Së shpejti pritet të vendoset në Kuvend mbi miratimin e një projektigji për Agjensinë e Inteligjencës së Mbrojtjes (AIM), ose strukturën do të zëvendësojë Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU). Të dhëna mbi përmbatjen e projektligjit, i cili ka shkaktuar dhe debat në Komisionin e Sigurisë të mbledhur gjatë kësaj jave, mund të gjenden, në formën më të plotë, në një raportim në Mapo-n e datës 23 tetor 2012. Mungesa e informimit publik, qoftë kjo për mungesë të interesit të mediave për të përçuar lajme të këtij lloji, por edhe për mungesën e zellit nga pala qeverisëse për të diskutuar publikisht mbi këtë ndryshim thelbësor përsa i përket strukturës së sigurisë së shtetit shqiptar, nuk është absolutisht diçka pozitive. Kjo, sidomos duke marrë parasysh akuzat publike që i janë bërë vazhdimisht organeve të sigurisë në Shqipëri për tejkalim kompetencash e shkelje të të drejtave të njeriut: organeve policore për keqtrajtim të të ndaluarve, organeve të ruajtjes së personaliteteve dhe institucioneve shtetërore (Garda) për fshehje informacionesh e provash material, si dhe vetë SHIU për përgjime të paligjshme, etj.
Mungesa e debatit real mbi organet e sigurisë në Shqipëri dhe hapësirat ligjore dhe ato faktike mbi të cilat ato kryejnë aktivitetin e tyre është një tregues i një zhvillimi demokratik tepër të ulët të shoqërisë shqiptare, gjë që ushqehet edhe nga praktikat qeverisëse të gabuara në këtë aspekt. Në një shoqëri si ajo shqiptare, ku rastet e shkeljeve të të drejtave të njeriut janë shpeshta, duke iu referuar këtu edhe raportimeve vjetore të organizatave ndërkombëtare që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut, faji më i madh i mungesës së debatit real dhe popullor (jo populist) mbi organet e sigurisë dhe veprimtarisë së tyre i takon organëve qeverisëse. Nuk përjashtohet këtu edhe një vullnet dashakeqës, siç mund të interpretohet afati kohor kaq i shkurtër për shqurtimin e një projektligji aq të rëndësishëm sa ai për reformimin e një strukture me një rol jo të vogël në fushën e sigurisë kombëtare, siç është SHISH. Justifikimi për çështjen e mungesës së debatit real e popullor mbi strukturat e sigurisë por edhe shpejtësinë ndërmarrjes së reformave të tyre, kryesisht lidhet me shkallën e fshehtësisë që veprojnë këto struktura. Në të vërtetë ky është një justifikim i kotë dhe i pavlerë dhe që funksionon vetëm në shtete me qeverisje autokratike e jodemokratike. Në shtetet demokratike, debati publik mbi organet e sigurisë është diçka e zakonshme por jo e parëndësishme. Po kështu janë vetë strukturat e sigurisë, të ndjekura nga organet qeverisëse, që ndihmojnë në zhvillimin e debatit publik mbi ato çështje, pasi në këtë mënyrë rritet shkalla e besueshmërisë midis palëve. Jo më kot raportimet e përkohshme të aktivitetit të organeve të inteligjencës, bëhen publike dhe i ofrohen sipas shkallëve të nevojës për t’u njohur të gjitha institucioneve të tjera të shteteve por edhe publikut. Në shtetet më të zhvilluara demokratike, mungesa e kësaj praktike do të ishte shkatërruese për cilëndo qeveri në fuqi pavarësisht shkallës së rrezikut dhe hapësirës së veprimit të strukturave të inteligjencës. Marrim shembull Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe raportimet e përkohshme të Agjensisë Qëndrore të Inteligjencës, por jo vetëm asaj por edhe institucioneve të tjera me më pak përgjegjësi në kuadrin e përpunimit të informacionit të sferës së sigurisë kombëtare. Në Shqipëri, një gjë e tillë është inekzistente.
