A ka dy kute BE në Ballkan?

redaktor

Prof. As. Dr. Artan Xh. DUKA

 

Gjithnjë në Britaninë e Madhe ka patur një politikë pro-BE dhe një tjetër për dalje prej tij. Të dyja alternativa demokratike që vlerësonin interesin kombëtar. Tek ne nuk ka parti anti-BE. Do ishte luks mund të argumentonte kush, për ne që mezi presim të ngecim “këpucën” tek dera e BE.

Por, paradoksalisht, një parti anti-BE mund dhe ta përshpejtonte integrimin në të. Sa kohë nuk degradon si PD, që duke i bërë bllok reformës në drejtësi, i bën bllok BE e interesit kombëtar.

Na ra Serbia në “derë”

BE gjithmonë na kanë marrë të mirëqenë si të “thekur” për të. E duke ditur “letrat” tona, merakun gjeopolitik e ka me Serbinë aq sa Shqipëria nuk është në BE për shkak të Serbisë! I hipëm të parët “autobusit” për në BE por ai nuk niset pa u kandisur Serbia të zbresë nga “autobusi” rus. Pothuajse mbarë rajoni u “kryqëzua” me alibira (drejtësia, mafia, niveli ekonomik, korrupsioni etj që hasen në vetë BE) sa të mbaronte luftërat Serbia!

Pyetja shtrohet: nëse Serbia e Shqipëria duhet të përmbushin ca kushte të panegociueshme para pranimit në BE (Kosova, reformat etj), përse Serbia lejohet të negociojë kapitujt e integrimit para njohjes së Kosovës? Përse Kosova nuk ishte kusht për hapjen e negociatave me Serbinë ndërkohë që reformat tek ne janë kusht për to? Përse Serbisë i mundësohet të fitojë kohë me kapitujt e integrimit, ndërsa ne nuk na mundësohet negocimi i kapitujve ndërkohë që reformat duan kohë? Përse negocimi është “karrotë” e “shkop” për ne dhe jo për Serbinë?

E ndërsa Serbisë i “harrohen” luftërat, Shqipëria “kryqëzohet” nga BE për mungesën e ligjit ndërkohë që abuzimin e kanë bërë “beniaminët” e saj në krye të PD e PS së tranzicionit që asnjëherë nuk u bojkotuan prej BE.

Ndaj pyetja lind: nëse reforma në drejtësi dëshmon se BE, po të dojë, ka “gurin” e “arrën” në dorë, përse zgjodhi të heshtë tre dekada ndaj abuzimit që përkoi me luftërat në Serbi që vetëm përshpejtuan integrimin e saj në BE? Dhe pse e përdor sot si arsye, kur e lejoi po vetë?

Mos vallë edhe për BE, si trashëgimtar i Europës së 1913, është i paimagjinueshëm izolimi i Serbisë (kujtoni dualizmin europian gjatë ndërhyrjes së NATO në Serbi)? Vallë panik nga influenca ruse, “vëllazërim” kristianësh ndaj vendeve që etiketohen myslimane, kompensim për humbjen e Kosovës! Se i bie, që pa qenë gati Serbia, rajoni nuk është gati, ndërkohë që Serbia ulet në dy “karrige” sepse gjysma do Rusinë, nuk ka ndjesë për luftërat, nuk njeh Kosovën e lobon UNESCO-n etj.

Një shpërfillje flagrante kjo e BE ndaj vokacionit të hershëm perëndimor shqiptar që nuk e meritonte 1913, izolimin pas distancimit nga kampi sovjetik, mbrojti Europën e krishterë kundër osmanëve, ishte aleat real ndaj nazi-fashizmit etj.

Nëse Serbia futet para nesh në BE, integrimi ynë bëhet mision i pamundur. Këtë BE e di. Nuk ka shans përballë vetos së Serbisë e Greqisë dhe vetvetiu BE lan duart me ne. Ndaj politika shqiptare nuk duhet t’i japë më sebepe BE për shtyrje negociatash këtë vit. E para, PD duhet të distancohet nga lidershipi që e do vendin jashtë BE. Nëse nuk ndodh, BE të mos kryqëzojë një shoqëri të tërë për politikanë që vetë BE ua ka krehur bishtin deri tani.

Sfida jonë është një qasje dinjitoze ndaj BE. Duke bërë detyrat tona, por dhe duke kërkuar minimalisht “ekuivalencë” me Serbinë në negocimin e kapitujve paralelisht përmbushjes së kushteve të BE si dhe hyrjen e rajonit si bllok për të shmangur rrezikun e vetos.

E një plan “B”, alternativë ndaj BE (futja e Serbisë para nesh, shpërbërja e BE etj) nuk është luks! Demokracia është më shumë se BE (Zvicra, Norvegjia, Britania e Madhe, SHBA etj).

