Çfarë po i kërkohet popullit shqiptar?! Si mund të analizosh i qetë kur sheh një parti që pas 8 vitesh vrasjesh e vjedhjesh i kërkon votën popullit?!!
I kërkohet popullit t’ia sanksionojë e legjitimojë, nëpërmjet votës, pushtetin një skote oligarkësh të krimit dhe rrugaçësh ndërkombëtarë. Sa më të plota e të turpshme t’i kenë këta zhurmëtarë dështimet, sa më të rënda e të papranueshme shkeljet e ligjit, aq më të mëdha u dalin ngërdheshjet dhe fotografitë në ekrane e media.
Pikërisht kur janë bërë publike krimet dhe bashkëfajësia e kryeministrit të sotëm dhe e “shokëve të tij të armëve” në këto krime; e pikërisht kur Shqipëria rezultoi të ishte vendi më i korruptuar në një anketë të përbotshme?!
A seriozisht e kanë?! – pyes veten. Si mund të ndodhë që të kërkosh të fitosh prapë kur duhet të jesh prapa hekurave të burgut?! Neveri duke i parë se si nuk reshtin së gërryeri me dhëmbë kafkat njëri-tjetrit, të mbërthyer për jetë a vdekje në betejën titanike të… zgjedhjeve zgjedhjeve zgjedhjeve, si riprodhim të “demokracisë” shqiptare.
Në të vërtetë, këto vitet e fundit mjaftojnë për të bindur edhe më entuziastët se regjimi i tanishëm në Tiranë nuk ka të bëjë fare me demokracinë, por është një oligarki që mbahet në këmbë me paratë e krimit nga njëra anë, e (deri para pak javësh) me vullnetin oportunist të Evropës dhe të organizmave ndërkombëtare nga ana tjetër.
Teatrit të politikës shqiptare sot i përshtatet për bukuri përshkrimi lakonik që i pati bërë një sociolog amerikan Meksikës së viteve 1980, me fjalët se “jeta publike atje nuk është veçse abuzim me paranë për të fituar pushtetin dhe abuzim me pushtetin për të fituar paranë.” Në rrethana të tilla, zgjedhjeve “të lira dhe demokratike” u kërkohet të kompensojnë për qeverisjen katastrofike të Berishës & Co., ashtu si më parë të Nanos & Co., dhe paralizën e dialogut midis palëve kundërshtare, e cila e degradon jetën politike të atjeshme në një “luftë pozicioni”.
Mirëpo abuzimi me disa forma mekanike të demokracisë nuk është demokraci por demokraturë; dhe zgjedhjet, po të shkëputen nga procese të tjera të pjesëmarrjes së publikut në qeverisjen e vendit e të komunikimit midis forcave politike dhe institucioneve, do ta largojnë përfundimisht këtë publik nga politika, duke e katandisur sistemin në një tirani të kulluar; çka tregon edhe se demokracia nuk u “instaloka” dot në një shoqëri ashtu siç “instalohet” diktatura.
