A ia vlen të investosh në Ballkan?

Elton Tafaruci

Investimi në tregjet e maturuara, të tilla si vendet europiane, është bërë më i vështirë për shkak të shumë ndryshimeve strukturore. Rastësisht, vende të tilla si Serbia, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Bullgaria dhe Sllovenia kanë hapur dyert e tyre për bizneset e ndryshme të huaja.

Ballkani është shumë tërheqës për investitorët për shumë arsye. Njëra është situata politike dhe ekonomike që vlerësohet nga komuniteti botëror si mjaft e qëndrueshme. Gjithashtu, le të mos harrojmë për nivelin e përgjithshëm të çmimeve, i cili është ndër më të ulëtit në Europë. Përveç kësaj, Ballkani ka zhvilluar mirë infrastrukturën bankare, duke rezultuar që fitimet pas-tatimit të transferohen lehtë jashtë.

Për shembull, Bullgaria garanton një zbatim të qetë dhe mbrojtjen e investimeve, pa asnjë ndërhyrje nga shteti; Autoritetet malazeze, nga ana e tyre, janë duke përgatitur një draft të ashtuquajtur shtetësia ekonomike për investitorët potencialë, të gatshëm për të investuar në ekonominë e vendit.

Por, pavarësisht historisë së përbashkët politike dhe disa ngjashmërive kulturore dhe gjuhësore, secili prej shteteve të Ballkanit ka një karakter të veçantë, njohuri të cilat mund të jenë të dobishme për një investitor të huaj. Ku duhet të investojnë saktësisht?

Serbia

Mjedisi i biznesit: Pozicioni i Serbisë në rajon, kur është fjala për përfitime për tërheqjen e kapitalit të huaj, është përcaktuar nga disa faktorë, kryesisht pozicioni i saj qendror gjeografik. Shteti ka theksuar vazhdimisht nevojën për nxitjen e vazhdueshme të investimeve në sektorët me avantazhe krahasuese, d.m.th energjia, bujqësia dhe teknologjia e informacionit.

Në këtë drejtim, stimujt ekzistues financiarë dhe ulja e taksave për investime të reja, në mënyrë të veçantë për kompanitë e mëdha dhe projektet, janë me vlerë të rëndësishme. Vlen të përmendet, megjithatë, se sistemet ekonomike dhe ato bankare janë ende mjaft larg nga të qenët të përsosura dhe shanset e metodave joekonomike të ndikimit mbi investitorët (veçanërisht të zbatueshme për bizneset e vogla dhe të mesme) janë ende të larta.

Shembull: Toennies Holding ka qenë një nga investitorët më të mëdhenj në Serbi deri tani. Grupi i ushqimeve ndërkombëtare operon në të gjitha tregjet e rëndësishme të botës. Një prej markave të kompanisë, Tillman’s, është lider i tregut gjerman në shitjet e gatshme, mish i freskët i parapaketuar dhe gjithashtu ofron një gamë të plotë të produkteve me leverdi, të tilla si proshutë e zier, produktet e mishit të derrit dhe një përzgjedhje të salçiçeve. Investitori do të zhvillojë një total prej 20 biznesesh në mbarështimin dhe rritjen e derrave në Serbi. I tërë projekti është me vlerë 400 milionë euro.

Tennis Clemens, pronar dhe drejtor i Toennies Holding, thekson se, me anë të këtij investimi, fermerët serbë do të jenë në gjendje të paraqesin produktet e tyre në tregjet ndërkombëtare, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin e bujqësisë në Serbi. “Këto investime do të ndihmojnë për të rritur burimet për bagëti, prodhimin e mishit, eksportet e produkteve të mishit, si dhe rritjen e punësimit në anën tjetër”, ka thënë kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Bullgaria

Mjedisi i biznesit: Vendi e ka më të zhvilluar infrastrukturën turistike në krahasim me shtetet e tjera sllave në Ballkan. Formimi i klimës pozitive të biznesit në Bullgari filloi në vitin 2000, si pasojë e futjes së vendit në NATO, gjë që inkurajoi flukset e investimeve.

Hyrja në Bashkimin Europian pastroi situatën dhe nxiti investitorët e huaj edhe më shumë (edhe pse në atë moment, çmimet u ngritën dhe inflacioni tejkaloi pragun e projektuar). Këtu duhet pasur parasysh se norma e kreditit të Bullgarisë është rritur, gjë që ka kuptim.

Përveç kësaj, pas anëtarësimit në BE, Bullgaria hapi futjen në tregjet europiane të vendeve të tjera të Ballkanit. Monedha e tanishme bullgare, leva, ka qenë në fakt e lidhur me euron që në 1999. Megjithatë, vendi është i vendosur në favor të adoptimit të euros, edhe nëse ajo do të shtyhet deri pasi kriza e Eurozonës të jetë stabilizuar, thotë Simeon Djankov, ekonomist dhe ish-ministër i Financave të Bullgarisë.

