A po ia luan “fenë” politika fesë?

redaktor

 

Nga Artan Xh. Duka

 

Është bërë rutinë ca si rutinë e bezdishme llomotitja e politikanëve vënd e pa vënd rreth besimit fetar ndonse me letra jemi shtet laik. Si kushdo, edhe ai është i lirë të besojë, praktikojë apo thjesht endet në kishë, teqe a xhami.  Ajo që stonon është mania për protagonizëm, fjalimet bozë të rastit, prirja për patronazh, rënie në sy apo PR mediatik etj që mund dhe të provokojnë qejmbetjeje teksa besimtarët krahasojnë “çfarë tha e bëri” këtu apo atje, ky apo ai, vjet a sivjet etj, ndërkohë që intimidojnë opinionin ateist e agnostiçist dhe provokojnë de-kohezion social. Ca e bëjnë se janë besimtarë, ca hallin mund të kenë tek vota, në të dyja rastet, si pushtetar apo të zgjedhur, ata prekin “tela” delikat.

 

“Hyjnëzim” politik

Vetëm Frojdi mund t’i jepte dum kësaj kuturisje politikanësh. Ndoshta ca prej tyre miklohen heshturazi nga “pushteti” i besimit dhe në subkoshiencë ndjehen mirë duke u bërë “njësh” me të! Ndoshta, sepse të mbetur në majë të “fikut” politik u hyn vetja aq në qejf sa të besojnë se janë të lindur për këtë punë dhe duke folur për fenë e tërhequr paralele asocioni (kur dy gjëra shfaqen bashkë, ato bëhen një) edhe ata konvertohen në “idhuj” me “grigja” pas! Ndoshta, i tmerron “mëkati” që mund të kenë bërë! Ndoshta ndjehen aq “zot” (në parlament futen nga dera apo dritarja sepse vota racionale mbetet sfidë e emancipimit demokratik) dhe adhurohen aq në delir nga elektorati, aq sa vetvetiu e besojnë dhe vetë (apo në subkoshiencë), se janë unikal, të “rënë” nga qielli etj vanitete pafund! Aq sa partitë shndërrohen në “kulte” ku lideri “shpirtëror” mban “shërbesa” rrethuar nga servilët “dishepuj” përballë “grigjës” fanatike të militantëve që ekzaltohen në delir.

Liria e besimit mbetet vlerë e çmuar në demokraci por besimi nuk ka pse shndërrohet në standart i “mëkuar” nga pushteti ndërkohë që mbetet çështje personale e mirëfilltë. Ky imponim e apel nga lart i nevojës së besimit që vë në siklet elektoratin ateist dhe agnostiçist (që nëse besojnë, i besojnë “perëndisë” Diell),  përveçse përpjekje e stisur, pozon edhe pikëpyetje për ecurinë e kohezionit social sikurse stonon me arritjet e iluminimit modern shkencor duke krijuar konfuzion në publik.

 

Identiteti kombëtar e tejkalon besimin

Besimi tek ne asnjëherë nuk e cënuar kohezionin social. Dihet, feja e shqiptarit mbetet shqiptaria! Dhe kjo nuk është trashëgimi moniste që duhet zhbërë si e tillë por historia e besimit në Shqipëri ku shteti mbetet laik.

Vetë sektarizmi monist i 1967 u rehatua më tej jo vetëm nga epërsia morale e emancipimit social të kohës ndaj konservatorizmit fetar tradicional (emancipimi gruas, martesat etj) por dhe nga fakti se historikisht besimi fetar nuk ka “ngjitur” në identitetin shqiptar sepse ai është njësuar me pushtuesin dhe asimilimin dhe jo emisarë apo  predikues “nomadë” paqësor. Nga ai romak, bizantin, osman etj, duke qënë shpesh dhe mjet për mbijetesë.

Nuk ndodhi si në Irlandë kur Shën Patriku kaloi detin dhe predikoi krishtërimin paqësisht, as si në Romën e lashtë kur perandori ilir e sanksionoi vetë atë si fe zyrtare etj. Tek ne erdhi me shpatë dhe iu kundërvu edhe vetë fetarëve patriot që donin që zoti të fliste shqip.

Besimi nuk ka nevojë për “stimul” nga lart. Ai ka mbijetuar në mijra vjet përballë sfidave edhe më të mëdha se monizmi ynë por ndërkohë prirja e politikës për të parcelizuar sot elektoratin në funksion të tij, aq sa jo-etike, përbën dhe një provokim të kohezionit social.

 

Darvini ku hyn tani!

Politikës nuk i takon të marrë anë në çështjet e ndërgjegjes. Argumenti se duhet futur mësimi fetar në shkolla kundër intolerancës që provokohet nga injoranca, nuk është shterrues. Intoleranca fetare nuk ka qënë problem tek ne (mburremi për të kundërtën) ndërkohë me preteksin e intolerancës, i bie që të studjohet edhe nazizmi e komunizmi sepse intoleranca padallim, fetare apo ideologjike, ka marrë në qafë me miliona njerëz kudo.

