Vitamina B9, e njohur ndryshe si acidi folik, është shumë e dobishme për shëndetin. Ajo luan një rol të rëndësishëm në funksionimin e trurit, në cilësinë e shikimit dhe qarkullimin e gjakut. Është thelbësore për ndarjen qelizore dhe formimin e materialit gjenetik. Mungesa e saj mund të provokojë shqetësime të ndryshme, mes të cilave ngadalësimi i rritjes dhe probleme që prekin aparatin gastrointestinal. Acidi folik është efektiv në trajtimin e anemisë dhe ka efekt pozitiv në kurat e shumë sëmundjeve si depresioni, gastriti, artriti, diarreja etj. mund ta gjejmë në ushqime si: qumësht, mëlçi, perimet jeshile apo majaja e birrës.
Ndikimet
Vitamina B9 është shumë e rëndësishme për funksionimin e mirë të trurit dhe ndikon dukshëm në trajtimin e disa sëmundjeve që prekin sistemin nervor, mes të cilave depresioni dhe skizofrenia.
Acidi folik stimulon mëlçinë, lufton aneminë dhe ndikon pozitivisht te qarkullimi i gjakut dhe shikimi. Nevoja që organizmi ka për këtë vitaminë rritet gjatë shtatzënisë, kjo pasi fetusi e ka të domosdoshëm për zhvillimin.
Acidi folik luan një rol kyç edhe në formimin e materialit gjenetik dhe në ndarjen qelizore. Fetusi mund të përballet me një sërë problemesh nëse gjatë shtatzënisë, femrat nuk e marrin acidin folik në nivelin e duhur. Këto probleme kanë të bëjnë me dëme cerebrale, zhvillim të vonuar, vështirësi në përqendrim te fëmijët etj. Të tjera pasoja mund të jenë lindja e parakohshme dhe hemorragjia pas lindjes.
Në rastet e mungesës së acidit folik, simptomat janë disa. Përveç ngadalësimit të procesit të rritjes, mund të shfaqen flokët e bardha, inflamacion i gjuhës, diarre, probleme metabolike dhe gastrointestinale, plogështi dhe probleme me kujtesën.
Të tjera simptoma mund të jenë dëmtimi i mukozës së gojës apo mishrat e dhëmbëve dhe probleme të karakterit neurologjik. Nëse vitamina B9 hyn në organizëm në sasi mbi normën, atëherë është vetë trupi që e nxjerr jashtë në mënyrë natyrale.
Ushqimet
Vitamina B9 në sasi minimale prodhohet nga vetë flora bakteriale e stomakut. Pjesa tjetër që na nevojitet mund të merret nga preparatet farmaceutike, por do të ishte më mirë nëse e marrim nëpërmjet ushqimeve.
Ushqimet që e kanë në përbërje acidin folik janë mëlçitë, qumështi (i freskët apo i pasterizuar), çikorja, spinaqi, patatet, karotat, fasulet, vezët, arrat, majaja e birrës etj. Për të mos humbur acidin folik, këto ushqime këshillohet të mbahen në frigorifer dhe të gatuhen me avull, duke shmangur përdorimin e ujit në sasi të madhe gjatë gatimit. / Përgatiti: Gazmira Sokoli