Disa herë kam dhënë në shtyp mendime për probleme të veçanta të reformës së shëndetësi. Këtë e kam bërë sepse shëndeti i njerëzve ka qenë gjithnjë prioriteti im dhe se fati më ka detyruar të njoh e të provoj në veten time, sisteme të ndryshme të organizimit të kujdesit shëndetësor.
Disa nga lajmet e ditëve të fundit për këtë subjekt:
a-Ministri i Shëndetësisë njoftoi se në muajin Mars do të fillojë zbatimi i sistemit të kujdesit shëndetësor nga kompanitë e inshurancave.
b-Zoti Edi Rama, prezantoi programin e P.S për shëndetësinë ku theksoi: Duhet ngritur shërbimi kombëtar shëndetësor, domethënë shërbimin ta blejë shteti dhe jo qytetari. Shteti të ofrojë shërbimin shëndetësor për qytetarët e tij në mënyrë të ndershme e të drejtë
c-Programit të P.S., menjëherë, i u kundërvu Z. Tritan Shehu, i cili në gazetën “Panorama”, midis të tjerash, shkruan: Kërkon (E. R) jo vetëm të eliminojë edhe ligjin e ri të sigurimeve, që akoma nuk ka hyrë në fuqi dhe që realisht është një ligj që shtyn në drejtimin e duhur, por dhe tërë sistemin tonë të sigurimeve. Ai kërkon të zhdukë çdo formë kontributesh direkte, që dhe ashtu të ulëta siç janë sot, kanë luajtur një rol pozitiv në konsolidimin, financimin, autonominë dhe decentralizimin e sistemit tonë shëndetësor.
Për mendimin tim sistemi shëndetësor i inshurancave nuk është më i miri dhe reforma në shëndetësi që po përgatitet nuk ndihmon as të sëmurët, as ata që u shërbejnë të sëmurëve. Të drejtën për kujdes shëndetësor duhet ta kenë të gjithë njerëzit, pa asnjë dallim, që nga lindja deri në vdekje. Ky kujdes duhet të jetë detyrim i buxhetit të shtetit, që krijohet nga taksat e qytetarëve, kryesisht, shtresave të pasura. Të pasurit janë të detyruar të kujdesen për shëndetin dhe arsimimin e punëtorëve e fshatarëve, sepse vetëm kështu ata do të mbajnë në gjendje pune dhe të kualifikuar, ushtrinë e atyre që ua shtojnë pasurinë. Pa punën e tyre nuk ka pasuri.
Retorikat politike “Shëndetësi socialiste” e “shëndetësi kapitaliste”, janë pa vlerë. Çdo shoqëri, socialiste apo kapitaliste qoftë ajo, duhet të ketë vetëm një qëllim: Të kujdeset që t’u shërbejë më mirë, në mënyrë të barabartë dhe gjithëpërfshirëse qytetarëve të saj.
Vende të ndryshme, në vartësi të territoreve, të gjendjes financiare të qytetarëve dhe për arsye social-kulturore, adoptojnë sisteme të ndryshme shëndetësore. Kështu Amerika dhe disa shtete Europiane kanë vendosur sistemin e kujdesit shëndetësor të inshurancave, ku qytetarët e blejnë shërbimin shëndetësor, ndërsa Suedia dhe vende të tjera kudo në Europe dhe në botë kanë adaptuar sistemin e kujdesit shëndetësor falas dhe të barabartë e pa diferencime për të gjithë qytetarët. Në këto vende shërbimi i kujdesit shëndetësor organizohet dhe financohet nga buxheti i shtetit. Suedia, Kanadaja dhe shumë vende të tjera që kanë adaptuar sistemin shëndetësor të lirë për të gjithë qytetarët, nuk janë vende socialiste. Këtu është vendi të theksojmë se rezultatet e shërbimit të kujdesit shëndetësor në Suedi, janë shumë më positive nga vendet ku ky shërbim është në duar të inshurancave. (kjo është objekt i një shkrimi tjetër). Kjo është e kuptueshme, po të shikojmë si pasurohen kompanitë e inshurancave. Ato rrëmbejnë pjesën e luanit, nga paratë që shoqëria ka caktuar për të shkuar tek të sëmurët. Nga këto para do të jepen rrogat e majme të ushtrisë së nëpunësve të tyre nepotikë, do të sigurohen fitimet e kompanive të inshurancave, do të paguhen rrogat e punonjësve të shëndetësisë dhe çfarë të mbetet do të shkojë për ilaçe, ambiente spitalore më të mira, aparatura, autoambulanca e të tjera, që janë të domosdoshme për të sëmurët. Lind pyetja, cili drejtues inshurance, apo bord spitali do lejë veten dhe shokët e tij pa rroga, e t’i çojë paratë tek të sëmurët? Askush. Të gjithë, madje, do të nxitojnë më së pari të rritin rrogat e shpërblimet për veten.
