Prokuroria e Korçës dërgoi dje për gjykim kërkesën ndaj ish-zyrtares vendore Lisabeta Vezuli, përgjegjëse për Ndihmën Ekonomike të Personave me Aftësi të Kufizuar (PAK) në Bashkinë Leskovik, akuzuar për “shpërdorim detyre”. Nga hetimi ka rezultuar se e pandehura, nëpërmjet veprimeve të saj, u ka dhënë në mënyrë abuzive rreth 43 familjeve dhe mbi 25 personave, përfitime financiare në kundërshtim me ligjin. Nga veprimet e të dyshuarës Vezuli, që po hetohet në gjendje të lirë, shtetit i është shkaktuar një dëm financiar në vlerën rreth 4 milionë lekë të reja. Mësohet se edhe gjykimi i ish-përgjegjëses së zyrës ekonomike në Bashkinë leskovik do të bëhet në gjendje të lirë. Prokuroria e Korçës e ka nisur këtë hetim në vjeshtën e vitit të kaluar, bazuar në kallëzimin e dorëzuar nga Shërbimi Social Shtetëror pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Një kontroll auditi në listat e banorëve dhe përfituesve, zbuloi se Vezuli ishte përfshirë në një skemë abuzimi duke futur edhe familje që nuk e meritonin ndihmën financiare dhe që nuk kishin invalidë si pjesëtarë. Hetimet zgjatën më shumë se shtatë muaj dhe u morën në pyetje zyrtarë, ish-zyrtarë dhe vetë përfituesit e parave.
Abuzoi me ndihmat e Invalidëve, në gjyq ish-përgjegjësja e Bashkisë Leskovik
