Dy ditë më parë, Fehmi Hoshafi mbushi 80-vjeç, e me këtë rast, u organizua një aktivitet në nderim të tij, me kolegë, miq e shokë, të cilët i uruan jetë të gjatë, siç e do zakoni në të tilla raste. Pika më kulmore e karrierës së tij, është filmi ‘Kapedani’, një ndër majat e kinemasë shqiptare: me fabulën e skenarin e Skënder Plasarit, lojën fantastike të dyshes Verria-Xhoja, si dhe prej fakti pak të njohur që ka të bëjë pikërisht me regjisurën e këtij filmi. Veç Fehmi Hoshafit, krah tij ka qenë dhe Muharrem Fejzo, të dy bashkëregjisorë, të cilët nuk e kanë kaluar fort mirë me njëri-tjetrin përgjatë xhirimeve. Janë treguar sa profesionistë aq edhe shqiptarë, me zënka e grindje të cilat rrëfehen nga shumë kolegë të tyre si detaj kryesor i shesh-xhirimeve. Megjithatë, në finale kjo ndjehet aspak. ‘Kapedani’, mbetet një kryevepër që përçon pasion individual, por dhe dashuri mes kolegësh. Kjo të sjell ndërmend përplasjet politike deri në urrejtje mes PS-së dhe PD-së dhe Shqipërinë aktuale që buron prej tyre. A mund të kishte Shqipëria fatin e ‘Kapedanit’? Po! Sikur të haheshin vërtet me njëri-tjetrin, ama në fund dashuria të kish vendosur. Për Shqipërinë, sigurisht. Se Hoshafi e Fejzo, vërtet janë ngrënë, por në fund ka vendosur dashuria…për artin, filmin, ‘Kapedanin’!
