Skema e pensioneve është një nga çështjet që shqetëson së tepërmi jo vetëm të moshuarit, por edhe të punësuarit. Raportet janë 1 me 1, pra një i punësuar duhet të mbajë një pensionist. Por kjo skemë shkon drejt dështimit dhe falimentimit, ndaj dhe një prej ekspertëve të fushës, Kosta Barjaba, jep mendimet e tij se si mund të dilet nga kjo situatë e krijuar. Barjaba këshillon rritje të punësimit, në mënyrë që raporti të kalojë 1 me 2, pra dy të punësuar të mbajnë një pensionist dhe më tej 1 me 3. Rritja e punësimit ndihmon skemën e pensioneve. Por Barjaba është kundër rritjes së moshës së pensionit, me ndonjë përjashtim në rastin e grave. Gjithashtu ai vë në dukje se nga pak më shumë se 1 milion të punësuar, vetëm 600 mijë prej tyre janë me skemën e sigurimeve shoqërore e që derdhin kontribute, kurse të tjerët janë në të zezë…
Zoti Barjaba, çfarë ka ndodhur këto 23 vite me sistemin e pensioneve në Shqipëri? A është zgjedhur një skemë e duhur, nëse jo cilat janë mangësitë?
Nga pikëpamja ligjore dhe e politikave, Shqipëria ka një skemë pensionesh bashkëkohore. Ne zbatojmë të njëjtën skemë publike (pay as you go) që zbatohet në shumicën e vendeve të industrializuara dhe të qytetëruara të botës. A është kjo skemë e përsosur? Natyrisht që jo. Por është skema më e përdorur dhe më efiçiente e sistemeve bashkëkohorë të pensioneve. Skema jonë e pensioneve është solidare, në disa pikëpamje. Ajo garanton një solidaritet midis brezave, sepse brezi i sotëm që punon, paguan për pensionistët. Skema garanton solidaritet midis gjinive sepse burrat kontribuojnë më shumë sesa gratë. Garanton gjithashtu solidaritet midis profesioneve sepse njerëzit që punojnë në profesione të vështira punojnë më pak si periudhë kohore dhe skema u garanton përfitime më të mëdha. Prandaj problemet që po përjeton sistemi i pensioneve në Shqipëri nuk lidhen me papërsosmërinë e skemës. Vështirësitë dhe rreziqet lidhen me kolonat e sistemit të mbrojtjes shoqërore të vendit, në të cilin skema e pensioneve është vetëm njëra. Problemet lidhen gjithashtu me menaxhimin e skemës së pensioneve, jo thjesht prej Institutit të Sigurimeve Shoqërore, por prej qeverive. Por shkaqet shkojnë edhe më tej, te modeli ekonomik i zhvillimit të vendit gjatë dy dekadave të fundit. Defektet e këtyre sistemeve rëndojnë mbi skemën e pensioneve. Kjo skemë, duke qenë kolona kryesore e sistemit të mirëqenies, vihet në vështirësi kur kolonat e tjera janë jofunksionale. Për të bërë një paralelizëm, ju e kuptoni ç’mund të ndodhë me një shtëpi, nëse trarët e çatisë janë copë-copë dhe arkitrau detyrohet të mbajë të gjithë peshën.
Megjithatë, skema përmban edhe disa papërsosmëri, të cilat janë krijuar nga politikat e mirëqenies dhe menaxhimi i skemës. Për shembull, ajo nuk është një skemë tërësisht kontributive. Kjo do të thotë që përfitimet, domethënë masa e pensionit, përcaktohen jo nga kontributet që ka paguar secili, por nga politikat sociale të qeverisë. Pra, skema është më pak kontributive sesa duhet dhe më shumë rishpërndarëse sesa duhet. Për të mos thënë që aty-këtu skema përmban edhe disa padrejtësi sociale. Për shembull, grupe të caktuar funksionarësh të lartë trajtohen në mënyrë të privilegjuar: kontribuojnë më pak në skemë, por përfitojnë më shumë prej saj. Kjo ndodh, pra, për arsye politike, jo për arsye kontributesh në sistem.
Ju kini pohuar shpesh publikisht se skema e pensioneve është në rrezik falimentimi. I qëndroni ende këtij konstatimi, që në fakt tingëllon si një alarm shoqëror?
Natyrisht që i qëndroj. Dhe për këtë pohim nuk mungojnë argumentet. Shikoni çfarë po ndodh brenda sistemit të pensioneve. Të gjitha palët ankohen në mënyrën e tyre dhe me shkaqe legjitime. Pensionistët ankohen se pensionet janë të ulta. Dhe kanë të drejtë. Pensioni minimal është rreth 12 mijë dhe maksimali rreth 24 mijë lekë. Ndërsa mesatarja e pensioneve të fshatit është rreth 7.8 mijë lekë. Ndërkohë, rreth 65-70 përqind e pensionistëve marrin pension minimal. Pra, skema po komprimohet drejt pensioneve minimale dhe po “i zihet fryma”. Duke pasur parasysh minimumin jetik, i cili në Shqipëri as llogaritet, as shpallet zyrtarisht, por që nga ekspertët njihet, rezulton që shumica e 554 mijë pensionistëve, me pensionet që marrin, nxjerrin vetëm gjysmën e muajit. Me se do jetojnë pjesën tjetër? Nga ana tjetër, kontribuesit në skemë ankohen se kontributet janë të larta. Me gjithë uljet e masës së kontributeve, krahasur me pagën dhe kushtet e jetesës së kontribuesve, ato mbeten realisht të larta. Por në skemën e pensioneve kemi edhe një faktor tjetër, buxhetin e shtetit. Ky i fundit vazhdon të rëndohet pambarimisht nga financimet me destinacion dhe kontributet me destinacion për skemën e pensioneve. Mjafton të përmendim se financimet e skemës së pensioneve nga buxheti i shtetit në vitin 2012 arritën në 36 miliardë lekë, duke u dyfishuar në krahasim me vitin 2005. Financimet buxhetore përbëjnë aktualisht rreth 27 përqind të të ardhurave të skemës së pensioneve. Një shifër e papranueshme dhe që nuk besoj se ndeshet në ndonje vend tjetër! Mund të analizojmë disa të dhëna të tjera? Gjatë periudhës 2006-2012 të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore janë rritur nga 38 miliardë në 48 miliardë lekë, pra rreth 26 përqind. Ndërsa shpenzimet janë rritur nga 50 miliardë në 90 miliardë, pra rreth 80 përqind. A mund të jetë jashtë rrezikut një sistem në të cilin shpenzimet rriten mbi 3 herë më shumë se të ardhurat? Pra, financimet buxhetore për pensionet jo vetëm janë të larta, por edhe rriten me shpejtësi. Në këto kushte, të mos e pranosh rrezikun e falimentimit të skemës së pensioneve është miopi, jo vetëm politike e profesionale, por edhe kombëtare. Dëshirojmë të bindemi se skema e pensioneve është në rrezik falimentimi? Le të imagjinojmë se ndërpriten për një vit financimet nga buxheti dhe le të dalë pastaj dikush ta mohojë këtë rrezik!
Si është raporti kontribues-përfitues dhe çfarë po bëhet për të përmirësuar këtë raport?
Me këtë pyetje e kini vendosur gishtin në plagën më të dhimbshme të skemës së pensioneve. Raporti kontribues-përfitues është në nivele më se kritike, 1 me 1. Kjo do të thotë që për çdo pensionist sot kontribon një i punësuar. Por raporti kontribues-përfitues nuk është thjesht një çështje numrash, por vizioni dhe politikash. Ajo që i ka munguar dhe i mungon ende sistemit të pensioneve në Shqipëri është sinergjia midis politikave të punësimit dhe politikave të pensioneve. Për të pasur një sistem mirëqënieje të qëndrueshëm dhe efiçient, duhen në rradhë të parë politika produktive punësimi. Punësimi duhet të furnizojë sistemin e pensioneve dhe sistemin e mirëqenies, sipas parimit të enëve komunikuese. Në Shqipëri shpesh herë ka ndodhur e kundërta. Janë bërë përpjekje të sforcuara që skema e pensioneve të bëhet rregullator i mirëqënies, madje edhe i punësimit. Këto përpjekje kanë dështuar dhe e kanë futur sistemin në kaos dhe skemën pensioneve në një rrugë pa krye.