Informimi publik i organeve me kompetenca në fushën e sigurisë kombëtare është në një format “sa për sy e faqe”. Më së shumti publik informohet prej faqeve ëeb, të cilat mund të përmbajnë legjislacionin përkatës dhe ndonjë reklamë falas për titullarët e institucioneve dhe një lloj rubrike alla-thashetheme ku ndonjë aktivitet i institucionit shoqërohet me disa fotografi dhe një tekst i prodhuar nga ndonjë nënpunës i ngarkuar me marrëdhëniet me publikun. Këta të fundit duhet të kenë edhe ndonjë pamje fotozhenike, për të bërë efektin e duhur, në rast se do u duhet të dalin para kamerave ndonjëherë. Informacione mbi mbarëvajtjen reale, problematikat apo qoftë edhe rreziqet që i kanosen shoqërisë dhe të cilat luftohen nga organet e sigurisë sipas kompetencave të tyre, mungojnë absolutisht. Edhe vetë projektligjet e dorëzuara për miratim e që lidhen me fushën e sigurisë nuk publikohen në faqen zyrtare në internet të Kuvendit. I tillë është dhe rasti i projektigjit për agjensinë e re të inteligjencës, objekt të kësaj analize.
Zakonisht sa më në fshehtësi vepron institucioni aq më të paktën janë gishtat në dispozicion për të numëruar informacionet që mund të merren publikisht për të, dhe kjo është kundërprodhuese jo vetëm për vetë shoqërinë shqiptare por edhe për vetë organet e sigurisë, pasi humbin besueshmërinë e komunitetit ku ato veprojnë. Këto nuk janë vetëm lidhje logjike por janë përfundime që rrjedhin nga praktikat perëndimore, të cilat ne synojmë t’i përvetësojmë, të paktën prej 22 vitesh. Gjithsesi, për ta mbyllur me trajtimin e këtij aspekti të (keq)menaxhimit të organeve të sigurisë në Shqipëri, vlen për t’u ritheksuar se kjo situatë është një dështim i qeverisjes jo i mungesës së interesit publik apo domosdoshmërisë për fshehtësi së organeve të sigurisë, e sidomos së atyre të inteligjencës.
Le të kalojmë serish tek projektligji për AIM, që përflitet, nga burime ekskluzivisht qeveritare, si të jetë një hap reformues dhe përmirësues i SHIU, por duke iu referuar të dhënave të siguruara nga Mapo (e datës 23 tetor 2012) institucioni i ri që synohet të krijohet zëvëndëson katërcipërisht SHIU në çdo aspekt të veprimtarisë së tij, duke iu referuar ligjit përkatës në fuqi. AIM jo vetëm zëvëndëson SHIU-n por merr dhe kompetenca të reja, gjë që e fuqizon së tepërmi edhe në krahasim me Shërbimin Informativ Shtetëror. Duke marrë kompetenca që tradicionalisht i ka gëzuar SHISH si për shembull përgjimi i objekteve hetimore civile tashmë AIM kapërcen inteligjencën e natyrës ushtarake dhe kalon në atë civile, pra merr një karakter të dyfishtë, civil dhe ushtarak. Këtë karakter nuk e gëzon SHISH pasi, në rastin më të thjeshtë nënpunësit e SHISH nuk mund të kapërcejnë fizikisht portat e kazermave ushtarake pa pasur një leje të miratuar për këtë qëllim, gjë që i kufizon ata në hetime të mëtejshme dhe të pavaruara. Përveç zgjerimit të kompetencave vepruese të saj, AIM-së i rritet dhe profili institucional: ngritja e nivelit drejtues të drejtuesit që kalon nga grada e Kolonel, në Gjeneral (në rastin kur është ushtarak), shtohet numri i punonjësve civile (nga 30% në 40%) e për pasojë rritjes absolute të numrit të punonjësve të institucionit. Po kështu AIM nuk do të jetë më një agjensi inteligjence me statusi e një drejtorie në brendësi të Ministrisë së Mbrojtjes (MM) por një institucion më vehte. Pra duke përmendur këto ndryshime të mëdha që i përkasin projektit të AIM, vihet re lehtësisht se AIM do të jetë agjensia e dytë e inteligjencës në Shqipëri, për nga numri absolut, jo për nga kompetencat. Po kështu nëse më parë nënpunësit e SHIU merrnin trajnim special nga SHISH tashmë kjo varësi funskionale ndërpritet pasi në brendësi të AIM mendohet të ngrihet një sektor arsimimi, e në këtë mënyrë shkëputet çdo lloj marrëdhënieje formale e parashkruar midis këtyre dy institucioneve.
Këtu lindin menjëherë dy pyetje: përse bëhet ky ndryshim dhe a është veprimi i duhur në dobi të rritjes së sigurisë kombëtare?
