I shoqëruar nga një delegacion i madh tregtar, Ambasadori i Tajvanit në Romë, Z.Stanley Kao, ishtë së fundmi në Tiranë për të marrë pjesë midis shumë takimesh me përfaqësues të qeverisë shqiptare, edhe në një ceremoni me rastin e krijimit të Shoqatës së Miqësisë Tajvan-Shqipëri.
Kao nënvizoi se këto dy vende, që nuk dinë shumë për njëri-tjetrin, duhet ta fillojnë nga diku dhe kjo Shoqatë është fillimi i këtij bashkëpunimi. “Ne duhet të punojmë fort dhe me zgjuarësi për ta zgjeruar këtë miqësi , pra është një detyrë me përfitim të ndërsjellë,” thotë Kao në një intervistë ekskluzive për DITA-n.
Gjithashtu Ambasadori Kao identifikon edhe mundësinë që ka Tajvani për të bashkëpunuar me Shqipërinë në fushën e eksporteve, hi-tech, industrinë ICT apo investime direkte. “Ne mund t’i plotësojmë nevojat e Shqipërisë me pajisje elektronike për konsumim të gjerë sepse tregu juaj është në zhvillim. Ndërkohë, ju doni të eksportoni dhe Tajvani është një importues dhe eksportues i mirë sepse ne jemi një portë hyrëse për në Kinë, Hong-Kong, Azinë e Jugut por dhe për në Shtetet e Bashkuara. Pra, ju mund të shfrytëzoni pozitën unike të Tajvanit”, thotë ai.
Kao nënvizon se për Tajvanin dhe sidomos për komunitetin e biznesit dhe veçanërisht për SME-të (bizneset e vogla e të mesme), të qënurit e pranishme në Ballkan ku është edhe Shqipëria ka një rëndësi strategjike.
-Si do ta konsideronit krijimin e Shoqatës së Miqësisë Tajvan-Shqipëri, një event që ju solli nga Roma në Tiranë së fundmi?
Mendoj se është një ngjarje e shënuar, një përmbushje sepse në vitet e dekadat e mëparshme, Shqipëria dhe Tajvani nuk kanë pasur pothuajse fare informacion për njëri-tjetrin. Dhe Tajvani ka bërë një rrugë të gjatë, dhe ka ende një rrugë të gjatë për të bërë. Kështu edhe Shqipëria. Sepse të gjithë ne kemi kaluar nëpër këtë periudhë tranzicioni në 10 dhe 20 vitet e fundit. Por Tajvani, duke marrë parasysh situatën e tij unike në arenën ndërkombëtare, ka përfshirë çdo vend që është i gatshëm të bëjë biznes me të duke përfshirë vende të tjera në Azi-Pacifik. Në fund të fundit, Tajvani është një vend i vogël por me një popullsi prej 23 milion banorësh. Dhe ne kemi qenë një faktor dhe aktor kyç në aspektin e tregtisë ndërkombëtare. Ndërkohë që po flasim, Tajvani është i 18-të në botë si një komb tregtar. Ne gëzojmë një shkëmbim të madh tregtar ndërkombëtar rezervë duke u renditur i katërti pas Kinës, Japonisë dhe Arabisë Saudite. Por ndërkohë, Tajvanit i duhet të qëndrojë konkurrues. Për Tajvanin dhe sidomos për komunitetin e biznesit dhe veçanërisht për SME-të, prania në Ballkan, ku është edhe Shqipëria, ka një rëndësi strategjike. Ndërkohë, midis shumë vendeve të tjera në këtë rajon, ne vumë re dhe besojmë se Shqipëria është më mendjehapur dhe më reaguese ndaj vizitorëve, turistëve dhe biznesmenëve tajvanezë. Ky është vetëm fillimi. Ne duhet të nisim nga diku dhe deri më tani, ne ndihemi shumë krenarë. Por Shoqata e Miqësisë Tajvan-Shqipëri është një shoqatë e lirë dhe kjo nuk do të thotë që ajo mund të jepet, ajo duhet të fitohet. Pra, ne duhet të punojmë fort dhe me zgjuarsi për ta zgjeruar këtë miqësi, pra është një detyrë me përfitim të ndërsjellë.
-Cilat janë fushat e bashkëpunimit që Tajvani shikon më me interes në Shqipëri? A e keni studjuar tregun shqiptar?
Mendoj se për shkak të pozicionit strategjik të vendit tuaj, bujarisë dhe miqësisë suaj, unë pata mundësinë të takoj me disa nga zyrtarët e lartë shqiptarë të nivelit ministerial, të gjithë të rinj, proaktivë dhe energjikë të cilët duan të shohin një Shqipëri ndryshe. Sidomos në aspektin e zhvillimit ekonomik. Dhe Tajvani mund të ketë diçka për të ofruar dhe për të punuar së bashku. Në fund të fundit, 20-30 vite më parë, Tajvani punonte fort dhe sot ne jemi bërë një nga 4 dragojtë e Azisë, një komb i fuqishëm hi-tech, një lojtar kyë në zinxhirin global të furnizimit dhe në industrinë ICT. Pikësëpari, PBB jonë gjenerohet kryesisht nga SME-të. Ne nuk kemi kompani të mëdha si SONY apo SAMSUNG. Por kemi SME shumë punëtore dhe inovatore. Ato duan të bëjnë biznes kudo. Gjithashtu ne mund ti plotësojmë nevojat e Shqipërisë me pajisje elektronike për konsumim të gjërë sepse tregu juaj është në zhvillim. Ndërkohë, ju doni të eksportoni dhe Tajvani është një importues dhe eksportues i mirë sepse ne jemi një portë hyrëse për në Kinë, Hong-Kong, Azinë e Jugut por dhe për në Shtetet e Bashkuara. Pra, ju mund të shfrytëzoni pozitën unike të Tajvanit. Tajvani dhe Shqipëria mund të bashkëpunojnë së bashku dhe ne padyshim kërkojmë investimet shqipëtare. Prandaj ne jemi këtu. Së bashku mund të identifikojmë fushat e bashkëpunimit dypalësh.