Çështja e sinergjisë punësim-pensione nuk është një çështje teorike, por praktike. Le t’u referohemi disa të dhënavë zyrtare të sistemit. Shqipëria ka aktualisht një forcë pune më shumë se një milion persona. Kjo forcë pune, si rregull, duhej të ishte kontribuese e skemës së pensioneve. Por çfarë ndodh aktualisht? Nga 1.06 milion të punësuar, paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore rreth 650 mijë persona. Pra, rreth 400 mijë persona zyrtarisht të punësuar, nuk kontribojnë në skemë. Sikur vetëm këta persona që punojnë në të zezë “të zbardhen”, do të mjaftonte që skema e pensioneve të shëndoshej dhe të arrinte një raport optimal kontribues: përfitues 1 me 2. Ndërsa punësimi i rreth 300 mijë të papunëve do të bënte që skema të bëhet e qëndrueshme dhe tërësisht kontributive, duke synuar arritjen e një raporti kontribues-përfitues 1 me 2,5 dhe më vonë edhe 1 me 3. Prandaj, parashikimi i programit qeverisës, mbi bazën e programit elektoral të Rilindjes për hapjen e 300 mijë vendeve të punës nuk është një shifër që vinte nga kabinetet, por nga nevojat reale për zbutjen e papunësisë, shëndoshjen e skemës së pensioneve dhe qëndrueshmërinë e sistemit të mirëqenies.
Kemi një raport të KLSH-së që tregon se Instituti i Sigurimeve Shoqërore është keqmenaxhuar. Çfarë duhet bërë për të pasur një institucion efikas që merret me pensionet?
Në fakt, Instituti i Sigurimeve Shoqërore është prej institucioneve më të modernizuar të vendit, sidomos nga pikëpamja e investimeve që janë bërë për rritjen e kapaciteteve, kualifikimin e burimeve njerëzore, zhvillimin teknologjik dhe informatizimin e sistemit. Por investimet e kryera nuk kanë prodhuar rezultatet dhe nuk kanë përmbushur pritshmëritë që ka vendi, qeverisja dhe publiku për një sistem menaxhimi të skemës së pensioneve efiçient dhe transparent. Çështja e performancës së ISSH-së është një çështje teknike. Ajo që unë dëshiroj të nënvizoj është se performanca menaxhuese duhet të arrihet në korrelacion me përmirësimet e politikave, legjislacionit dhe kuadrit institucional të sistemit të pensioneve. Megjithatë, edhe teknikisht, mund të përsëris vlerësimin tim se ka një mospërputhje midis progresit teknologjik dhe kuadrit ligjor, institucional e burimeve njerëzore të sistemit të sigurimeve shoqërore në Shqipëri. Këto aspekte të fundit nuk arrijnë të ecin në një hap as me teknologjinë, as me kërkesat dhe standardet e një sistemi modern dhe efiçient të mirëqenies.
Momentalisht kemi moshën e daljes në pension 60 për gratë dhe 65 për burrat. Ka nisur të hapet diskutimi për zgjatjen e moshës së daljes në pension, si ju duket si ide?
Unë jam deklaruar publikisht disa herë kundër rritjes së moshës së daljes në pension. Ky nuk është një qëndrim thjesht politik apo programor, por profesional dhe njerëzor. Dhe nuk më mungojnë argumentet. Në parim, shtrimi i çështjes së shëndoshjes së skemës së pensioneve nëpërmjet rritjes së moshës më duket, tani po flas gjuhën e profesorëve të mi të administrimit publik të Universitetit të Harvardit, një zgjidhje teknike dhe jo adaptive. Skema nuk mund të fuqizohet me një të rënë të lapsit dhe një rritje mekanike të moshës. Nga ana tjetër, kapja pas rritjes së moshës do të thotë të kapesh nga pasojat e sëmundjes që ka skema dhe jo nga shkaqet e saj. Pra, duke qenë se raporti kontribues–përfitues është problematik, për ta zgjidhur këtë situatë nuk synohet të rritet numri i kontribuesve, por të ulet numri i përfituesve. Kjo më duket një shtrim së prapthi i problemit. Prandaj nënvizova më lart se skema fuqizohet nëpërmjet hapjes së vendeve të reja të punës dhe jo pakësimit artificialisht të numrit të pensionistëve. Përveç argumenteve parimorë, dëshiroj të nënvizoj edhe disa argumente të kontekstit shqiptar. Së pari, mosha e