Bitraj, personazhi emblematik i vjedhjes së thesarit të Bankës së Shqipërisë si të ish një hajdut pulash që me lehtësinë më të madhe kap dhe fut nën sqetulla çdo shpezë që i del përpara, na paska qenë pajisur dhe me një çertifikatë sigurie të nivelit më të lartë, atij që mban dhe kreu i SHISH-it. Ky është më i fundit lajm nga saga e zhdukjes së mbi 700 milionë lekëve, që edhe pse e konkurruar prej lajmeve të tjera që prodhon realiteti i përditshëm shqiptar, nga ato që jo pak kullojnë gjak dhe harbutëri njerëzore, sërish po është në krye të hit-lajmeve. Të dhëna të tjera do vijojnë të dalin, por pavarësisht se si e qysh, në vjedhjen e Bitrajt jemi të gjithë ne, kush më shumë e kush më pak, që ç`prej dy dekadash, nuk na punon mendja për gjë tjetër veçse si të kapim ndonjë lek, në çdo mënyrë, pa patur shumë drojë morale; si të kapim ndonjë vend pune, pa pyetur shumë nëse e meritojmë apo jo; se si të gllabërojmë ndonjë pronë, se si bëjmë ndonjë allishverish, se si ta marrim energjinë pa e paguar, ujin po ashtu; se si t`i shmangemi detyrimeve ndaj shtetit, se si të sajojmë ndonjë diplomë, se si të fallsifikojmë ndonjë dokument, se si të fitojmë pa punuar e pa u lodhur; një rend aktesh pra, që në finale na klasifikojnë si grabitës, derisa tentojmë të marrim atë që nuk e meritojmë. Si Bitraj. Vjedhja e tij nuk ka nisur me milionat e mara në thesar, por që me atë çertifikatën e sigurisë, të marrë kushedi në ç`mënyrë e më pas me kapjen e atij vendi pune. Kështu i nisim ambicjet tona dhe ne, derisa bitisim duke vjedhur vetëveten, siç kemi bërë në 23 vjet. Ndryshojnë vetëm mënyrat, stilet, metodat. Bitraj përfaqëson një prej tyre. Ai thjesht i është bashkuar ushtrisë së madhe të vjedhësve, me apo pa pushtet. Në thelb, Bitraj është i yni, e ne jemi “Bitraj”!
