Acari siberian, të paktën 9 viktima nëpër Ballkan e Europë

Leda Hysa

Thuajse e gjithë Europa dhe Ballkani po përballet me motin e keq. Në Greqi tre persona kanë humbur jetën si pasojë e stuhisë së borës në juglindje të Athinës.

Temperaturat në Greqinë qendrore dhe veriore kanë mbetur nën zero prej pothuajse një jave. Dëbora e madhe ka ndërprerë shërbimet e transportit dhe fluturimet janë detyruar të devijohen në veri të vendit.

Në disa qytete si Selanik dhe në veri të Athinës, dëbora ka arritur deri 50 cm trashësi.

Shërbimi i mbrojtjes civile u ka bërë thirrje autoriteteve komunale të jenë në gatishmëri.

Gjashtë persona kanë gjetur vdekjen nga kaosi i krijuar si pasojë e reshjeve të borës gjatë ditëve të fundit edhe në Alpe. Paralajmërimet për rreziqet e orteqeve vazhdojnë të jenë në fuqi.

Reshje bore po bien më pak, por gjendja në jug të Gjermanisë vazhdon të mbetet kritike. Dimri ka mbërthyer rajonet jugore bavareze dhe pjesë të Austrisë. Në fakt rënia e borës gjatë natës duke gdhirë dita e hënë ka qenë më e pakët, megjithatë pengesat në rrugë vazhdojnë dhe qarkullimi i trenave ka qenë i pezulluar. Përveç kësaj, rrugët janë bllokuar për shkak të rrezikut të orteqeve.

Në alpet gjermane sundon kudo alarmi i shkallës dy të rrezikut të orteqeve. Ditët e ardhshme është parashikuar të vazhdojë të bjerë dëborë. Prandaj edhe nëse gjendja e alarmit hiqet, kjo do të jetë për pak kohë.

Në Voralberg, në malet austriake kanë humbur jetën dy skiatorë gjermanë. Në Schoppernau një 26 vjeçar nga Dachau i Bavarisë u mbulua nga një sasi bore e shkëputur, kur ndodhej jashtë pistës së siguruar.

Gjatë një aksidenti të dytë orteku, humbi jetën një 32 vjeçar në afërsi të Hajlbronit, në zonën e Damylit. Edhe në rajonin e Berhtesgadenit në Tajsenberg, humbi jetën gjatë fundjavës në masivin e borës një grua. Në Vakersberg të Bavarisë, një skiator 44 vjeçar humbi jetën nga degët e pemëve që ranë prej peshës së dëborës.

Edhe në vendin tonë situata është delikate, temperaturat e ulëta dhe ngricat kanë mbërthyer të gjithë vendin. Mëngjesin e sotëm Tirana është gdhirë e ngrirë ndërsa punonjësit e Bashkisë kanë hedhur kripë nëpër rrugët problematike për të shmangur incidente.

Kompanitë me mjetet borëpastruese janë në punë të vazhdueshme për pastrimin e rrugëve nacionale. Ndërkohë, nga pjesë të ndryshme të vendit bëhet thirrje të hidhet me shumë kripë në mënyrë që të mos mbërrihet deri tek bllokimi i rrugëve dhe që të mund të lëvizin lirisht.

Në Kosovë, pritet që temperaturat minimale të zbresin deri në -14 gradë Celsius. Ujësjellësi i Prishtinës lëshoi një paralajmërim për kujdes të shtuar me tubacionet e ujit, sepse mund të ngrijnë. Mbi një mijë banorë të fshatrave, Brezë, Malinë dhe Tanushë në Maqedoni janë bllokuar nga bora.

l.h/ dita

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *