Bota zhvillohet, ndërtohen çdo ditë marrëdhënie, vlera, ura komunikimi. Të tjera vlera historike e kulturore i rezistojnë kohës, përcjellin mesazhe komunikimi nga lashtësia deri në ditët tona.
Në Shqipëri kanë ndodhur mjaft zhvillime pozitive, por me keqardhje vëmë re se në shoqërinë e sotme etika e komunikimit është dëmtuar rëndë. Fatmirësisht ka ende një pakicë njerëzish që flasin me edukatë e mirësjellje, mirëpo kohët e fundit këto nuk shihen më si vlera. Janë zëvendësuar me zhargone e sjellje të pahijshme prej “trimi” që duket se kanë “fituar” betejën e qytetarisë e shiten si vlera apo dukuri të kohës.
Po a ka mundur shoqëria shqiptare të kultivojë në sistemin e vlerave dhe edukimin e brezave etikën e komunikimit? Në këndvështrimin tim ka një rezultat drastik rënieje, ndikuar nga shumë faktorë. Dukuritë negative ngritën krye veçanërisht nga zbehja e rolit të shtetit gjatë traumave që përjetoi tranzicioni ynë shoqëror. Të kulturuarit i shmangeshin edukatës së rrugës, por anasjelltas, kjo e fundit fitoi më lehtë terren në mjedise publike, shkolla etj. Jo rrallë nëpërkëmbja e ligjit dhe “ligji i të fortit” u kthyen në norma të detyruara. Etika e komunikimit reflektoi ndryshime negative, ndërkohë që edhe sistemi i arsimimit shfaqi mangësi e dobësi. E meqë kultura e komunikimit nis në familje, plotësohet në shkollë, komunitet e shoqëri, jemi ende në kohë për ta frenuar përkeqësimin e etikës dhe sjelljes shoqërore. Mënyra e komunikimit është pjesa më e dallueshme e kulturës njerëzore.
Gjatë viteve të shkollës së mesme në Tiranë pata fatin të kisha mësues me komunikim të shkëlqyer që gati-gati thyenin distancën në raportin mësues-nxënës. Mësuese Minerva e letërsisë ishte një model i vërtetë komunikimi. Nuk më kujtohet ndonjë rast që ajo ta ngrinte zërin apo të bërtiste. Edhe nxënësit më problematikë, rrëmujaxhinj e të painteresuar, vinin me dëshirë në orën e saj. Ajo i përfshinte në bashkëbisedim, kërkonte dhe opinionet e tyre për autorë e tema të ndryshme letrare. Fillimisht “rrëmujaxhinjtë” ishin tallës e fyes ndaj çdo autori, aq sa shkaktonin të qeshura në gjithë klasën. Mirëpo mësuese Minerva nuk mërzitej, as nuk buzëqeshte. Ajo këmbëngulte me qetësi, seriozitet dhe edukatë, derisa të mësonte “argumentet” e çdo përgjigjeje të tyre, edhe pse për ne të tjerët ato mund të ishin të cekëta e banale. Shpejt këta nxënës “trima” e problematikë filluan të tregonin interes për orën e letërsisë, madje të meritonin edhe nota të mira, si në asnjë lëndë tjetër!
E kujtoj me mirënjohje mësuese Minervën, sa herë ndeshem me “tipa” të tillë shoqërorë, të cilët mirësjelljen e konsiderojnë dobësi. Nuk jam i sigurt sa i mangët është sot edukimi në shkollat tona, po kam përshtypjen se në vendin tonë sjelljet problematike po shtohen dita-ditës, ndërkohë që po reduktohet pakica e njerëzve të mirësjellë e të kulturuar, ata janë thuajse në zhdukje e sipër…
Gjatë vitit të parë të studimeve në Itali, kur zbrisja shkallët e pallatit të banimit, u ndesha me një çift të moshuarish. Kalova pa i përshëndetur, pasi ende nuk i njihja si banorë të shkallës. Në dalje dëgjova përshëndetjen e gruas dhe vura re shikimin e saj ngulmues: “Mirëmbrëma!”. I hutuar mendova se ndoshta nuk më folën mua, por zëri i gruas u bë më i lartë: “Duhet t’ia kthesh përshëndetjen atij që të flet, edhe i panjohur të jetë!..” U skuqa nga turpi, i kërkova ndjesë dhe u largova duke reflektuar. Ishte një mësim e përvojë që atje e ndeshja çdo ditë në raportet me të njohur e të panjohur, tek qytetarët e thjeshtë, punonjësit e zyrave të shërbimit apo administratës. Ishte etika e sjelljes që tek ne mungon përditë e më shumë. Integrimi kulturor është hapi i parë për të shkuar drejt Europës.
Po sa të prirur jemi për ndryshime pozitive, për të pasuruar vlerat e komunitetit dhe kulturën tonë të jetesës? Një miku im, gazetar me përvojë, tregonte se në fëmijëri, kur e përcillte gjyshja për në shkollën e fshatit, e këshillonte: “Përshëndeti njerëzit që takon rrugës, sidomos të mëdhenjtë. Kështu dukesh sa i mbarë je nga familja e sa ke nxënë në shkollë!” Ende aty-këtu, sidomos nëpër zonat rurale, mbijeton kjo dukuri. Por, ajo erdhi duke u zbehur më pas nëpër qytete dhe në qendrat e mëdha të banimit, ku komunitetet ishin më të gjera e njerëzit nuk e njihnin njëri-tjetrin.
Në traditën shqiptare përshëndetja e kalimtarëve, miqve, respekti ndaj të huajve e të ftuarve shihet si altruizëm dhe dukuri e sjelljes së kulturuar. Ajo, sikurse bashkëjetesa fetare, mikpritja, bujaria janë vlera tradicionale të popullit tonë. Këto gjeste mirësjelljeje nuk janë komplekse inferioriteti, sikurse etiketohen nga te paedukuarit. Ato janë pasuri të individëve që i bartin, por edhe respekt e dinjitet shoqëror, ndaj duhen ruajtur e përcjellë. Për të zgjeruar hapësirën e kulturës në komunitet, respektimin e të drejtave njerëzore, nevoja për këto vlera do të jetë gjithnjë e më e madhe.

Shkrim per te gjitha levdatat