daljes në pension në Shqipëri është në nivele optimale, krahasuar me vendet e tjera të Evropës. Vetëm katër vende, Islanda, Irlanda, Norvegjia dhe Izraeli, kanë moshën e daljes në pension mbi 65 vjeç. (66 ose 67) Madje, shumica e vendeve evropiane e kanë moshën e daljes në pension për burrat nën 65 vjeç. Së dyti, Shqipëria ka një nivel shumë të lartë të papunësisë rinore, mbi 50 përqind. Rritja e moshës së pensionimit do ta vështirësonte edhe më tej punësimin e të rinjve të shkolluar, energjikë dhe të motivuar. Së treti, produktiviteti në punë i moshave mbi 65 vjeç është shumë i ulët krahasuar me produktivitetin e moshave të reja. Së katërti, grup-moshat mbi 55 vjeç kanë një shkallë papunësie më të lartë krahasuar me grup-moshat e tjera. Praktikisht, shumica e personave 60-65 vjeç që janë në prag pensioni, janë aktualisht të papunë. Rritja e moshës nuk është se i mban ata në tregun e punës, por i pengon të përfitojnë nga sistemi i mirëqënies. Në këtë mënyrë, ndaj këtyre grup-moshave të papuna kryejmë jo një rritje moshe, por një masakër sociale të heshtur, duke i lënë pa burime jetese. Së pesti, rritja e moshës do të sjellë automatikisht një evazion kontributiv: të punësuarit do të priren të mos paguajnë kontribute. Së gjashti, kjo do të përbënte edhe një mos sinqeritet qeverisës: njerëzit kanë hyrë në punë me një sistem pensioni e kontributesh dhe detyrohen të dalin me një sistem tjetër. Prandaj zakonisht reformat e pensioneve janë afatgjata: projektohen sot dhe fillojnë të zbatohen pas më shumë se një dekade. Megjithatë, ka një mundësi ndërhyrjeje në kufijtë moshorë për gratë. Nuk është e detyrueshme që diferenca të jetë 5 vjet, por mund të bëhet 2 ose 3. Me sistemin aktual gratë kanë një periudhë përfitimi 21 vjet (dalin në pension në 60 vjeç dhe jetojnë mesatarisht 81 vjet), ndërsa burrat 13 vjet (dalin në pension në 65 vjeç dhe jetojnë mesatarisht 78 vjeç). Mosha e grave mund të rritet në 62-63 vjeç, por duke ofruar mundësinë që gratë, sidomos ato në sektorin prodhues, shërbime e punë të vështira, nëse dëshirojnë, të dalin në pension edhe në moshen 60 vjeç.
A mund të rekomandoni ndonjë rrugë tjetër për fuqizimin e skemës së pensioneve?
Përveç plotësimit të tri kolonave dhe fuqizimit të sektorit privat të pensioneve, ka edhe një rrugë tjëtër, madje më eficiente të fuqizimit të skemës së pensioneve. Është një mundësi që në mënyrë embrionale përmbahet edhe në legjislacionin aktual për pensionet. Por që për arsye konservatorizmi, hezitimi apo paaftësish qeverisëse nuk po zbatohet. E kam fjalën për alternativat e përdorimit të fondit të pensioneve. Ligji aktual parashikon mundësinë e përdorimit të tij për investime. Por e kufizon këtë mundësi, duke e kushtëzuar me sigurinë e investimeve. Kuptimi mbi investimet e sigurta ka evoluar qyshse është përgatitur ligji për sigurimet shoqërore në Shqipëri. Gjatë viteve të fundit në botë janë krijuar fonde investimesh dhe hedge funds, të cilat kanë revolucionarizuar institucionet dhe botën e financave. Këto fonde mund të menaxhojnë edhe fondin e pensioneve. Për të mundësuar këtë alternativë, nuk kërkohet heroizëm, por inteligjencë. Së pari, fondi rezervë duhet të shkojë në kufirin e tij ligjor sepse asnjëherë nuk ka qenë në këfi. Së dyti, përveç sigurisë, legjislacioni duhet të parashikojë efiçiencën dhe fitimin maksimal të përdorimit të fondit të pensioneve. Së treti, legjislacioni duhet të mundësojë menaxhimin e fondit edhe nga fonde investimesh jashtë vendit. Ky fond mund të shumëfishohet me shpejtësi, nëse menaxhohen nga një fond investimesh ose hedge fund. Në këtë mënyrë, skema do të fuqizohet dhe do të shtohen burimet për rritjen e pensioneve, jo në mënyrë thërrimoro-elektorale prej qeverive, por nëpërmjet burimeve që krijon vetë fondi i pensioneve.