Shërbimi për kujdesin shëndetësor është i shtrenjtë dhe ai nuk arrihet dot nga të gjithë, veçanërisht nga shqiptarët e varfër, që sot u duhet të paguajnë për shëndetësinë 60% të kostos së shërbimit (Sipas programit të P.S). Unë nuk i di tarifat e mjekimit në Shqipëri, sepse ato asnjëherë nuk janë publikuar, por do sjell disa çmime nga Amerika: Mesatarisht, trajtimi i një tumori në tru koston 200.000 $, trajtimi i një goditje në tru koston 140.000 $. Leucemia koston 600.000 $. Po qe se çmimet janë afërsisht të njëjta me këto edhe në Shqipëri, kush nga të sëmurët me leucemi në Shqipëri do të ishte i aftë të paguante rreth 400.000 dollarë për mjekim edhe kur do të ishte i siguruar. Po 100.000 dollarë kush do t’i paguante për t’u mjekuar nga një tumor në tru, e kështu me radhë.
Çdo qytetar amerikan e ndjen në veten e tij krizën e shëndetësisë së sigurimeve. Sistemi i kujdesit shëndetësor është bërë një çështje e nxehtë për politikën Amerikane. Pirgu gjithnjë në rritje i faturave për kujdesin shëndetësor, që rëndojnë mbi qytetarët amerikanë, (nesër do rëndojnë edhe për qytetarët shqiptarë) janë bërë shkaku numër një, i falimentimit të bizneseve në Sh. B. A.
Tani që shkruaj këto rreshta pashë edhe njëherë filmin e regjisorit amerikan Michael Moore, fituesin e çmimit Oscar. Ky dokumentar përqendrohet, tërësisht, tek industria e shëndetit. Filmi quhet Sicko dhe u shfaq për herë të parë në Qershor të vitit 2007. Filmi krahason sistemin shëndetësor amerikan me atë të vendeve ku shërbimi mjekësor është universal. Ai hedh dritë mbi vështirësitë që hasin pacientët amerikanë nga shërbimi shëndetësor që mbulohet nga inshurancat.
Pas shfaqjes së filmit, ishin me mijëra ata që i shkruanin Moorit. Ata tregonin historitë e tyre shëndetësore. Ja disa nga këto histori të vërteta:
-“Pasi pashë Sicko unë qava me orë të tëra, pastaj u tërbova nga zemërimi”, shkruante një shikuese e quajtur Teri.
-“Ndërkohë që kërkoja shërbimin shëndetësor të përshtatshëm për vajzën, ajo më vdiq. Pse nuk mblidhemi të gjithë bashkë për ta ndryshuar këtë sistem? Ku është zemra kolektive Amerikane?”, shkruante një tjetër.
-“Edhe pse kemi inshurancë, unë nuk e marr dot mjekimin për rheumatoid arthritis” shkruante Kathy.
-“Unë kam dy djem në ushtri. Më vjen turp që djemtë e mi po vdesin për këtë vend dhe po ky vend, nuk i ofron dot shërbim shëndetësor nënës së tyre”, shkruante një tjetër.
-Winfri Oprah, personaliteti i shquar televiziv në Amerikë, pasi pa filmin tha: “Filmi ndryshoi mënyrën si unë e shikoja çështjet e shëndetësisë në Amerikë. Është një eksperiencë, mendoj unë, që u hap sytë Amerikanëve….” dhe Oprah vazhdon: “Dakord, unë e marr shërbimin. Familja ime e merr shërbimin dhe ne jemi në rregull sepse kemi para, por çfarë bëhet me të tjerët”
Në garën presidenciale të vitit 2008 dhe 2012, kriza në shëndetësi zuri vend qendror. Një moment shumë i rëndësishëm ndodhi gjatë Debatit Presidencial, në Konventën Demokrate në Illinois, në Gusht të vitit 2007. Punonjësi shumë vjeçar i çelikut, tani në pension, Steve Skvara, bëri disa pyetje shumë të rëndësishme:
“Pas 34 vjetëve pune në LTV Steel, unë u detyrova të dal në pension për arsye paaftësie. Dy vjet më vonë LTV falimentoi. Unë humba një të tretën e pensionit dhe familja humbi sigurimin shëndetësor”, dhe ai vazhdoi: “Çdo ditë të jetës, unë qëndroj në tavolinën e kuzhinës përballë gruas time, që ia kushtoi 36 vjet të jetës së saj familjes dhe unë nuk jam në gjendje të paguaj për shëndetin e saj. Çfarë nuk është mirë me Amerikën? Çfarë do të bëni që ta ndryshoni këtë gjëndje?”.
“Kur Steve bëri këto pyetje, çdo njeri që ishte në stadium u ngrit në këmbë dhe e përshëndeti. Ata nuk duartrokitën vetëm Stevin që pati kurajën të thotë ato që tha, por ata u ngritën në këmbë për veten e tyre dhe për gjithë ata miliona të tjerë që përfaqësonin në atë konventë. Me ngritjen në këmbë, ata deshën të thoshin se kjo ishte edhe historia e tyre”, thotë Michael Moor në Sicko.
Dëgjoni edhe disa histori të tjera që janë të përditshme në shëndetësinë amerikane:
Stewarti, një djalë 25 vjeçar punëtor në industrinë e gazit dhe vajit, ishte i siguruar për shëndetin. Ai ishte diagnostikuar me leuçemi në vitin 2006. Doktorët i thanë se shansi i tij më i mirë për të jetuar ishte transplanti i palcës së kockës. Vëllai ishte një kandidat perfekt dhe i gatshëm për t’i dhuruar palcën. Steëati u përgatit ta kryente trajtimin. Vetëm pak javë përpara procedurës, siç thotë vetë Stewardi, ai mori një telefonatë nga spitali. Ata i thoshin se ai duhet të çojë në spital 250.000 $ cash, sepse inshuranca e tij shëndetësore mbulonte vetëm 150.000$. Stewarti u detyrua ta vononte transplantin dhe kanceri u rikthye. Tani ai është i verbuar nga sytë.
Michele dhe Gary, dy të sapomartuar mendonin se e kishin gjithë jetën përpara. Por me hidhërim, jeta e tyre mori një kthim drastik. Michela u sëmur me scleroderma, një sëmundje kronike autoimune që shkakton dëmtime të mëdha në lëkurë dhe organet e brendshme. Vetëm katër muaj pas martesës, sëmundja atakoi mushkëritë dhe ajo, thuajse, e humbi jetën e saj. Tani, ajo është 24 orë në ditë nën oksigjen dhe nuk del dot nga shtëpia.
Sipas doktorit të Michelës, transplanti me stem-cell, është shansi i saj më i mirë, për të rifituar aftësinë të marrë frymë vetë. Por kjo nuk bëhet sepse kompania e saj e insurancës e refuzon kërkesën për këtë mjekim. Liza telefonoi kompaninë dhe ata insistuan në pozicionin e tyre: Stem-cells është mjekim i pa aprovuar nga insuranca për sklerodermën.
Nuk ka rëndësi pse doktori i Michelës insiston që transplanti me stem-cell i ka ndihmuar patientët me sklerodermia të përfitojnë për vite të tëra, kompanitë e insurancës nuk duan t’ia dinë për këtë. Dy të rinjtë, Michela dhe Gary, vazhdojnë të kursejnë në kulm, me shpresën që të arrijnë shumën prej 160.000$, që duhen për transplantin.