Shembulli: Grupi francez François-Charles Oberthur (FCO Group), një nga prodhuesit kryesorë të printerave privatë të sigurisë në botë, është një nga investitorët më të dukshëm në ekonominë bullgare. Filiali i tij, Oberthur Fiduciaire, është i specializuar në projektimin dhe prodhimin e kartëmonedhave.

Kompania, e cila ka kohë që është njohur nga bankat qendrore dhe qeveritë e 70 vendeve, kohët e fundit nënshkroi një marrëveshje me Bankën Kombëtare Bullgare për prodhimin e kartëmonedhave, nëpërmjet krijimit të një sipërmarrjeje të përbashkët.

Në këtë drejtim, investimet e përbashkëta në pajisje janë të nevojshme – 10 milionë $ investime në pajisje nga ana bullgare dhe pjesa e mbetur, 22 milionë $, nga francezët.

Transaksioni është pjesë e strategjisë së rritjes të Oberthur Fiduciaire në tregjet në zhvillim, siç shpjegon shefi ekzekutiv i saj, Thomas Savare: “Ne jemi tani duke u adresuar në treg nga dy fabrikat tona në Francë dhe Bullgari. Ne kemi standarde të sakta, të njëjta në aspektin e cilësisë, sigurisë, ekspertizës dhe aftësive nga këto dy fabrika. Klientët të cilët zgjedhin Oberthur Fiduciaire si një nga furnizuesit, e dinë se do të kenë ekzaktësisht cilësi të njëjtë, nëse kartëmonedhat do të shtypeshin në Francë apo në Bullgari”.

Sllovenia

Mjedisi i biznesit: Shumë investitorë janë tërhequr nga pozita strategjike e Sllovenisë në zemër të Europës, infrastruktura e saj e shkëlqyer e transportit, si dhe nga teknologjia e informacionit dhe komunikimit në mjedis dhe grupimeve të saj industriale.

Punëtorët e kualifikuar janë të disponueshëm në shumë lloje industrish, duke e bërë Slloveninë tërheqëse për investime. Avantazh tjetër është një legjislacion i zhvilluar biznesi, masa për të nxitur investimet, norma e tatimit 17% mbi të ardhurat dhe kreditit të taksave të investimeve.

Është e rëndësishme të theksohet se partnerët më të mëdhenj të Sllovenisë janë ekonomitë më të pasura europiane si Gjermania, Austria dhe Italia. Mungesa e kërkesës së brendshme dhe borxhi i përgjithshëm i jashtëm mund të vërehen si të meta të tij.

Shembulli: Një punëdhënës i madh dhe investitor në rajon është Hofer (zinxhiri i supermarketeve Aldi në Austri dhe Slloveni, në pronësi të korporatës gjermane Hofer), themeluar në vitin 2004.

Kompania ka ndërtuar një zinxhir të supermarketeve në Slloveni dhe u bë një punëdhënës i madh në rajon dhe investitor në Slloveni, duke zgjeruar vazhdimisht rrjetin e shitjeve, përmirësimin e konkurrencës dhe rritjen e numrit të furnizuesve sllovenë në gamën e produkteve.

Hofer tani ka 74 outlet-e në Slloveni me pothuajse 1,200 punëtorë dhe ka regjistruar një fitim neto prej 16 milionë eurosh vitin e kaluar.

Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia: Bizneset në rrezik?

Në korrik të vitit 2013, Kroacia u bashkua me BE-në, gjë e cila ka lejuar që vendi të ecë përpara në integrimin e përbashkët me tregjet kryesore europiane.

Vendi ka zhvilluar një sektor industrial; pesha e tij në PBB është 33%, edhe më e lartë se mesatarja e BE. Eksporti është i efektshëm, kryesisht në vendet e zhvilluara perëndimore. Mali i Zi dhe Maqedonia janë në fazën e planifikimit të anëtarësimit në BE.

Megjithatë, pavarësisht afërsisë (dhe, në rastin e Kroacisë, anëtarësimit) në Bashkimin Europian, investitorët e ardhshëm duhet të mendojnë dy herë para se të investojnë paratë këtu. Rritja e PBB-së në ekonomi nuk premton, dhe kthimi nga investimi është ende shumë i vogël për të vënë kapitalin në rrezik.

Deri më tani, pasuritë të patundshme dhe ndërtimi kanë qenë sektori kryesor i investimeve. Pronat në zonat turistike janë duke shijuar kërkesa të larta, shumica e tyre vjen nga Rusia.

Kjo i atribuohet një pranie të rëndësishme të kompanive ruse dhe bashkëpunimi të ngushtë ekonomik mes Rusisë dhe tre vendeve e lartpërmendura. Investitorët europianë janë bërë më të kujdesshëm. Me siguri, kjo është e lidhur me rrezikun më të madh për kthim të ulët të investimeve, jo të krahasueshme me ROI në vendet e zhvilluara./MONITOR

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *