Abuzojnë edhe spitalet, i hedhin në koshat e plehrave

anazapta

Pas rrugëve nacionale, aksioni për pastrimin e mbetjeve zhvendoset në ambientet e spitaleve. Për vite me radhë këto të fundit janë bërë një burim shqetësimi, si dhe kërcënim serioz për shëndetin e pacientëve, si rrjedhojë e hedhjes së materialeve mjekësore në të njëjtin vend me plehrat e zakonshme, teksa nuk mungon edhe hedhja e tyre nëpër tarracat e ballkoneve, apo ambienteve të tjera përreth spitalit. Shiringa, materiale shëndetësore nga më të ndryshmet dhe dorashkat mbushin kazanët e plehrave, ndërkohë që ato duhet të grumbullohen në mjedise të posaçme, për t’u përpunuar në autoklava, gjë e cila në të shumtën e rasteve nuk ndodh.

Duke lajmëruar nisjen e aksionit njëherësh në të gjitha spitalet publike të vendit, Inspektorati i Mjedisit ka zbarkuar gjatë ditës së djeshme në ambientet e QSUT-së, ku dhe ka komunikuar ndërmarrjen e masave të forta ndëshkuese në rast se klinikat spitalore nuk do të respektojnë kriteret që përcakton ligji për trajtimin e këtyre mbetjeve. Inspektorati i Mjedisit, i shoqëruar nga Inspektorati i Shëndetit Publik nisën dje zyrtarisht inspektimin në të gjitha spitalet publike, i cili ka në qendër të vëmendjes verifikimin e mënyrës së trajtimit të mbetjeve spitalore. Në 52 spitale publike në 12 qarqe filloi inspektimi nga koordinatorët e kontrollit pranë Inspektoratit të Mjedisit dhe Drejtorët e Agjencive Rajonale Mjedisore, për të parë nga afër menaxhimin e mbetjeve spitalore. Gjatë inspektimit, janë bërë konstatime se sa është sasia e mbetjeve që gjenerohen, sa mbetje prodhon një spital dhe sa nga këto mbetje trajtohen. Inspektimi bazohet në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 798 datë 29.09 2010, sipas të cilit të gjitha subjektet që gjenerojnë mbetjet janë të detyruar të hartojnë planin e menaxhimit dhe mënyrën e trajtimit të tyre.

I pranishëm në inspektimin që u bë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza,” Tiranë, ishte kryeinspektori i mjedisit, Ergys Agasi, ku ka deklaruar se mbetjet spitalore janë një ndër objektivat kryesore të mjedisit, që pritet të marrë zgjidhje në 200-ditshin e qeverisjes: “Aksioni vjen si pasojë e një situate të rënduar përsa i përket mbetjeve spitalore në vend. Inspektorët janë shpërndarë në të gjithë vendin. Ka shumë subjekte që shkelin rregullat.

Aksioni ynë është në fazën fillestare dhe në përfundim të tij nëse nuk plotësohen kriteret për mbetjet do të merren masa drastike. Do t’i shkojmë deri në fund për t’i dhënë  njëherë e mirë fund kësaj situate. Subjekte të cilat nuk i trajtojnë dhe nuk janë të pajisur me leje mjedisore do të merren masa drastike me gjobat maksimale dhe deri në mbylljen e aktivitetit”, ka deklaruar Agasi. Sipas të dhënave të detajuara nga autoritetet e mjedisit rezulton se Rreth 80 tonë mbetje të rrezikshme në vit përpunohen në autoklave dhe 5 tonë të tjera anatomike. Vendosja e koshave, ku mbetjet ndahen sipas përbërjes së tyre në spitale, është hapi i parë. 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *