A është e lidhur Syriza me radikalët e Rusisë?!

Dita

Vëzhguesit e zhvillimeve në Evropë e kanë kuptuar menjëherë se Qeveria e re e Greqisë, e udhëhequr nga partia e majtë, Syriza, mund të thyejë solidaritetin e brishtë të Bashkimit Evropian në ndëshkimin e agresionit rus në Ukrainë.

Email-et që kanë rrjedhur së fundi, kanë zbuluar disa lidhje të gjata të Syrizas me ideologun e Lëvizjes Euroaziatike, Aleksandr Dugin, i cili ka lidhje me Kremlinin, si dhe me oligarkun rus, Konstantin Malofeyev, i cili besohet se ka financuar pjesën më të madhe të lëvizjes separatiste në Ukrainë.

Lëvizja Euroazatike e sheh Rusinë më afër me Azinë se me Perëndimin dhe pretendohet se për synim ka rikthimin e Bashkimit Sovjetik.

Anton Shekhovtsov, studiues i politikave të ekstremit të djathtë në Evropë, thotë se simpatia për Rusinë e Syrizas dhe e partnerit të saj të koalicionit, Partisë së Grekëve të Pavarur, shkon përtej normës për Greqinë. “Ndjenja pro-ruse është mjaft e përhapur në përgjithësi në Greqi. Por, te këto dy parti, politika e jashtme është haptazi pro-ruse. Fakti se kontaktet e para të kryeministrit të ri, Alexis Tsipras, kanë qenë me ambasadorin e Rusisë në Greqi, tregon se ata, me gjasë, do të bëjnë përpjekje që të krijojnë një bashkëpunim më të rëndësishëm me Rusinë”, thotë Shekhovtsov.

Në dhjetor të vitit 2014, një grup i hakerëve rusë, i quajtur Shaltai Boltai, ka publikuar disa email-e të marra nga Georgy Gavrish, mik i afërt me Duginin dhe zyrtar në Lëvizjen euroaziatike të Duginit. Shumë nga email-et lidhen me përpjekjet e Duginit dhe Malofeyev për të krijuar një rreth të politikanëve dhe intelektualëve evropianë, të dashur me Rusinë.

Dhjetëra email-e kanë zbuluar bisedat midis Gavrishit dhe njerëzve brenda Syrizas, thotë Christo Grozev, specialist në çështjet e informimit në Evropën lindore.

Mesazhet tregojnë “bashkëpunim shumë të ngushtë për strategji”, thotë Grozev. Ai thotë se këshilltarët e Syrizas kanë dërguar “memorandume strategjike” për qëndrimet dhe politikat e partisë te Dugin dhe Gavrish, për të marrë komentet dhe sugjerimet e tyre.

Gavrish ka jetuar në Greqi për disa vjet, deri më 2013.

“Gjatë atyre pesë vjetëve, ai (Georgy Gavrish) ka shërbyer, me sa duket, si delegat për Duginin për të gjetur politikanë dhe figura publike në Greqi, që do të angazhohen në ideologjinë e Duginit”, thotë Grozev.

Një nga njerëzit e përfshirë në shkëmbime është Nicolas Laos, intelektual grek dhe këshilltar i Syrizas, që ka lidhje biznesore me Rusinë. Ai është partner i kompanisë ruse të sigurisë, R-Tekhno.

Në një nga emailet që kanë rrjedhur, Laos i ka shkruar Duginit: “E di shumë mirë se si funksionon armiku dhe, nën patronazhin tuaj, unë mund të sulmoj në mënyrë efektive dhe të rëndë”.

Një mesazh me sa duket i referohet Panos Kammenos, kreut të Partisë së Grekëve të Pavarur dhe tani ministër i Mbrojtjes i Greqisë. Në mesazhin e 25 tetorit, 2014, të shkruar nga blogeri me ndikim, Dimitris Konstantakopoulos, i cili me sa duket ishte duke bërë konsultime për strategjinë e Syrizas, flitet për Institutin e Studimeve Gjeopolitike, me seli në Athinë, të cilin Kammenos e ka themeluar me mikun e tij, profesorin e Universitetit të Trakës, Filippos Tsalidis.

“Panos është shfaqur pothuajse një muaj më herët, plot entuziazëm, duke kërkuar bashkëpunim të rregullt. Më pastaj, ka shkuar në Moskë për arsye personale – siç na ka thënë, për martesën e një miku – dhe më pas është zhdukur nga faqja e Tokës në njëfarë mënyrë mbresëlënëse. Jam shumë kurioz të di se çfarë arsyesh do të japë për zhdukjen”, thuhet në mesazh.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *