E nderuar lexuese!
Sipas fjalorëve të psikologjisë, personalitetet e njerëzve janë modele karakteristike të mendimeve, ndjenjave dhe sjelljeve që e bëjnë një person unik në individualitetin e tij. Ka shumë teori mbi personalitetin: Teoria e tipareve thekson rëndësinë e veçorive të spikatura të personalitetit, si rezultat i karakteristikave të brendshme të individit, që janë të bazuara gjenetikisht. Teoritë psikodinamike theksojnë ndikimin e të pavetëdijshmes te personaliteti. Dy teoritë bazë janë teoria psikoseksuale e Frojdit dhe teoria e vetëzhvillimit psikosocial të Eriksonit. Teoritë e sjelljes përpiqen të shpjegojnë se personaliteti është rezultat i ndërveprimit të individit dhe mjedisit. Teoritë Humaniste theksojnë rëndësinë e përvojës individuale dhe vullnetit të lirë të individit në zhvillimin e personalitetit.