Mosha e pensionit
“Nuk është e detyrueshme që diferenca të jetë 5 vjet, por mund të bëhet 2 ose 3. Me sistemin aktual gratë kanë një periudhë përfitimi 21 vjet (dalin në pension në 60 vjeç dhe jetojnë mesatarisht 81 vjet), ndërsa burrat 13 vjet (dalin në pension në 65 vjeç dhe jetojnë mesatarisht 78 vjeç). Mosha e grave mund të rritet në 62-63 vjeç, por duke ofruar mundësinë që gratë, sidomos ato në sektorin prodhues, shërbime e punë të vështira, nëse dëshirojnë, të dalin në pension edhe në moshen 60 vjeç”.
Skema e pensionit
“Sikur vetëm këta persona që punojnë në të zezë “të zbardhen”, do të mjaftonte që skema e pensioneve të shëndoshej dhe të arrinte një raport optimal kontribues: përfitues 1 me 2. Ndërsa punësimi i rreth 300 mijë të papunëve do të bënte që skema të bëhet e qëndrueshme dhe tërësisht kontributive, duke synuar arritjen e një raporti kontribues-përfitues 1 me 2,5 dhe më vonë edhe 1 me 3.”
Niveli i pensionit
“Duke pasur parasysh minimumin jetik, i cili në Shqipëri as llogaritet, as shpallet zyrtarisht, por që nga ekspertët njihet, rezulton që shumica e 554 mijë pensionistëve, me pensionet që marrin, nxjerrin vetëm gjysmën e muajit.”
84.4 miliardë lekë duhen për Pensionet, vetëm 51.3 miliardë janë Kontributet
A do të kemi reformë në pensione apo do të mbetemi me skemën e vitit 1993? Do të thoshte kosto politike edhe për një qeveri të përgjegjshme dhe transparente, përfytyroni, ç’bëhet në kushtet e një qeverie të papërgjegjshme me shpenzimet dhe të errët si pusi me informacionin që duhet të ndajë me publikun. E thënë “trashë”: Paratë që duhen për të paguar pensionet dhe ato që janë kontribute në Sigurime për pensionet, duhet të ishin të barabarta. Kjo e bën skemën funksionale. Por si është aktualisht raporti: Pensione-Kontribute? Këtë vit buxheti për pensionet është 84.4 miliardë lekë, nga të cilat vetëm 51.3 miliardë lekë janë të ardhura nga Kontributet. Plot 33.1 miliardë lekë të tjera merren nga buxheti i shtetit, dmth nga taksat e tjera të shqiptarëve (duke krahasuar treguesit e këtij viti dhe të vitit të ardhshëm vëmë re një rritje prej 4.4 miliardë lekësh). Kjo diferencë, ky deficit që rritet nga viti në vit për shkak të rritjes së numrit të pensionistëve, po tensionon buxhetin duke e bërë emergjente reformën. Politikisht, reforma në sistemin e pensioneve duhet të bëhet përmes një formule të përkrahur nga të gjitha palët. Ky ka qenë mendimi i përfaqësuesve të Bankës Botërore për Shqipërinë. Pra, skema e pensioneve mund të konsiderohet tashmë një dështim. Skema e sigurimeve shoqërore nuk ka ndryshuar që nga viti 1993. Reforma, sipas pikënisjeve paraprake mund të fillojë që nga një rritje e lehtë e moshës së pensionit deri në reformimin total të skemës.
13 shkeljet e ISSH sipas KLSH-së
Instituti i Sigurimeve Shoqërore është keqmenaxhuar. Ky është konstatimi që vjen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Gazeta “Dita” ka zbardhur të gjithë abuzimet e vërtetura nga KLSH për Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Këto abuzime konstatohen si në mbledhjen e të ardhurave ashtu dhe në shpenzimet për përfitime.
Në mbledhjen e të ardhurave:
1. Mos realizimi të ardhurave të programuara nga shmangia e pagesës së kontributeve nga të punësuarit në subjektet privat, ka sjellë një nivel mjaft të ulët të numrit të kontribuesve që mblidhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
2. Gjendja e detyrimeve të kontributeve të papaguara nga subjektet private në fund të vitit 2012 është 8,054,030 mijë lekë dhe vetëm në këtë vit janë shtuar këto detyrime me 320,089 mijë lekë.
3. Në mbledhjen e kontributeve është konstatuar problem shqetësues edhe mosdorëzimi i listëpagesave nga subjektet e biznesit të vogël e të madh, sidomos të listëpagesave tremujore të biznesit të vogël.
4. Të ardhurat nga të vetëpunësuarit në bujqësi janë programuar 2,550,000 lekë dhe janë realizuar 2,163,686 lekë ose 84.9%, me një mosrealizim prej 386,314 lekë.
5. Është konstatuar një numër mjaft i lartë i personave që nuk përfshihen në skemën e Sigurimeve Shoqërore në fshat. Numri fizik i personave që nuk kanë paguar kontribute si persona të vetëpunësuar në bujqësi për viti 2012 është rreth 111, 709 persona.
6. Të ardhurat nga sigurimi vullnetar janë realizuar 93.9 %, me një mos realizim prej 23,331 mijë lekë. Mos realizimi i të ardhurave ka ardhur ne mënyrë të drejtpërdrejt nga mosrealizimi i numrit të personave të siguruar.
Në shpenzimet për përfitime:
1. Në disa raste është konstatuar se sigurimi i barrëlindjeve bëhet paslindjes me qëllimin e përfitimit të raportit mjekësor.
2. Shpenzimet për “Pensione” në total janë programuar në vlerën 71,707.9 milion lekë dhe në fakt janë shpenzuar në vlerën 71.631.6 milionë lekë, ose në masën 99 %. Por në krahasim me realizimin e vitit 2011, programi i vitit 2012 është rritur në vlerën 4,240 milion lekë.
3. Janë konstatuar probleme në vendimmarrjet e KMCAP, Rajonale dhe Eprore, të cilat kanë sjellë raste të shumta informaliteti në dhënien e pensioneve të invaliditetit.
4. Në vitin 2012 shuma e shpenzimeve për komisione të pagesave të përfituar nga Posta Shqiptare për shërbimin e pagesave të pensioneve janë në vlerën 499.3 milionë lekë.
5. Nga rritja e inflacionit të vitit 2012, shpenzimet për pensione u shtuan për 4,476.4 milionë leke ose 5.4 %, më shumë se viti 2011. Rritja e pensioneve nuk ka ardhur në raport të drejtë me rritjen e inflacionit të këtij viti, pasi pensionet janë rritur 5.4 %, ndërsa inflacioni sipas INSTAT është 3 deri në 4 %.
6. Gjatë vitit 2012, ka pasur shtesë të shpenzimeve edhe nga rritja e numrit të përfituesve në skemat e pensioneve në krahasim me vitin 2011, por rritja nuk është shoqëruar me rritje të numrit të kontribuesve.
7. Për vitin 2012 numri i personave të mbuluar me kontribute të buxhetit të shtetit për kategori të veçanta personash është 33,394 persona dhe rreth 50 % të këtij numri e përbëjnë, ushtarakët dhe ish-punonjës të nëntokës.

Shpjegim i sakte !
Mire se erdhe Z. Bajraba & suksese.
kosta eshte ekspert i shkelqyer dhe njohes e kontribues ne shume fusha,si te tregut te punes ku u sulmua politikisht nga sala se deklaroj qe shqiperia ka nje milion te papune.I emigracionit dhe i fushes se sherbimeve sociale.
Ku jane kelushet e qeverise se kaluar qe thone se Shqiperia ja kalon europes ku eshte sali hajdari me ridvan trapin qe thone se bilancat e shtetit jane ne nivel te kenaqshem,kapini hajdutat qenet dhe varini ne sheshin nene Tereza se per aty jane keta tradhetare qe e kane katandisur Shtetin ne kete fare dite.Mos u nepni rroge konfiskojani,vilat,pallatet lluksoze qe kane,te gjitha parate qe i kane neper banka jashte vendit,e te shohin pastaj se si rroka ky popull qe e kan katandisur ne kete gjendje.
Kosta eshte nje nga mendjet me te ndritura te kombit. Ka qene ish presori im dhe kam respekt te vecante mbi te gjitha per thjeshtesine miresine e tij si person. Ju uroj shume suksese!
Te fillojne konfiskimet dhe pastaj ta shikojme si jeton populli shqiptar.Nuk po e kuptojme po kjo eshte shume e thjeshte.
Marrim Sali kreminelin:23 vjete pune per sa lek ka marre ne muaj per punen qe ka bere ne funksionet qe ka kryere,del shuma e lekeve.
Te llogariten te gjitha pasurite qe ka ky kreminel.te behen diferencat dhe ato ti sekuestrohen pa buje dhe rremuje se nuk jane te tijat.Pastaj a i ka vjedhur a i ka nga burime te tjera ti gjeje gjykata ne baze te ligjit.
E ne se doni shqiperi beheni jo njeri i nenes dhe tjeteri i njerkes.ne se do vazhdoni me demagogji vaxhdoni por mire se kini.Ne shqiperi nuk duhet shume llafollogji se nuk degjon njeri por vepra konkrete dhe populli jone eshte shume i ndjeshem nga veprat sidomos nga ato qe kane te bejne me mirqenjen se tani kane pare edhe europen dhe nuk kane shume nevoj per kallauz.
Jam dakord me analizen e zotit Barjaba te problemit te pensioneve, me dy tre diferenca te vogla ne opinion. Nje ceshtje e cila nuk eshte prekur nder vite dhe ne kete interviste eshte dhe ajo e pensioneve te fshatareve te cilet vazhdojne te marrin pensione me te vogla se ato te bashkemoshatareve te tyre te cilet kishin banuar ne qytet para viteve 90-te ose punonin ne ndermarrje shteterore. Kjo kategori (ish-koperativistet) eshte diskriminuar vazhdimisht edhe pse nuk ishte ne doren e tyre te zgjidhnin ku punonin. Ndoshta eshte shume vone, por nje zgjidhje ndoshta egziston per kete shtrese te diskriminuar perjetesisht…
Cfare thote ky zoteri qe me “modesti” ta permend se ka qene ne harvard : qe shqiperia t ja besoje menaxhimin e pensioneve te thata te shqiptareve fondeve spekulative amerikwne (hedges funds) ??? Madofeve, Enroneve, goldman sakseve apo lehman brothersve amerikane? Ne cilin planet jeton ai qe s e ka vene re qe Toka ka 5 vjet qe s po e merr veten nga tsunami i finances spekulative? Si mund te imagjinohen idiotesira te tilla? Cfare garancie ka se shqiptaret do te shikonin leket e tyre pasi te ishin bere rrush e kumbulla ne bursat boterore? Pensionet tona nuk jane te financuara thote profesori. Por a s e thote po ai vete qe shteti financon me 27%? Po shteti i kujt eshte a nuk eshte i shqiptareve qe e mbajne me taksa? Po e pame b.then keq do ndalojme buxhetin per mbrojtjen per ambasadat per kulturen dhe fondet do ja kalojme pensioneve. s di leme pleqte te vdesin urie mos thoni marrezira. duhet nje reforme dhe ajo do behet : rritje moshe e shtim kontributesh ne madhesi e thellesi. si e gjithe bota. s na the gjera te ndritura profesor. respekte GB
Perse thote se shteti kompeson per ushtaraket dhe minatoret…Eshte e ditur se te pakten ushtaraket paguajne nga rroga e vet,sot,mbi 26% te te ardhurave.Kete shifer,Zoti Barjaba nuk e marrin nese dalin ne asistence,a pension.Kjo eshte e lexuar te Kadri Muka,ekspert i te drejtave pensionale te ishushtarakeve.
Pensionet tek ne krahasuar me vendet e rajonit, me plot goje duhet te quhen si asistence sociale, per faktin se nje pensionist me pensionin qe mer neqoftese zbriten : kafeja qe pi,duhani,ilaçet e pa rimbursuara qe jane te pa diskutueshme per çdo pensionist ,si dhe taksat per uje,drite,telefon,perfundimisht dalin zbuluar dhe pensionisti duhet te prese bileten per ne varezat.Kjo eshte fatkeqesia ose koha mizerjes absurde qe jetojne pensionistet vetem ne shqiperi.
Dhe kjo ne veçanti, eshte merite e qeverisjes se ndritur te sali berishes,haram e paste kafshaten qe ju ka vjedhur pensionisteve.
eshte mire qe pensionet te jene sipas kontruibutit dhe jo te barabart, kjo do studjuar dhe te shihet mundesia per venien ne zbatim.e dyta niveli pagave te pensioneve si per fshatin dhe qyutetin jane minimale me shtetet e tjera dhe te pa perballueshme per jetesen.