-Ju e përmendët dendur aftësinë teknologjike të vendit tuaj. A mendoni se mund të vendosim ura bashkëpunimi sidomos midis universiteteve tona?
Ne kemi takuar studentë shqiptarë që studjojnë në universitetet e Tajvanit. Ata studjonin me bursa në kuadrin e shkëmbimeve të programeve për mësimin e gjuhës kineze. Ky është një aspekt rreth të cilit ne do të punojmë jo vetëm me Shqipërinë por me të gjithë Europën Qëndrore dhe Lindore. Në cdo kohë, do të ketë studentë të shkencave kompjuterike, ICT apo gjuhës mandarin dhe kineze nga Republika Ceke, Hungaria, Polonia, Slovakia dhe nga Shqipëria që do të studjojnë në universitetet tona sepse ne besojmë se kemi programet më të mira për mësimin e gjuhës kineze në botë. Ky është vetëm fillimi. Në aspektin e bashkëpunimit midis universiteteve, ka shumë hapësirë për të punuar së bashku. Unë po shërbej në postin e Ambasadorit të Tajvanit prej 2 vite e gjysmë në Itali dhe gjatë kësaj kohe, po ndihmoj universitetet italiane të krijojnë marrëdhënie binjakëzimi me universitetet tajvaneze duke cuar në shkëmbim të rregullt midis profesorëve dhe studentëve me bursa. Ne patëm takime me disa studentë të shkëlqyer shqipëtarë këtu në Shqipëri dhe presim prej tyre propozime interesante për të bashkëpunuar.
-Shumëkush në Shqipëri thotë se Tajvani mbetet një kuriozitet për t’u shuar në Shqipëri. Sipas pikëpamjes suaj, si arriti vendi juaj t’ja dilte?
Ne arritëm të kemi një marrëdhënie me Kinën e madhe. Por ndërkohë ne duam të ruajmë fort identitetin tonë në interes të demokracisë dhe prosperitetin tonë. Nën rrethana të caktuara, se si të qëndrosh gjallë është një sfidë e madhe për Tajvanin. Por ne jo vetëm që qëndrojmë të gjallë por ne luftojmë për t’u bërë një nga lojtarët më të mirë në sferën e tregtisë ndërkombëtare dhe sektorit të teknologjisë së lartë. Pra, duhet të punojmë fort dhe me zgjuarsi. Dhe Tajvani ka një histori të mirë për të treguar. Nëse vizitoni këtë vend, do të shikoni se nuk është një shoqëri perfekte, ka edhe ajo kokëçarjet e saj. Por ne kemi diçka për të ndarë me fqinjët dhe miqtë tanë. Por ndërkohë ne nuk duam të merremi për të mirëqënë. Shumë nga vendet europianë ishin dikur kuriozë, bile edhe skeptikë për fatin e Tajvanit, marrëdhënies së saj të ardhshme me Kinën. Por Tajvani po qëndron në këmbë dhe deri më tani ka ecur mirë. Por ne duam t’i tregojmë botës “Hej, ne jemi gjallë dhe aktivë!”. Nëse doni ta trajtoni Tajvanin ashtu siç është, atëherë ky vend të pret me krahët e hapur dhe me një mendje të hapur. Kushdo që do të vijë në Tajvan është i mirëpritur. Disa kohë më parë, Komisioni Europian bëri njoftimin zyrtar për fillimin e bisedimeve me Tajvanin për investimet dypalëshe. Kjo është e paprecedentë. BE ka qënë hezituese në zgjedhjen e saj midis Tajvanit dhe Kinës sepse BE po negocionte me Pekinin. Por BE-ja është burimi më i madh i investimeve direkte në Tajvan. Dhe kjo e fundit është partneri i 4-rt tregtar i BE-së në Azi. Pra, nevojitej një propozim. BE ka qenë hezituese. Por më në fund të gjithë po e kuptojnë se Tajvani ka diçka për të ofruar, mund të ndihmojë dhe mund të bëjë dicka së bashku me BE-në. Pra, kemi të bëjmë me një ndryshim mentaliteti. Por nuk ka ndodhur akoma. Duhet të luftojmë shumë për këtë. Dhe ne mendojmë se kjo është e mirë edhe për palët e treta, edhe për Pekinin me të cilin ne kemi nënshkruar 23 marrëveshje tashmë për turizmin, lundrimin, fluturimin, investimet, të drejtën e pronës intelektuale e të tjera.