Politikanët duhet të respektojnë pa ekuivok ndjenjat e qytetarit ato në çfarë thonë dhe bëjnë. Edhe kur takojnë Papën dhe kërkojnë prej tij, edhe kur ngjitin Tomorrin e deklarohen për progres të pandalshëm të besimit, edhe kur u zënë derën kulteve dhe “recitojnë” me klerikët që tundin kokën pas kurrizit etj. E shtrënjtë është liria e besimit por po aq dhe laiciteti historik.

Bota po zjen dhe konfliktet fetare të provokuara nga ekstremistët, po shkaktojnë tragjedira njerëzore ndaj dhe larmia, harmonia fetare dhe toleranca mes feve dhe jo-besimtarëve duhet të jetë një “Monument. Ruhet nga shteti” që nuk duhet marrë e mirëqënë. Besimi ka nevojë për liri dhe jo faktorizim e “karikim” artificial nga lart dhe pasqyrime mediatike jo-profesioniste etj që veç mund të provokojnë segregimin dhe intolerancë poshtë.

Shteti nuk ka punë me rutinën e besimit përveç garantimit të lirisë së tij. Nuk ka pse përdor buxhet për të (për ironi ndaj taksapaguesit ateist), nuk ka pse favorizon në llogjistikë (parkime falas etj) e urbanistikë (qëndra e Tiranës e dominuar nga monumente kulti) etj.

Se të ishin sadopak fetarë këta politikanë, Shqipëria nuk do të ishte sot në këtë derexhe por në BE ndaj dhe qasja e tyre e sotme ndaj besimit, më shumë se përdëllim i sinqertë ngjan më shumë si tentativë për “kapjen” e shpirtit të votuesit, në mos iluzion nga paniku për të shlyer mëkatet e politikës abuzive në tranzicion.

E nëse u “gdhinë” fetarë të thekur, para se të predikojnë nga podiumet, le të rrëfehen e të na thonë përse dinosaurët nuk thonë asgjë dhe Darvini është demode, përse zgjodhën mes besimeve monoteiste të të tretëve dhe jo besimin politeist të Zeusit të parëve tanë pellazg, teksa të gjitha bazohen tek besimi etj.

Përtej debatit të përjetshëm rreth fesë, politika duhet ta lërë të qetë qytetarin në besimin e tij. Fundja, moralin politik të tranzicionit nuk e lidh gjë me moralin e besimit ndaj dhe kur politika e shpërdoron atë si sfond, thjesht stonon dhe ekspozohet më keq.

Share This Article
2 Comments
  • Përshendetje ! Permendet te gjitha fetë jo protagoniste duke nxjere Shqiperine dhe Shqiptaret nje specie e veçante . Te gjithe njerezit hajne buke edhe shkojne ne tualet qofshin evropiane qofshin arabe qofshin kieneze . Kush jeni ju o mediokra kryetare kooperativash qe vazhdoni me propaganda kembelepiresash per ti dhene mend nje populli qe u tall nga Fuqite e medha me 50 vjet ekperimente çnjerezore duke na sjelle mbi koke draper dhe çekan ndersa per vete tallshin loqet me demokracine e paarritshme per Vendet e Komuniste. Nga 90 deri tani 2017 feja ka qene nje siguri per shume familje jetimesh dhe per te varfer qe mezi siguronin nje te drejte hyjnore. Te drejten per te ngrene. Ku ishte Nocioni Shqiptari kur emigrantet iken nga Feja e tyre ne 90 ‘ troç i bene naften. Zemra e njeriut eshte e madhe dhe ka vend per kombin, per pasuri , per meshire , per dije per besim. Porse zemra eshte tekanjoze sepse dashuron ate qe i duket me e bukur. Mjaft me artikuj qe qelben me era myk analistash te antivlerave.
    Gazeta juaj nuk duhet te sjelle drite ne duart e lexuesve dhe artikuj : ” çfare uji i ke dhene gomarit”
    Feja ndryshon sepse nje komb ndryshon moshen e vet , vdesin pleqte lindin te rinj , te rinjte zgjedhin vete Zotin e tyre ,dhe e drejta e zgjedhjes se fese eshte e pamohueshme! Kete gje shpjegoajuni njerezve ju qe jeni akademike me thinja .

  • Komentuesi “GERI” ne nje faremase me te lumte,ajo llogjike qe shprehesh per fene dhe besimet fetare…
    Une do te theksoja se FETE jane besime te “PJESE te vecanta te popujve shume kombesh qe si shqiptaret me
    “,feja e shqiptarit eshte shqiptaria”atdheun kane te te gjitheve,feja PJESORE.Kushe ka ta mbaje e ta respektojne, ata te feve te ndryshme.
    Dhe gazetat,ATDHETARIZMIN”duhet te kene, mision te tyre,qe Gazeta “DITA” them se po e kryen.
    Ti mire e ke;e drejta e fese,eshte e pamihushme si dhe e drejtae ateishteve…
    C’resupozon demokracia e vertete-.Mesoeni!
    Kjo na duhet per kohen qe jetojme.

    Guri Naimit D.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *