Kur bëni një bilanc të jetës tuaj, cilat janë vitet kur jeni ndier më të lumtur?
Vitet e para pasi keni lënë adoleshencën apo koha e universitetit?
Mos ndoshta momenti kur nisët punën e parë me shumë pritshmëri për të ardhmen?
A lidhet lumturia me moshën?
A vjen ajo në një moment të caktuar të udhëtimit të jetës, pavarësisht trajektores specifike që kjo e fundit ka te çdo individ?
Këtyre pyetjeve u ka dhënë përgjigje një vëzhgim i kryer nga Qendra e Performancës Ekonomike në London School of Economics and Political Science.
Në funksion të studimit janë pyetur 23 mijë gjermanë të moshës 17-85 vjeç. Atyre u është kërkuar të tregojnë sa të kënaqur ishin në atë moment me jetën dhe si e parashikonin lumturinë në 5 vitet e ardhshme.
Të njëjtët njerëz u intervistuan sërish pas 5 vjetësh për të parë nëse pritshmëritë e tyre ishin përputhur me realitetin.
Studiuesit zbuluan se kurba e lumturisë kishte formën e U-së në periudhën 20-70 vjeç, ndërsa kulmi i gëzimit arrinte në moshën 23 dhe 69 vjeç.
Mosha 23-vjeçare është mosha kur ne jetojmë momente të bukura dhe jemi optimistë për të ardhmen.
Ndërsa në moshën 69 vjeç, stresin që shkakton e panjohura e kemi lënë pas dhe gëzojmë frutet e asaj që kemi bërë ndër vite, qoftë kjo në aspektin profesional apo në atë personal.
Interesant është fakti se studiuesit gjetën që të rinjtë (nën 20 vjeç) kanë tendencën ta mbivlerësojnë lumturinë që presin t’u vijë në të ardhmen dhe në intervistën e dytë (5 vjet më vonë) përgjithësisht shpreheshin të zhgënjyer, ndërsa të moshuarit (60 e sipër) shpreheshin të suprizuar për mirë nga trajektorja e jetës së tyre.
l.h/ dita
