A mund të bëhet një Mukje e dytë!?

redaktor

Edhe mundet, pse jo! Le të quhet Mukja e Demokracisë. Bota demokratike ka shumë shembuj në çdo cep të globit që mund të arrihet mirëkuptimi me efekte tolerance, besimi, që të parët e quajtën humanizëm. A u arrit toleranca dhe mirëkuptimi mbas mbarimit të luftës civile në Amerikë me në krye Abraham Linkolnin? U krijua një shtet i fuqishëm botëror me bazë demokracinë. A s’ishte Shimon Peres që vdiq pardje që shtrëngoi duart me Jaser Arafatin? Ai mori çmimin e paqes në këtë jetë dhe në atë tjetrën. Rasti më i freskët është Kolumbia ku FARKU shtrëngoi duart me pushtetin.

Si mund të bëhet te ne Mukja e dytë? Mund të bëhet. Me dyer të mbyllura në një konferencë si ta mendojnë organizatorët. Pra partizanët, ballistët dhe nacionalistët të mbledhin forcat dhe të bashkëbisedojnë për Mukjen e dytë.

Pa ju diktuar temat e diskutimit, flas se: As ballistët e as komunistët nuk e dinin se do fillonte lufta botërore. Mos të harrojmë se populli ishte gati analfabet për t’ju përqasur luftës së çdo forme. Nuk kishte celular e telefon e radio për të komunikuar. Veç luftës kundra pushtuesit, se partizanët si ballistët shkatërruan bërthamën ekonomike të shqiptarit, pronën, tokën, blegtorinë.

Kur një vëlla shkoi partizan dhe vëllai tjetër ballist, më thoni çfarë t’u them brezave që do vijnë: Si u konceptua lufta?! Ne vrazhdën e kësaj lufte vëllavrasëse si do perceptohet ora e mësimit kur nxënësit pyesin: Ku janë partizanët e ballistët? Sa partizanë janë gjallë dhe sa ballistë? Më e tmerrshmja janë artikujt në shtyp të komuniteteve të nacionalistëve. Jepen data e beteja që historia i di mirë, tregohen figura nacionaliste e komuniste që ishin luanë mbi armikun.

Lufta mbaroi, çfarë doni tjetër? Tani njerëzit nuk e kanë mendjen te lufta. Një luftë tjetër ka shpërthyer te ne. Foshnjëria e demokracisë, forcimi i saj. Këtu le të tregojnë sa të fortë janë. Po e mbyll shkrimin me znj. Hillari Klinton që po bën fushatë tani për presidente. Guxo të konkurrosh, i flisnin miqtë e mirë për t’u bërë sekretare shteti. Edhe ju të dashur vëllezër të një gjaku. Guxoni të takoheni, përse jo të konkurroni. Një guxim i tillë do shkatërrojë shumë mentalitete e ledhe të dobëta e mund të arrini deri te lufta kundër hakmarrjes te njerëzit e ngujuar. Guxoni!

 

Letër e nënshkruar

Vasil Puci

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *