Qeveria e re u krijua dhe të gjithë po prisnim të dinim se kush do drejtonte institucionet bazë të këtij shteti “të rilindur”. Dhe kryeministri i ri pa vonuar fare (nuk them dot pa u konsultuar fare se nuk e di), caktoi një numer drejtuesish në drejtoritë më kryesore të këtij vendi. Midis tyre më terhoqën vëmendjen tre emra në moshë shumë të re. Aq të re (te të njëzetat) saqë kanë tërhequr po aq shumë edhe vëmendjen e medias dhe të publikut.
Pa marrë parasysh fare gjininë apo prejardhjen dhe pa dashur fare të paragjykoj asnjërin nga ta, nuk mund të rrija pa u kuriozuar të dija se cfarë aftësish dhe kapaciteti gjenial mund të kenë këta drejtorë kaq të rinj, që nuk i ka ndonjë Shqipëtar tjetër i mirëedukuar brënda apo jashtë kufinjve, për ti vendosur në poste kaq të rëndësishme drejtuese, në një vend si ky i yni që ka njëmijëenjë probleme. Dhe nuk kemi probleme pak të vogla e të thjeshta për tu zgjidhur, por probleme me aq peshë të madhe, saqë me eksperiencën e tyre edhe vet Kongresi Amerikan apo Këshilli Europës të vinte e ti merrte përsipër, zor se do i kishte zgjidhur dot pa djersitur mirë nja 4 vjet e kusur dhe pa i dhembur kockat nga pesha.
Kështu që menjëherë të shkon mendja të mendosh se këta drejtorë drejtorish kaq të rinj, përvec talentit, do kenë një ekperiencë pune të shkëlqyer dhe një Resume (CV) të mbushur plot me suksese. Por kur dëgjon se njëra drejtoreshë përmendet vetëm si përkthyese në kuvend, tjetra vetëm se ka qënë antare e Asamblesë Kombëtare të PS dhe tjetri vetëm se ka studiuar Inxhinieri Elektronike, atëhere mendova që këto emërime s’kanë të bëjnë fare me aftësitë e tyre profesionale, sepse të treja Resumet e tyre duket se përmbajnë vetëm një fjali me tre fjalë: “Antar besnik Partie”. Kaq. Por a mjafton vetëm kaq për të marrë pozicione të tilla drejtuese?
Jam dakort të pranoj se ashtu si cdo president apo kryeministër në botë edhe Rama do mbledhi rreth vetes njerëzit e tij më të mirë e më të aftë të partisë që e mbështet. Biles një udhëheqës me vizion dhe në kërkim të suksesit zgjedh ndonjëherë për të mirën e punës edhe më të mirin në fushë edhe pse ndoshta ky më i miri mund të mos ketë aderuar ndonjëherë në strukturat e partisë së tij. Por s’ja ka kërkuar njëri Ramës këtë, sepse e dimë shumë mirë që është herët akoma në Shqipëri për të marrë shembuj të tillë, edhe pse ish-kryeministri Nano bëri pikërisht këtë me Ramën dhe ndoshta është gjëja e vetme e mirë që ka bërë për këtë vend edhe pse jam i sigurtë që nuk e kishte menduar deri në këtë pikë. Por pa u hapur shumë, le të mbetemi tek vathi shqiptar i cudirave. Kaq e varfër për njërëz me eksperiencë e intelektualë të zot na qënka “Aleanca për Shqipërinë Europiane” saqë nuk paskan burime më të mira dhe njërëz më të pregatitur për të drejtuar me eficencë, përderisa u paska dashur ti hedhin sytë tek mosha njëzet vjecare? Këtë pyetje unë do ta bëja për këdo njëzet e kusur vjecar që do ishte në vend të tyre, sepse të jesh i interesuar për prosperitetin e vendit tënd është së pari një detyrë qytetare e cdo individi që e dashuron vendin e tij, dhe këtë pyetje mendoj se i pari duhet ta kishte bërë Kryeministri Rama përpara se të bënte emërime të tilla. Akoma më të nevojshme pastaj bëhen këto pyetje në një kohë që degjojmë të na thonë se “ky është shansi i fundit i mirë që keni”.
