Ambasadorja gjermane në Tiranë Karola Myler Holtkemper në një takim në Gjirokastër, ku u shpall “Qytetare Nderi”tha se “Shqipëria vazhdon që të jetë një vend, ku shteti ligjor nuk ekziston”. E thënë troç nga fuqia më e madhe politike dhe ekonomike e BE-së – Gjermania, kjo është arsyeja e vërtetë pse ne na është refuzuar tre herë radhazi statusi kandidat në BE. Ndryshe nga çfarë llomotit çdo orë, çdo ditë, natën e ditën Kryeministri Berisha dhe sejmenët e tij të mjerë se shkak për mosmarrjen e këtij statusi është mosvotimi i tre ligjeve nga opozita – vendet e BE-së më në fund e bënë të qartë se me këtë qeveri nuk do të ketë bisedime për statusin kandidat… po presin zgjedhjet e 23 qershorit dhe qeverinë e dalë prej tyre. Nuk do të ketë as progres raport në prill. Pra i vuri kufirin te thana qeverisë Berisha, siç thotë një fjalë e urtë popullore.
Dhe nuk kish si ndodhte ndyshe. Kjo qeveri e ky Kryeministër nuk kanë treguar as vullnetin më minimal për të vendosur shtetin ligjor, për të luftuar korrupsionin e për të vendosur drejtësi për qytetarët. Të gjitha institucionet e pavarura janë pushtuar. Nga një parti moniste, nepotiste, klanesh dhe e ndërtuar mbi interesa financiare, siç është PD-ja, nuk mund të presësh progres në zhvillimet demokratike.
A mund të bisedojë më BE me një qeveri që po bën të gjitha përpjekjet për të grabitur votat e shqiptarëve? Ndarja e mandateve si më 2009-ën, dublimet e shumta në lista, vendimet pa konsensus në KQZ, përdorimi i administratës shtetërore nga PD-ja për interesat dhe metingjet e saj, presioni ndaj saj për të votuar për PD-në, politizimi i shkollave, goditjet e policisë për interesa politike të PD-së ndaj opozitës dhe familjarëve të saj, vendosja e qëndrave të votimeve në mjedise private të militantëve të thekur të PD-së – dëshmojnë qartë dhe pa asnjë ekuivok se ajo po përgatit gjithë infrastrukturën zgjedhore për të ritentuar grabitjen e votave. E ndërkohë vendin po e pllakos kriza ekonomike, varfëria. Ritmet e zhvillimit ekonomik po ulen nga viti në vit, ushtria e të papunëve po rritet nga dita në ditë, me qindra biznese po falimentojnë, kreditë e këqija po rriten, borxhi po shënon rekorde të reja, investimet e huaja po bien, privatizimet strategjike po dështojnë, çmimet po rriten në mënyrë galopante. Vendi po shkon drejt anarkisë nga dita në ditë. Gjysma e shqiptarëve nuk paguajnë energjinë elektrike (rreth 300 milion euro humbasin çdo vit), taksat nuk mblidhen, fëmijët dhunohen, grabiten dhe vriten; vriten nënat, burimi i jetës, adoleshentët në grupe rrihen, përleshen e theren me njëri-tjetrin, çdo ditë ka vrasje për motive të dobëta dhe çështje të pronave, armët janë sheshit, kontrabanda gjallon pa asnjë problem. Shqiptarët ushqehen me produkte të rrezikshme për shëndetin e tyre. Minierat po mbyllen, minatorët vdesin dhe “nuk bëjnë më lajm” në thellësitë e galerive. Pronat e shqiptarëve po vidhen e grabiten ditën për diell. Nuk mjekohesh, por vdes; të hysh në punë duhen 5 mijë deri në 7 mijë euro për shefat. E askush nuk mban përgjegjësi për këto e askush nuk ndëshkohet e nuk dënohet.
Është e qartë që këtij Kryeministri e kësaj mazhorance nuk u intereson shteti ligjor. Sepse në një shtet ligjor nuk ka parti shtet, siç po ndodh tani me PD-në, nuk mund të vjedhësh e të bëhesh milioner brenda natës pa të hyrë gjemb në këmbë.
Këtij Kryeministri e kësaj mazhorance nuk i interesojnë rregullat dhe procedurat e qarta e të përcaktuara me ligj për punësimet në administratën shtetërore mbi bazën e meritokracisë, se kështu mbeten jashtë militantët partiakë, të paaftët e mediokrët, të afërmit e miqtë e pushtetarëve.
Këtij Kryeministri e kësaj mazhorance nuk i intereson që shqiptarët të jenë të barabartë para ligjit, se vetë ata e familjarët e tyre duhet të shkojnë të parët para drejtësisë për shpërdorimet, vjedhjet dhe grabitjet e fondeve publike.
Këtij Kryeministri dhe kësaj mazhorance nuk i intereson që mediat të jenë të lira, se strategjia e tyre elektorale është mashtrimi për të vazhduar të jenë me hir a pahir përsëri në pushtet.
Këtij Kryeministri e kësaj mazhorance nuk i interesojnë zgjedhjet e lira e të ndershme, se i humbasin ato.
Këtij Kryeministri e kësaj mazhorance nuk i intereson asnjëherë… kurrë… kurrë, bile edhe pas humbjes së zgjedhjeve të ketë shtet ligjor se vetëm kështu shpëtojnë nga vënia e tyre para drejtësisë për dëmet e mëdha që i kanë bërë këtij vendi në këto vite.
Në vitin 1997 qeveria e PD-së dhe e Berishës nga të huajt u quajt “Qeveri gangësterash”, sot po e quajne “Qeveri e dështuar në vendosjen e shtetit ligjor”. Ja pse është domosdoshmëri dhe shpëtim për shqiptarët ndryshimi i qeverisjes, më 23 qershor. Do të krijohen premisat për t’i dhënë fund kësaj anarkie.
1. Pedagog në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë
Shume artikuj,analiza mendime e hamendje jane shkruar prej 8 vjetesh me ardhjen ne krye te qeverise te DIKTATORIT Sali Berisha i armatosur me mesimet e RAMIZ ALISE dhe te KATOVICES e beri Shqiperine LESH e LI. Kjo eshte fatkeqesia e ketij populli dhe e ketij vendi.