Ky është kulmi! Ai, që as emrin nuk denjoj t’ia përmend, përdhunoi vajzën e tij 15 vjeçare, dhe tashmë do të rrijë “i qetë” në qelitë e burgut, në pritje të lirimit, dhe më pas të gjejë ndonjë viktimë tjetër dhe ta përdhunojë edhe atë. Sepse, përderisa vuri dorë fëlliqësisht mbi vajzën e tij, ai do të vërë të tillë dorë të pistë edhe mbi këdo femër tjetër që do t’i jepet mundësia. Në këtë rast ligji gjithmonë është i padrejtë.
Ai tjetri aty në Palasë desh përdhunoi dhe pastaj e theri me thikë nipin e tij 12 vjeçar dhe do ta kalojë jetën e tij në “psikiatri”, dhe me kaq do të presë kur të shërohet dhe të dalë jashtë e të presë ndonjë kokë tjetër!
Demokraci, thotë bota. Të drejtat e njeriut. Dakord, edhe unë kështu them, por meqë edhe përdhunuesi i bijës së tij të zemrës ka të drejtë të jetojë e të gjykohet i gjallë, ju lutem, jepini të drejtë edhe asaj bije të gjorë që u përdhunua nga vetë babi i saj! Si ta japim të drejtën e saj? Një dënim kapital, do të ishte shumë pak. Por ligji nuk e pranon. Padrejtësia në demokraci nuk e pranon. Pra ky është kulmi i së keqes të padënuar dhe të pandëshkuar.
Dakord që dënimi me vdekje nuk ul, sipas atyre analistëve të “mëdhenj”, kriminalitetin. Dakord që jetën vetëm Zoti ta jep dhe ta merr. Por, po nga ana tjetër? Atij 12 vjeçarit kush ia dha jetën, anti Zoti? Po për 15 vjeçaren që e përdhunoi babai, të paktën kjo dihet që jetën ia solli dhe ia dhuroi vetë përdhunuesi i saj, babai që i bëri kokën.
Hapu dhe të biem brenda e të shpëtojmë nga këto që dëgjojmë e jetojmë, në demokracinë e gjymtuar, ku disa mbrohen e disa përdhunohen, disa vriten dhe për të tjerët, ata që vrasin, ligji ka mëshirë.
Nejse, unë u nevrikosa dhe e thashë. Biles me zë të ulët, se mos e dëgjojnë evropianët dhe na mori lumi, nuk na pranojnë më pastaj në BE!
Dhe prapë unë këmbëngul: Të përdhunosh bijën tënde dhe të jesh akoma gjallë?! Si intelektual apo si prind, jam kundër dënimit me vdekje, por si qytetar i rënduar nga gjithë këto ndodhi kaq të rënda, them me bindje se duhet. Me nderime, kryetari i Shoqatës së Intelektualëve Emigrantë Shqiptarë në Greqi.