Une mbaj mënd veten time dhe moshatarët e mij kur ishim njëzeteca vjec dhe nuk di asnjërin prej nesh (as edhe disa të talentuar dhe me medalje ari) që të ishin në gjëndje të merrnin detyra shtetërore kaq madhore për ti mbajtur mbi supe. Se edhe shtëpinë tonë po të na e linin në manaxhim prindët, zor se do ja kishim dalë. Përkundrazi na thonin “kur të dalësh në jetë do mësosh më shumë nga eksperienca gjatë punës sesa ke mësuar nga shkolla”. Dhe mbaj mënd që ishte fat i madh për ata që i dërgonin të punonin pranë ndonjë “ustai” të zot nga profesioni. Koha tregoi që kishin të drejtë. Nga eksperienca personale dhe me sa kam parë e kam dëgjuar, ashtu si të gjitha qëniet frymore në këtë tokë (përfshi këtu edhe kafshët), më i zot dhe më i aftë është ai që ka më shumë eksperiencë.
E s’ka se si mos të duket e cuditshme dhe pak si e lehtë emërimi i këtyre drejtorëve kaq të rinj, kur vet kreu i ekzekutivit Rama, vetëm një ditë më parë në konferencën e bërë në Twitter na premton konkurse dhe zotësi në përzgjedhjen e jo vetëm drejtuesve, por edhe të administratës që do drejtohet nga këta drejtues. E them këtë sepse nuk e kuptoj dot cfarë nënkupton Rama kur përmend fjalët “konkurs”, “konkurim”, “zotësi”, “meritë” apo “aftësi”. Këto janë fjalë që të mbushin me shpresë, por në këtë rast, kur më shumë se kurrë është e domosdoshme ti gjesh njëriun e duhur punës dhe jo thjesht vetëm ti gjesh punë njëriut, më duket pak si kontradiktor ky lloj qëndrimi dhe kjo lloj përzgjedhje, sepse konkurimin unë e kuptoj kështu: Kam 10 kandidatura dhe zgjedh më të aftin, më të mirin dhe që ma bën punën më mirë se kandidatët e tjerë. Po a e kishte Rama një listë të tillë kandidatësh (sikur edhe në mëndjen e tij)? Po të na e kishte treguar, atëhere do ishte më i besueshëm në këtë përzgjedhje, sepse do e justifikonim të gjithë duke i dhënë të drejtë për këto emërime. Pra, kush ishin këta pesë apo dhjetë kandidatë të mundshëm në listën e Ramës nga e cila përzgjodhi 20-vjecarët pa eksperiencë? Sipas llogjikës së përzgjedhjes, i bie që të ketë qënë një listë e mbushur më 10 vjecarë, nga ku Rama i detyruar për të mos vendosur një femijë 10 vjec si drejtor dogane psh na ka përzgjedhur nja dy më të rritur që i kanë kaluar të njëzetat. Cfare vëndesh do japi me konkurs Rama atëhere, nqs drejtorët i vendos pa kriterin bazë të eksperiencës dhe të pjekjes në punë? A nuk do ishte edhe në nderin e cdo konkurenti fitues të kishte si kundershtar në konkurim konkurentë të fortë? Po edhe për ata që nuk do e merrnin atë pozicion pune, do ishte nder të humbnin para një konkurenti të tillë. Por të satët mund të dilnin në konkurim këta drejtora për postet që janë emëruar përkatësisht? S’ma merr mendja kurrë se do dilnin të parët, sepse experienca zero në ato poste flet vet. Po atëhere për cfarë vëndesh në administratë e ka fjalën Rama kur flet për zotësi dhe konkurse? Për pastrueset e spitaleve, apo për rojet tek dera e institucionit? – pa dashur ti nënvleftësoj edhe këto poste të denja për cdo njeri që punon, sepse edhe ketu duhet eksperiencë. Po cfarë konkurimi do jetë ai ku institucioni i cili përcakton kriteret e konkurimit drejtohet nga një njëri pa eksperiencë? A mos vallë një nga kriteret do jetë që konkuruesi duhet të ketë më pak eksperiencë se vet drejtuesi i institucionit? Sepse përndryshe, si do mundet një intelektual të drejtohet e të marri direktiva në punë nga drejtori kur intelektuali vet mund të ketë po aq vite eksperiencë në punë saç ka moshën vet drejtori. Kësaj i thonë – Hajde baba të tregoj arat! Ose përndryshe fituesi do vazhdojë të përzgjidhet akoma një i afërt ose një bythëlëpirës i rastit që për të mbajtur vëndin e punës do i thotë gjithmonë “lepe-peqe” drejtorit edhe në rastet kur drejtori vijon shtrembër. Edhe ndeshje futbolli të ishte kjo e shkreta qeverisje, prap si mund të fusësh ti në lojë një lojtar që s’ka prekur top me këmbë e ta vësh të drejtojë një ekip të tërë në një ndeshje finale, thjesht sepse është tifoz i thekur i ekipit? Po a nuk shkarkuam qeverinë paraardhëse ne vetëm sepse e mbushi administratën me tifozë të thekur?
Ndoshta dikush mund të thotë që u përzgjodhën si njërëz “të papërlyer”. Por edhe kjo nuk kapërdihet kollaj, sepse ofendon së pari ndonjë kandidat tjetër për ato pozicione dhe gjithashtu ata mijëra e mijëra intelektualë të zot e të ndershëm (të moshës mbi 30 vjec), të cilët kanë preferuar të punojnë me ndershmëri me një rrogë minimale simbolike ose që kanë qënë të papunë fare, vetëm sepse kanë refuzuar të preken nga llumi i përlyerjes, që në Shqipëri e gjen me shumicë ne cdo cep të cdo zyre e të cdo institucioni.
Si përfundim, duke qënë se për mua personalisht këto emërime mbajnë era shpërblim (partiak ose jo), i drejtohem Kryeministrit të vendit tim z.Rama mos përsërisë gabimet që kanë bërë paraardhësit e tij vetëm për faktin se ka një shumicë dërrmuese në parlament, sepse nga këto veprime përfiton vetëm dikush. Dhe ai dikush është pikërisht djalli me fytyrën e njeriut që e solli Shqipërine në këtë ferexhe nga e cila nuk e dimë akoma nëse do dalim apo jo dhe si do dalim po qe se dalim. Për atë dikush, cdo hap i pamatur mirë nga ana juaj z.Kryeministër është ushqim që e mban gjallë dhe i shton jetë. Në errësirën ku ndodhet, ky dikush, së bashku me laraskat dhe lakuriqët e natës që e rrethojnë, duket se lumturohen nga gabimet e qeverisë suaj dhe mezi presin dhe luten për dështimin. Dhe jo vetëm tuajin, por të gjithë atyre 1 milion shqiptarëve që ju besuan frenat e trenit që ju morët përsipër ta drejtoni.
Ndërsa unë duke ju uruar sukses do ju drejtoja një lutje të vetme. Mos ja ktheni Shqipërinë djallit, sepse nuk ka më kohë populli për të provuar alternativa të paprovuara dhe as kohë për eksperimente dhe kalitje në punë.

Zt Vasili , me pelqeu letra juaj .Me pelqeu sidomos kur tregonit per kte konferencat teknologjike qe kryeministri yne tashme 50 vjecar i perdor mjaft mire .
Ju keshilloj mos ti ndiqni dhe sidomos mos ti besoni .Jane “bar ideologjik” dhe aspak sherbejne per qartesim . Ju duhemi te coroditur dhe sa me injorant …ju duhemi keshtu dhe per shume vite
Te kthehemi te konkurset .Zt Rama ,ka ardhur aty ku eshte jo per merite ,as me konkurs dhe sidomos per aftesi .Keshtu ska si te vlersoje vertet te aftet ,eshte shume e thjeshte dhe pergjigjia .
Aftesia e tjetrit te bezdis sepse tregon paaftesine tende !
Zt Rama ,u mor nga Nanua sepse ishte djali i mikut te partise dhe keshtu do te jete .Bijte e partise do jene drejtora dhe kryeministra .Shume e thjeshte dhe kjo ,askush nuk do te donte te ishte genetikisht kaq bastard sa te gjithe kta rampolle injorant qe duan te rrine ne krye .
Eshte art te ngelesh idiot dhe i paafte gjithe jeten !
Prisni, duroni le te filojne njehere pastaj kurr te mos u flasi puna. athere beni kritika. Experienca eshte gjee mire por ne shqiperi te vjtetrit me experience jane provuar.Dhe shume prej tyre jane ustallare te korrupsionit dhe vjeddhjes.