Ndërsa në vitet ’90 tema e globalizimit dominonte debatin politiko-ekonomik, sot mund të shihen indicie të një prirjeje të kundërt, “de-globalizimit”, i nxitur nga kriza financiare. Që nga viti 2008, “qeveritë kanë miratuar të gjitha llojet e mekanizmave për të mbrojtur prodhimin vendas”, thekson për BBC, Simon Evenett, ekspert në tregtinë botërore në Universitetin e St. Gallen në Zvicër.
Një nga pasojat ka qenë një rënie e tregtisë botërore. Ndërkohë që para vitit 2008 për çdo rritje të GDP-së globale prej 1% regjistrohej një rritje e tregtisë botërore me 2%, aktualisht shkalla është, në rastin më të mirë, një me një.
“Kjo rënie në tregtinë botërore ndikon në sektorin e eksportit, i cili mbetet motori kryesor i rritjes. Kjo ndikon në krijimin e vendeve të punës dhe nivelet e pagave”, paralajmëroi Evenett. Një tjetër tendencë e përbashkët për shumë vende ka qenë intensifikimi i fjalimeve anti-emigracion dhe nacionaliste, të tilla si Syriza në Greqi dhe SNP-në Skoci.
Nga ana tjetër, në sektorin e financave, ka një “tkurrje masive të flukseve financiare globale”, që Kristin Forbes, anëtare e Komitetit të Politikës Monetare të Bankës së Anglisë e cilësoi si “de-globalizim bankar”. Një shembull i kësaj dukurie është mbyllja e operacioneve bankare në më shumë se 20 vende të bankës HSBC dhe, rrjedhimisht, humbja e më shumë se 30 mijë vende pune mes 2011 dhe 2013.
Pyetja është nëse këto tendenca tregtare, financiare dhe politike shënojnë një epokë të re apo janë një fenomen kalimtar. Në një raport të fundit të kreut të Hetimeve mbi Tregtinë Ndërkombëtare të Bankës ING, Raoul Leering, veçoi fenomenet ekonomike si kriza evropiane për ngadalësimin aktual, por theksoi se globalizimi do të vazhdojë.
“Nuk do të përsëritet “big bang-u” i viteve 90 dhe fillimit të këtij shekulli, por globalizimi do të vazhdojë”, thotë ai. Sipas Ann Pettiford është thelbësore të bësh një diferencim mes globalizimit tregtar dhe atij financiar. “Nuk mund të mbivlerësohen forcat që kanë kontribuuar në globalizimin. Por duhet bërë një dallim mes globalizmit tregtar që sjell përfitime dhe atij financiar që është shumë destabilizues dhe provokon një reagim të fortë social dhe politik që do të jetë i pranishëm ndërkohë që nuk kontrollohet kjo paqëndrueshmëri”, thotë ajo. /DITA

ASNJEHERE,
THJESHT PO NDERROJNE AKTORET.