Reformimi total si në mënyrën e ofrimit, ashtu edhe në atë të përftimit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor ishin dy prej premtimeve më të rëndësishme të fushatës së fundit elektorale. Më saktësisht, qytetarëve shqiptarë ju premtua kujdes shëndetësor falas dhe strategjia e zgjedhur për ta realizuar këtë premtim ishte shndërrimi rrënjësor i sistemit të kujdesit shëndetësor shqiptar prej një sistemi të bazuar në sigurimet shëndetësore, drejt një sistemi të bazuar mbi taksimin e përgjithshëm. Pas gjashtë muajve të parë të qeverisjes, pyetja më e natyrshme që bëjnë qytetarët dhe grupet e tjerë të interesit është: “A po rilind shëndetësia?”
Çfarë presin qytetarët?
Premtimi për shëndet falas mund të interpretohet në shumë mënyra. Dikush mund ta interpretojë si plotësim të gjithë nevojave shëndetësore të qytetarëve nga spitalet publike të vendit. Kjo është e paarritshme, jo vetëm në kushtet e sistemit tonë shëndetësor, por edhe për sistemet e vendeve më të pasura në planet. Mënyra më mirëkuptuese e intepretimit të këtij premtimi është synimi për të krijuar një sistem që garanton barazi në marrjen e kujdesit shëndetësor, përkundrejt sistemit aktual që penalizon të varfërit dhe të sëmurët. Në zbatim të premtimit për shëndetësi falas, administrata e re ka ofruar depistimin falas të qytetarëve mbi moshën 40 vjeç, një masë që, në perspektivë, pritet të ketë efekte të dobishme në shëndet. Një masë shtesë, e thjeshtë dhe me kosto të papërfillshme do të ishte edhe eliminimi i kategorisë së “pacientëve të pasiguruar”. Një pacienti që nuk paguan rregullisht sigurimet shëndetësore, i kërkohet të paguajë të ashtuquajturën “taksë të shëndetit” kur merr kujdes shëndetësor pranë institucioneve publike. Të sëmurët e pasiguruar (që përbëjnë edhe shtresën më të varfër të qytetarëve) do të përfitonin ndjeshëm nga eliminimi i taksës së shëndetit; për të gjithë këta pacientë kjo masë përkthehet edhe si “përfitim falas i kujdesit shëndetësor” dhe përmbushje e premtimeve elektorale.
Çfarë presin mjekët?
Pas qytetarëve, personeli mjeksor është grupi më i rëndësishëm i interesit në raport me sistemin shëndetësor. Nga pikëpamja e përfitimeve që nxjerrin nga sistemi, mjekët ndahen në tre kategori. Në kategorinë e parë, e cila përmbledh numrin dërrmues të personelit mjeksor, hyjnë “të paprivilegjuarit”; ata që përfitojnë vetëm pagën në fund të muajit dhe përballojnë volumin kryesor të punës. Në kategorinë e dytë, hyjnë mjekët dhe infermierët “me fat”; ata që ofrojnë shërbime për të cilat pacientët dhe familjarët janë të gatshëm të paguajnë nën dorë disa qindra apo disa mijëra lekë. Në kategorinë e tretë, hyjnë “të lindurit me këmishë”; një grup prej disa dhjetëra mjekësh në gjithë vendin të cilët përfitojnë shuma marramëndëse nga shfrytëzimi i pozicioneve klinike apo akademike. Përgjegjësia për dëmin, ndoshta të pariparueshëm, në imazhin e mjekut është pikërisht në rendin e kundërt me të cilin këto tre kategori u prezantuan. Ajo që presin mjekët dhe infermierët nga reforma është e njëjtë me atë që presin pacientët – trajtimin sipas parimit të barazisë me drejtësi. Jo të një barazie të tipit komunist ku të gjithë të paguhen njëlloj, por të eliminimit të një situate ku përfitimet e dikujt që punon në sistemin shëndetësor publik i kalojnë qindra herë përfitimet e dikujt tjetër që punon në të njëjtin sistem. Mjekët dhe infermierët e ndershëm janë në pritje të një reforme që do të vendosë qartazi gishtin mbi personat që gjatë dy dekadave të fundit e kanë diskretituar keqaz figurën e mjekut, me qëllim jo vetëm penalizimin e tyre, por, mbi të gjitha, për të parandaluar vazhdimin e rrënimit të sistemit. Metodat për të realizuar një gjë të tillë nuk mungojnë, përkundrazi janë të shumta.
Çfarë pret biznesi?