Organet qeveritare e justifikojnë ndryshimin me nevojën për integrim të metejshëm në NATO si dhe me kërkesat e reja të ambientit të sigurisë. Së pari, integrimi i mëtejshëm në NATO nuk sjell domosdoshmërisht ndryshime thelbësore në institucionet e vendeve aleate dhe domosdoshmëria për krijim institucionesh të reja lidhet gati ekskluzivisht me lindjen e detyrave të reja dhe jo me transferim e dublim kompetencash nga një institucion sigurie në një tjetër. Historikisht, kërkesat dhe këshillat e NATO-s për përmirësimin e institucioneve shqiptare nuk kanë pasur asnjëherë qëllim të tillë, përkundrazi. Gjithashtu, ky ndryshim kaq i madh mund edhe të sjellë shqetësim në NATO, jo vetëm për arsye të kontaktit tradicional që është mbajtur me SHISH, por edhe për efektet që do të ketë riorganizimi i shërbimit të ri informativ ushtarak të Shqipërisë. AIM do ketë një sërë strukturash të reja që pashmangshmërisht do sjellin amulli dhe do ndikojnë të paktën fillimisht në aktivitetin e saj, për të mos e banalizuar situatën e përmendur tragjikomeditë e emërimeve e riemërimeve që karakterizojnë kryesisht institucionet e sigurisë në Shqipëri. Së dyti, justifikimi i krijimit të AIM si rrjedhojë e kërkesave të ambientit të sigurisë në Shqipëri nuk qëndron, të paktën duke marrë parasysh karakterin ushtarak që do të ketë kjo agjensi. Logjikisht, një agjensi inteligjence ushtarake rikrijohet dhe fuqizohet atëherë kur ka rrezik ushtarak më të lartë. Ky rrezik rritet kur ka parashikime të zymta për sigurinë ushtarake ose kur rreziqet me të cilat përballet institucioni ekzistues janë të papërballueshme.
Të dyja këto supozime bien poshtë, pasi ambienti i sigurisë në Shqipëri nuk ndikohet nga rreziqe të karakterit ushtarak me tepër se ato të karakterit civil kriminal. Anëtarësimi në NATO i Shqipërisë dhe dëshira për anëtarësim e vendeve që e rrethojnë e që nuk janë anëtare në aleancë e zvogëlojnë së tepërmi nevojën për rritjen e kapaciteteve zbuluese ushtarake. Gjithashtu me përfundimin e shpejtë të fushatës ushtarake në Afganistan (tërheqja amerikane fillon në vitin 2014) edhe angazhimi i forcave ushtarake shqiptare, e për pasojë edhe efektivëve zbulues që i bashkangjiten forcave tona, do të bjerë. Po kështu rasti tjetër, kur ka mbingarkesë e mospërballim të detyrave të ngarkuara, është e papërshtatshme të ndiqet një arsyetim i tillë pasi të paktën publikisht nuk ka pasur asnjë rast të denoncuar nga SHIU për parandalimin apo ndalimin e krimeve ushtarake. Apatia vepruese e SHISH në rastin e Gërdecit, apo dhe rasti i zhdukjes së një ish-Shefi Shtabi (me gjithë sekretet ushtarake që mund të dijë) të kërkuar nga drejtësia tregojnë se nevoja për reformimin e inteligjencës ushtarake shqiptare nuk duhet të realizohet nëpërmjet shtimit të kompetencave të reja por përmirësimit të kompetencave ekzistuese, për të cilat janë dhënë prova, edhe publikisht, që nuk shfrytëzohen efektivisht. Ndërkohë duhet ripërsëritur se të paktën publikisht nuk ka asnjë informacion zyrtar mbi veprimtarinë, suksese, apo dhe dështimet e SHIU, qoftë edhe për të justifikuar nevojën për ndryshim. Analiza të këtij lloji janë të detyrueshme në vendet demokratike dhe zakonisht ndryshime madhore ndodhin vetëm në raste ndryshimesh të mëdha, dhe absolutisht jo si “vetëtima në qiell të pastër”. Organizimi i institucioneve të inteligjencës, në rastin e SHBA ndodhi pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001. Ndoshta një rast i ngjashëm mund të jetë paraqitur në Shqipëri pas shpërthimeve në Gërdec në vitin 2008. Në fakt, një analizë për mungesën e ndërmarrjes së reformës së institucioneve të inteligjencës pas asaj ngjarjeje është tepër e domosdoshme dhe sot e kësaj dite mungon. Pra, si përfundim nuk ka asnjë lloj shkaku madhor për të bërë një ndryshim e aq më pak një ndryshim të tillë, sasior e cilësor (në kuadrin e marrjes së kompëtencave të reja). Po kështu mungesa e një debati publik dhe midis ekspertësh të gjithanshëm nuk ndihmon aspak në justifikimin e një ndryshimi të tillë.
Por le të kalojmë tek një aspekt tjetër: dobia e një ndryshimi të tillë në kuadrin e sigurisë kombëtare. Miratimi i projektigjit për krijimin e AIM, dhe për rrjedhojë krijimi i AIM nuk është një veprim premtues për rritjen e sigurisë kombëtare.
Së pari, eksperienca e vendeve perëndimore (të cilat duhet të marrin si shembull jo vetëm për retorikë politike) tregon se institucionet e inteligjencës shkojnë drejt homogjenizimit dhe centralizimit dhe jo drejt dublimit të kompetencave dhe decentralizimit apo të vendosjes (qoftë edhe formalisht) nën drejtim organik të ndryshëm. Sfidat më të reja të sigurise i kanë bërë dhe shtete më të fuqishme e më të rrezikuara nga faktorë të ndryshëm (serish marrim si shembull SHBA, që qëndërzoi gjithë agjensitë dhe institutet e inteligjencës nën një autoritet të vetëm, dhe duke ndërthurur fushat e tyre të përgjegjësisë) të centralizojnë këto shërbime dhe duke i cliruar nga funksione të dyfishta. Zgjedhja më e favorshme për situatën globale të sigurisë është ndërvarësimi i shërbimeve informative dhe jo copëzimi i informacionit, bashkëpunimi dhe jo individualiteti institucional. Krijimi i dy shërbimeve inteligjente në Shqipëri: SHISH dhe AIM, për vetë përmasat fizike dhe politike të vendit tonë si dhe duke marrë parasysh keqmenaxhimin e administratës shtetërore, në përgjithësi, në rastin më të mirë do të ishte një shpërdorim i parave të taksapaguesit shqiptar, e në rastin më të keq një katastrofë për këtë sektor delikat.
Së dyti, me krijimin e AIM, numrit të madh të strukturave me kompetenca në fushën e sigurisë në Shqipëri (mbi 30, duke llogaritur edhe ato të sigurisë ekonomike, energjitike, ushqimore, ambientale, sociale etj.) i shtohet dhe një tjetër, në mungesë totale të një plani të qartë gjithpërfshirës për sigurinë. Është qesharak fakti që krijohet një agjensi inteligjence e re kur elementi më thelbësor i karakterit strategjik, Strategjia Kombëtare e Sigurisë, mbetet e pandryshuar që nga viti 2004, megjithë ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri që nga ai vit.
Së treti, një veprim i tillë është i shpejtuar kur ka sektorë të tjerë në FA të cilët janë tërësisht të prapambetur jo vetëm në raport me objektivat e NATO por edhe me vetë sektorë më të privilegjuar në brendësi të saj. Përfundimet e Konferencës së Katërt të Integrimit me NATO nxorrën në pah prapambetjen e shumë sektorëve në brendësi të Forcave të Armatosura dhe krijimi i një institucioni inteligjence më të madh dhe më të fuqishëm për të “kontrolluar” një “institucion” më të gjerë por më të brishtë është një paradoks.
Së katërti, krijimi dhe “mbajtja” e AIM sjell pasoja tepër negative për sektorin e inteligjencës në Shqipëri, pasi do të nxisë një konkurrëncë të dëmshme, qoftë për fonde e qoftë edhe për të justifikuar punën. Në brendësi të sektorit të sigurisë më i dëmtuar nga krijimi i AIM është vetë SHISH, që për fat të keq nuk është “ndjerë” akoma për këtë çështje, të paktën publikisht.
Por për të mos bërë vetëm kritika mbi projektligjin për AIM dhe duke marrë parasysh vetëm elementët me karakter konstruktiv të analizës së mësipërme është e domosdoshme të propozoj dhe rrugëdalje paqësore për këtë problem. Në thelb duhet që projektligji të kalojë për rishqyrtim në Komisionin e Sigurisë dhe në mënyrë të mënjëhershme ti paraqitet për diskutim jo vetëm specialistëve ushtarakë e civilë të administratës shtetërore e institutive studimore por edhe publikut të gjerë, pa lënë mënjanë ekspertizën e partnerëve ndërkombëtarë e më në veçanti atyre amerikanë. Qëllimi final duhet të jetë jo krijimi i një institucioni të ri por hartimi i një platforme të re bashkëpunimi ndërinstitucional midis SHIU dhe SHISH, në mënyrë që secili institucion të shfrytëzojë kapacitetet e tjetrit pa dëmtuar ekskluzivitetin e asnjërit, si dhe ndryshime të karakterit teknik administrativ pa ndikuar në efektshmërinë e asnjërit prej institucioneve, sidomos në fazën e tyre të implementimit.