Mero Baze e Andrea Stefani kanë komentuar në dy intervista në gazetën DITA të sotme, ikjen e Berishës dhe situatën pas 23 qershorit. A ishte 23 qershori edhe një leksion për mediat? – është pyetja e kryeredaktorit të DITA, Thano, për Bazen e Stefanin dhe ata përgjigjen:
Baze: Ishte një leksion për mediet e regjimit. Ato u bënë të neveritshme. Shqiptarët kanë votuar kundër Berishës duke pasur parasysh dhe mediet e tij. Kanë votuar kundër Berishës duke pasur parasysh edhe Fevziun edhe Sandrin, Artan Hoxhën, Artur Zhejin, Arian Çanin, dhe garniturën e propagandës gati gëbelsiane që shoqëroi përpjekjen e Berishës për të mbijetuar në pushtet me propagandë. Ishte ndëshkim dhe për ata. Opozitës i kanë bërë nder duke u bërë të neveritshëm.
Stefani: Vota masive kundër Berishës natyrisht duhet të jetë një leksion edhe për ato media dhe gazetarë që u vunë në shërbim të regjimit, u bënë altoparlantë të tij duke shkelur mbi parimet e profesionit të gazetarit dhe qëllimin e ekzistencës së tij që është mirëinformimi i qytetarëve dhe jo dezinformimi i tyre në favor të pushtetit. Vota tregoi se me gjithë zhurmën e madhe që bënë bashkë me padronin e tyre Berisha, shqiptarët nuk i kanë dëgjuar ose më saktë, nuk i kanë besuar.
Thano “ngacmon” më pas me pyetjen: Kush do jenë servilët e parë të pushtetit? – dhe Baze-Stefani thonë:
Baze: Nuk ja vlen të diskutoj për një fushë ku nuk shkel kurrë, por shihet qartë se Tv Klani, do bëhet deri në fund i neveritshëm dhe në këtë pikë. Aq i neveritshëm sa tani duket sikur Berishën këto tetë vjetë e kam mbështetur unë dhe e ka luftuar Fevziu i cili nga bythëlëpirja me Berishën është miliardier duke marrë mes të tjerash prona dhe favore që kanë nevojë për hetim.
Stefani: Nuk do të jetë aspak çudi që ata që i puthën të parët këmbën Berishës për 8 vjet rresht të jenë të parët që t’i puthin këmbën edhe Ramës. Ka disa lloj njerëzish në këtë botë që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër. Por tragjedia nuk do të qe kjo. Kjo do të ishte komedia. Tragjedia do të qe sikur edhe kjo qeveri që po vjen, të kishte nevojë për servilizmin e puthadorëve apo këmbëputhësve të përjetshëm të pushteteve. (ResPublica)