me kujtohet si rast i kapur nga “vete” qeveria si shkelje…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *