Ky mbetet sërish një nga misteret më të mëdha: Ku u fsheh Fatos Nano pas sulmeve të 14 shtatorit të vitit 1998?
Historiani Fred Abrahams, në librin e tij “Shqipëria e re”, shkruan edhe për këtë çështje.
Pjesët e librit janë zbardhur nga gazeta Panorama.
“Një turmë përkrahësish të PD-së marshoi te Ministria e Brendshme, ku njerëz shtinë me pistoleta në ajër, gjuajtën me gurë dhe i vunë zjarrin një makine. Një demonstrues u vra dhe katër policë u plagosën. Protestuesit vazhduan gjatë bulevardit, drejt zyrës së Nanos.
Qeveria po bënte një mbledhje urgjente në kat të dytë, kur mbërriti turma e azdisur. Ministri i Brendshëm, Perikli Teta, po paraqiste një raport, kur gurët thyen xhamin e dritares pas tij, duke ia çuar në kurriz ciflat e xhamit. “Po e ndërpresim mbledhjen për t’u marrë me situatën”, kujtoi Teta, fjalët e Nanos.
Rojet qëlluan në ajër, teksa Nanoja dhe ministrat e tij dolën me shpejtësi përpara. Disa shkuan në Hotel Rogner aty pranë dhe të tjerët në zyrat e tyre. Teta u kthye në Ministrinë e Brendshme, ku do të kalonte natën për dy javët e ardhshme.
Se çfarë bëri Fatos Nano në atë moment, mbetet çështje debati. Sipas disa anëtarëve të qeverisë, ai u arratis në Maqedoni, ose të paktën shkoi me makinë deri afër kufirit. Sipas shefit të atëhershëm të SHIK-ut, Fatos Klosi, Nano kërkoi strehë nga një mik dhe sipërmarrës në Durrës. Nanoja e preku këtë çështje pas 12 vitesh në një intervistë televizive, duke thënë se e kishte kaluar natën në një rezidencë qeveritare pranë kufirit me Maqedoninë. “Vendimi i marrë nga grupi i shoqërimit dhe personi që po mbronte është i justifikueshëm në kushte emergjence dhe të mosfunksionimit të shumë strukturave mbështetëse,” tha ai.”