A nuk vlejnë këto shembuj që gjithkush të bëjë pyetjen: Pse ju zotërinj të qeverisë përpiqeni ta ndërroni sistemin e kujdesit për shëndetin nga sistem universal falas për të gjithë, në një të tillë diskriminues, që vështirëson dhe rrezikon jetën tonë? Pse ju zotërinj të mediave nuk organizoni diskutime, për këtë problem që është jetik për gjithë shqiptarët?
Pas këtyre që thashë, unë dhe bashkë me mua gjithë qytetarët e tjerë, duam të dëgjojmë prej kompetentëve përgjigjet për pyetjet :
- A është shërbimi shëndetësor një e drejtë apo luks ?
- A besoni ju se fëmija e një fshesareje të Bashkisë dhe fëmija e një bankieri, meritojnë të njëjtin shërbim shëndetësor?
- Cili është mendimi juaj për filmin Sicko dhe për pyetjet që bëhen në atë film?
- A besoni ju se gjithkush në këtë vend duhet të ketë akses të barabartë për kujdes shëndetësor?
- A mendoni se sistemi shëndetësor i inshurancave nuk është më i miri dhe nuk kënaq masat e gjëra punonjëse?
- Çfarë jeni gati të sakrifikoni personalisht, që shërbimi shëndetësor të bëhet më i miri për gjithë qytetarët e Shqipërisë?
Le te tërheqin vëmendjen e shoqërisë ata që janë viktimat e palumtura të varfërisë dhe të sëmundjes. A do të kishte bamirësi më të madhe, sa të ndihmosh një të varfër dhe familjen e tij, që vuan mizerjen e komplikuar të sëmundjes dhe të mjerimit. Përfytyroni agoninë e një prindi që, ndërsa vuan nga një sëmundje e dhimbshme, shikon pasardhësit e pashpresë që i sillen rreth shtratit dhe kërkojnë më të domosdoshmet e natyrës, bukën e gojës. Përfytyroni dëshpërimin e një gruaje të dashuruar dhe të një nëne zemër butë, që nuk është e aftë ta çlirojë dot nga dhimbjet dhe ankthi burrin e saj dhe t’u japë kafshatën e domosdoshme fëmijëve.
A do të jeni të aftë zotërinj, që edhe pas këtyre skenave, të vazhdoni të refuzoni ndihmën tuaj, duke ngulur këmbë në një sistem shëndetësor të pabarabartë. Këto skena janë vrastare për humanitetin, po ashtu duhet të jenë edhe për ju.
Të varfrit e vuajtur janë ata që e mbajnë shoqërinë. Është puna e tyre që u jep mundësi të pasurve te jetojnë mirë dhe në kamje. Nga duart e punëtorëve vijnë jo vetëm të domosdoshmet por edhe tepritë e jetës së të pasurve, ndërkohë, që lëmoshat e varfëra të cilat ata i fitojnë me djersën e ballit, nuk arrijnë për te siguruar ekzistencën. Sa fatkeqësi e madhe është sëmundja për një burrë, i cili duke humbur papritur forcat e tij për të punuar, menjëherë, i heq vetes dhe familjes fatkeqe edhe bukën e gojës.
*Për gazetën DITA nga New York, Shkurt 8, 2012 ([email protected] )
I nderuar dr Harxhi. njs presje ne shkrimin dhe cfare argumenton ti. Por nje gje po te kujtoj. Ligjin mbi shendetesine nuk e kane bere deputetet por ato qe ju i quani nsurancat pra kompanite e sigurimeve. De e dini qe kompanite e sigurimeve nuk jane ata qe reklamohen por jane aksionet e qeveritareve, deputeteve dhe ata bejne ligjin si duhet.
Shembull. Nje kompani sigurimesh afron paketa sigurimi ne spitalet private. Ok. mire eshte . Por llogaria eshte e thjeshte. Nese blej nje pakete sigurimi qe gjithsesi ajo afron vetem vizitat e thjeshta e analiza i bie qe nepermjet paketes sime te fitojne dy agjente. Kompania e sigurimit dhe Spitali. Une qe nuk kam te ardhra te paguaj njerin tani me ligjin e ri duhet te paguaj dy Spitalin dhe sigurimet. Atehere me mire po i le te dy e pranoj te vdes .