Në shëndetësi ka dy grupe kryesore të aktorëve privatë, të parët janë ofruesit privatë të shërbimeve shëndetësore dhe të dytët janë furnizuesit e pajisjeve, medikamenteve dhe materialeve të konsumit. Sikundër mjekët dhe infermierët, edhe këta ndahen në “të privilegjuar” dhe “viktima”. Në grupin e parë hyjnë jo më shumë se dhjetë deri pesëmbëdhjetë kompani të cilat diktojnë kushtet e lojës, fitojnë tendera, korruptojnë mjekë e menaxherë dhe korrin miliona euro fitime çdo vit. Në grupin e dytë hyjnë firmat të cilat eliminohen nga blerjet dhe tenderat; firmat të cilave, edhe kur fitojnë ndonjë kontratë, nuk u xhirohen paret në kohë duke i çuar drejt falimentimit. Çmimet monopol që imponon grupi i parë i kompanive kanë bërë që në Shqipëri medikamentet të kushtojnë disa fish në raport me vendet fqinje. Allishverishet midis pronarëve të këtyre firmave dhe drejtuesve të sistemit shëndetësor kanë bërë që spitalet shqiptare të ngjasojnë me “varreza pajisjesh mjeksore”, të cilat nuk ofrohen dhe pas nuk mirëmbahen sipas kushteve të kontratave. Rezultati: si mjekët ashtu edhe pacientët vuajnë mungesën e pajisjeve, medikamenteve dhe materialeve të konsumit, ndërkohë që një pjesë e klasës drejtuese të sistemit shëndetësor dhe pronarët e firmave të privilegjuara pasurohen. Biznesi i ndershëm, pjesa dërrmuese e klasës së biznesmenëve të shëndetësisë, pret nga reforma të njëjtën gjë që presin edhe pacientët dhe personeli mjekësor – në trajtim të barabartë dhe të drejtë në raport me ndarjen e burimeve që disponohen. Konkurrenca e ndershme do të bëjë që tenderat t’i fitojnë kompanitë që ofrojnë produkte më cilësore, do të çojë në uljen e çmimeve të pajisjeve dhe barnave dhe do të përkthehet në cilësi më të mirë të kujdesit për pacientët dhe qytetarët.
Përfundim
Konceptet si qasja universale apo barazia në përfitimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor nuk janë teori të padobishme. Zbatimi i një reforme në kujdesin shëndetësor që do të krijojë mundësi të barabarta për pacientët, personelin mjeksor dhe përfaqësuesit e biznesit, do kishte rezultate jashtëzakonisht pozitive. Mbi të gjitha, transparenca dhe garantimi i drejtësisë janë dy masa me kosto financiare zero, mjafton vullneti politik dhe ndershmëria e atyre që drejtojnë dhe menaxhojnë sistemin shëndetësor.

Asnje ndryshim deri tani.
Biometrik dhe Montal po vazhdojne me monopolin e Hemodializes:; VJEDHJE E MADHE:
Firma hajdutesh si Florfarma as nuk i dorezojne fare mallrat.
AS EDHE NJE GJE NUK MUND TE RILINDI PO NUK U DENUA KORRUPSIONI 8 VJECAR.
NE MJEKESI ESHTE PUNA KEQ SE I BIE TE DENOHEN ATA TE LSI-SE QE RILINDJA I KA VENE NE QOSHE, KESHTU QE DEL QE ESHTE NJE MASHTRIM I MADH.
Ka nje shenje dje per rilindjen e shendetesise. Veza mbi Petrit Vasilin, ministrin qe demtoi rende shendetesine me punesime pa kriter te ushtareve te LSI ne kurriz te punonjesve te kualifikuar. Doni shembuj : Shihni sa shume para paguan shteti sot per gjygjet e humbura nga shendetesia per pushime te pa drejta nga puna ne kohen e Levizjes Socialiste per Punesim.
Urime per artikullin. Eshte mese e vertete dhe te gjithe ne jemi bere me ose pa dashje viktima te nje sistemi shendetesor te kalbur ne gen. Reforma do te prek te privilegjuarit por, ata jane pakice. Aktualisht sot edhe pastruesja gjen mundesine te zhvase lek nga pacientet, hallexhinjte. Ne kete sistem eshte shume e rendesishme qe reforma duhej te kishte filluar. Themi keshtu pasi edhe sot spitalet nuk kane asnje medikament, edhe sot nuk ka nje levizje te shpejte qe te rrezatoje besimin te rilindja e sistemit shendetesor, edhe sot mjeku vazhdon ben pazar me jeten, edhe sot infermierit duhet te matesh ti thuash hajde shif pak serumin, edhe sot duhet te mendohesh ti thuash pastrueses me jep shtupin se e laj vet, edhe sot ,,,, edhe sot,,,,, mjeku te thote hajde te klinika ime pasdite. Si ka mundesi qe pajisje te cilat kushtojne mbi 400 mije $ gjenden te mjeke te cilet paradite punojne ne shtet dhe pasdite ne privat? A ka mundesi nje mjek me page 80 000 lek/muaj te arrije te ngreje klinike private? Perse ky standard? A nuk ka ardhur koha te zgjedhin: privat ose shtet? Sa te rinj perfundojne shkollen ne vit dhe mbeten rrugeve? Po, edhe mjeket e vjeter “Profesorat” jane kthyer ne kasape, jane kthyer ne xhambaze te paskrupullt, jane kthyer ne pelivane. A nuk eshte e udhes qe keta te perjashtohen nga sherbimi shendetesor? Besoj se reforma duhet te filloje me hetimin e klinikave private, kapitalin me te cilin jane mundesuar, te ardhurat vjetore, kursimet vjetore e me pas me “Arrestimin” e xhambazeve.
Duhet te arrestohet dikush te kene frike te tjeret. Ne fund te fundit, Shqiptaret e kane me frike.
Mjeksia jone eshte “kanceroze” ne gen
@altin
me pelqen rrugezgjidhja qe jep per korigjimin e sistemit. Nqs. je mjek gezohem qe ka te tille qe mendojne keshtu. Me vjen cudi qe njerez me mendime te tilla progresive, nuk kane mundesi ti bejne keto propozime prane qeverise, te mos them qe te jene ne qeverisje se me siguri te tille nuk i kane futur ne konkurs, dmth. ata me vlera.