Refuzimin që Komisioni Parlamentar i Ekonomisë i bëri kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë për shtesë fondi në blerjen e uniformave për Policinë e Burgjeve dhe për pagesën e faturave të energjisë e ujit për disa burgje të reja, njëkohësisht duke i dhënë përparësi Policisë së Shtetit e Gardës në rritje page e shpërblim për fundvit, tregon se diskriminimi ndaj këtij shërbimi është i njëjti që prej vitit 2005. Të dalësh në fushatën e 2013-ës me moton “Një shtet, një polici!” e të sillesh ndryshe me Policinë e Burgjeve tani në 2015-ën, tregon vetëm tallje e indiferencë institucionale ndaj mijëra punonjësve në këtë shërbim.
Mungesa e uniformave prej vitit 2007 e këtej, kërkesa e llogarisë e ligjit për të qenë i pajisur me veshje të rregullt shërbimi, ka detyruar punonjësit e Policisë së Burgjeve që me një rrogë mujore çdo vit ta blejnë atë në tregun e lirë. Pra, shteti është zhveshur nga detyrimet e tij dhe ia ka ngarkuar punonjësit! Çdo polici në burgje i kushton 30.000 lekë në vit uniforma. Transporti për në vendin e punës në lekë/km i kushton mesatarisht çdo 22 ditë/muaj rreth 10.000 lekë/personi. Shteti ia ka hequr të drejtën e transportit për në vendin e punës që prej vitit të largët 2005.
Trajtimi ushqimor me një vakt në 8 orë shërbimi me vlerë 270 lekë/personi për çdo ditë pune ose 5940 lekë në muaj, mungon që prej vitit 2006 e këtej. Shteti shpenzon miliona euro në vit për tenderë ushqimesh e detergjentësh për të dënuarit dhe anashkalon urinë e sakrificën e punonjësit të policisë në shërbim. Pagesa e orëve mbi kohën normale të punës për Policinë e Burgjeve, nuk kryhet sipas ligjit e Kodit të Punës. Me ligj detyrimi është 22 ditë punë e 8 ditë pushime, si në administratën shtetërore, por realiteti tregon që punonjësi i policisë kryen shërbim deri në 26 ditë në muaj e paguhet vetëm për 22 ditë shërbim sipas ligjit “Për Policinë e Burgjeve” nr. 10032, i ndryshuar me ligjin 36/2014. Ditët që nuk paguhen shkojnë në interes të shtetit e në dëm të Policisë së Burgjeve. Lejet vjetore që nuk kryhen brenda vitit buxhetor, për arsye gatishmërie e shërbimi, nuk paguhen nga shteti dhe as nuk kompensohen në vitin pasardhës.
Komisioni i Ekonomisë refuzon që të shtojë fondin për veshje e uniforma në Policinë e Burgjeve, sipas tyre punonjësit të shkojnë me xhinse në shërbim ose të heqin nga ushqimi i familjes 30.000 lekë çdo vit. Qeveria llaston me fonde e tenderë për uniforma, mjete të reja e logjistikë bashkëkohore për Policinë e Shtetit, ndërsa Policia e Burgjeve ndez me të shtyrë çdo ditë mjetet e saj të shkatërruara nga mungesa e fondeve e mirëmbajtjes.
Këto pra janë problemet që e detyrojnë Policinë e Burgjeve të dalë së shpejti në protesta e tubime para institucioneve shtetërore për të kërkuar përmirësim rrënjësor të kushteve social-ekonomike dhe njehsim në kushte e përfitim me Policinë e Shtetit siç e përcakton ligji nr. 36/2014, neni 3, pika 4. Jemi të motivuar që me çdo mënyrë e rrugë ligjore të marrim vëmendjen e shtetit në përmirësimin e kushteve social-ekonomike në Policinë e Burgjeve.
Valentin Macaj
Kryetar sindikate në Shërbimet Policore të Shqipërisë