Stabiliteti në Ballkan “flet” shqip

Përtej “faktorit” Serbi, janë dhe “kusuret” tona që paragjykohen nga brenda BE – përfolja si vend i mafias, mysliman, emigracioni etj. E kjo kur mafian e “importuam”nga BE, kur jemi në shumicë ateist dhe dikur mbrojtëm Euopën e krishterë nga perandoria osmane etj. E nëse në merak për identitetin kristian, edhe pa ne, BE është i mbushur me myslimanë por dhe nëse të tillë, shqiptarët do të ofronin precedentin e tolerantit ndaj besimeve pa dallim.

Sa për emigracionin, janë me miliona shqiptarë tashmë në BE. Taksapagues korrekt që mbështesin me remitanca familjet në Shqipëri sepse jo të gjithë do e lënë Shqipërinë, aq më tepër kur ajo të jetë në BE.  E nëse fluks, do të jetë modest dhe i pakrahasueshëm me atë polak, rumun, bullgar etj.

Përtej “kusureve”, BE vetëm fiton me Shqipërinë brenda saj. Leverdia do të jetë reciproke, në mos më shumë për BE – investimet, blerja e pasurive të patundshme, turizmi, krahu i lirë i punës, produktet bio etj.

Ngurrimi ndaj Shqipërisë me merakun e stabilitetit të Serbisë, realisht po e destabilizon rajonin. Stabiliteti varet nga faktori shqiptar që ndonëse i ndarë në pesë shtete, nuk ndez “fitila” në rajon por pret “bashkimin” në BE. Zvarritja e integrimit po dekurajon e zhgënjen faktorin kryesor të paqes në rajon e ai nuk është më Serbia apo Greqia e Europës së 1913.

Miklimi i Serbisë në BE, në mos mision i pamundur, nuk shmang tensionet në rajon. Serbia nuk heq dorë nga Rusia dhe do të bëjë lojën e saj edhe në BE ndërkohë që me veton ndaj Shqipërinë dhe izolimin e saj si faktor pro-perëndimor, do të dobësojë influencën e BE në rajon. Rusia e lindja është në “ADN” e Serbisë (perëndimi në tonin) dhe “vëllazëria” sllavo-bizantine Moskë-Beograd-Athinë synon historikisht gadishullin Ilirik.

Sesa vetizolimi i Serbisë, preokupim për BE duhet të jetë izolimi i Shqipërisë. Serbia, edhe nëse e fundit drejt BE, nuk mbijeton e rrethuar prej saj (e Shqipëria nuk do të vinte veto) ndërkohë Shqipëria e izoluar prej vetos serbe, do të komplikonte gjeopolitikat në rajon.

Me Shqipërinë tolerante e mikpritëse në BE, Europa do të garantonte brezin jugor ndaj flukseve migratore afrikane të pashmangshme nga ndryshimet klimaterike dhe do të menaxhonte më kollaj ato, sikurse do të pengonte influencat antiperëndimore (ruse apo orientale) në rajon.

Me Shqipërinë në BE do të pasurohej më tej mozaiku kulturor i tij, duke nxitur interesin për qytetërimin pellazgo-ilir dhe gjuhën e “perëndive”, konsoliduar vlerat e harmonisë fetare etj.

Pavarësisht rezervave rreth sovranitetit, BE mbetet padyshim objektiv jetik për ne sa kohë alternativa si Norvegjia, Zvicra etj nuk janë opsion. Fundja, bota është një “fshat” më i vogël nga ç’e pandehnim.

Dhe në mos u bëftë, thjesht objektivi drejt BE do të ruante ritmin e reformave demokratike dhe ngjizte shtetin ligjor që dëshirojmë. Pastaj, nuk ka rëndësi nëse jemi apo jo në BE. Le të mbetet “bonus”!

Janari hyri dhe BE nuk duhet të ngatërrojë kursin e PD me aspiratën legjitime të shoqërisë. Reminishencat e 1913 apo gazi rus nuk duhet të paragjykojnë negociatat me Shqipërinë që e meriton një shans. BE nuk ka ç’humbet; jemi ne që po vëmë të gjitha “vezët në shportën” e saj. Kemi aq besim!

Share This Article
1 Comment
  • Nje qasje realiste, e kthjellet ndaj procesit te mundimshen, e drobites tw shqiptarwve/Shqipwrisw, drejt antaresimit tone ne BE. Edhe ferrat nw oborrin tonw, qw na zwnw kwmbwt e na crrjerrin duar nw pwrpjekjen tonw pwr tw hapur shtegun pwr nw BE, janw pwrpinjw, metastaza tw gjwmbacve tw boshtit MBA…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *