ADMIRALI GEDIK

Ornela

Moikom Zeqo  

Gedik Pasha, një nga admiralët më të famshëm të flotës osmane.

Janë shkruar shumë libra për të.

Gedik në turqisht do të thotë dhëmb.

Ai quhej kështu për shak të dhëmbëve shumë të mëdhenj të përparmë.

Qe me origjinë shqiptare.

Historia e tij vetiake është gati fantastike.

Në vitin 1889 njëfarë studiuesi, dervishi shqiptar Azmi Arsallan Janina, u gjend në qytetin e Napolit dhe shkoi në bibliotekën e Pallatit Colonna.

Aty e gjeti një libër të shtypur në 1828 me titullin “Storia della Nobilta Albanese”, përpiluar nga një prift me emrin Abe Verdot.

Libri fliste edhe për Gedik Ahmet Pashën, dhe për fëmijërinë e tij.

Autori i librit mendon se Gediku qe një djalë nga një familje fisnike nga Ferrara.

Në rini, duke ardhur bashkë me të motrën me një anije në det, në Leccie, për të marrë pjesë në dasmën e një farefisi të tyre, u rrëmbyen nga piratët algjerianë dhe të dy u shitën në pazarin e qytetit të Vlorës.

Ata i paska blerë dizdari i kalasë së Kaninës, Mehmet Beu dhe i paska bërë myslimanë.

Vajzës i vuri emrin Aishe.

Ngaqë qe shumë e bukur e morri për grua.

Djalin që qe 20 vjeç e quajti Ahmet dhe ia dërgoi si dhuratë sadrazemit të asaj kohe, Isak Pashait, që ishte djali me shpirt i komandantit të famshëm kososvar, Jiji Pashai, që viq në 1426.

Kështu kalaja e Kaninës qe ndërmjetësi për t’i dhëne perandorisë osmane Gedik Ahmet Pashën, që u bë një nga sadrazemët dhe strategët ushtarakë më të mëdhenj të historisë së saj.

Dihet që Gediku e ka quajtur veten e tij shqiptar.

Libri i Abe Verdotit është si romanet kalorsiake, që ende gjëllonin në Itali.

Subjekti aventuroz ishte tipik i modës së kohës.

Ne mund t’a përmendim këtë referencë por kemi të drejtë të jemi skeptikë.

Ajo që lidhet më pas është diçka që nuk mund të shpjegohet tërësisht.

Gediku qe një njeri i pamposhtur.

Ai u bë tepër i rëndësishëm dhe gati një figurë e tmerrshme.

Në vitin 1480 Gediku qe admirali i tërë flotës perandorake.

Ai erdhi në Gjirin e Vlorës me një numër të madh anijesh, të armatosur me topa.

Në pranverën e vitit 1480 ai u nis me flotën për të pushtuar Italinë e Jugut.

Menjëherë pushtoi qytetin e Otrantos, pastaj tokat e Puglias, Brindisin dhe Leccien.

Tërë Europa e krishterë u lebetit.

Gediku bëri masakra shembullore.

Në kishën e dëshmorëve, Chiesa dei Martiri, në Otranto, akoma dhe sot shihen mijëra kafka të kokave të prera me urdhër të Gedikut, të cilat janë fiksuar me llaç në mur.

Gojëdhëna italiane thotë se të vrarët kanë qenë 40 mijë vetë.

Por ende sot mund të numërohen 2 mijë kafka.

Por në 1481 Gediku u largua nga Otranto.

Ndërkohë kishte vdekur në Anadoll ( në Gjeiboz) Sulltan Mehmeti II, Fatiu.

Fronin perandorak e zuri djali i tij, Bajaziti II-të.

Ndryshonte krejt nga i ati.

Ishte i plogët dhe pijanec, e mbante gjatë inatin.

 

Me Gedikun nuk kishte shkuar mirë.

Kur ishte princ trashëgimtar, Gediku, të cilin e nderonte shumë Fatiu, e kishte përbuzur shumë herë Sulltanin e ardhshëm.

Por Bajaziti II-të nuk harronte asgjë.

Historia thotë se në vitin 1482 Gediku së bashku me birin e tij, Mehmetin, erdhi me një anije në qytetin e Durrësit.

Ai ishte i sigurt në kështjellën e këtij qyteti, por nuk dinte se ç’do të ndodhte me ardhjen e Sulltanit të ri.

Befas në Durrës erdhën 100 kaorës jeniçerë.

Ata sollën me vete Fermanin e Bajazitit II-të.

Fermanin ia dorëzuan Gedikut, i cili e lexoi i zverdhur.  Fermani e dënonte me vdekje Gedikun dhe të birin.

Nuk dihet pse Gediku i fuqishëm për çudi nuk reagoi.

Pse iu bind urdhërit sulltanor?

Besonte në kismetin kuranor, d.m.th në fatin e parashkruar që nuk duhet kundërshtuar?

U bë ceremonia e përpiktë e zbatimit të urdhërit fatal.  Thuhet se para kokëprerjes, Gedik Pasha me të birin pinë nga një kupë verë me helm.

Pastaj kokat e prera i ballsamosën dhe i futën në dy arka prej ari.  Ia dërguan Bajazitit II-të në Edrene.

Bajziti II-të kur i pa kokat, në vend që të gëzohej, u llahtaris.

Nisi të qante dhe të shkulte flokët duke bërtitur.

Pastaj urdhëroi që të dy kokat të varroseshin me madhështi në një tyrbe të madhe plot mbishkrime hyjnizuese dhe respekti për Gedikun dhe të birin.

Trupat pa koka mbetën kështu në qytetin e Durrësit.

Ato u varrosën së bashku në një sarkofag mermeri, mbi të cilin ngriheshin dy gurë varri.

Mbi gurin më të madh, që mbaronte me një “kavuk sadrazemi”, ishte daltuar osmanisht mbishkrimi “këndoni (ju që shkoni këtej) për shpirtin e zadrazemit, të Pushtuesit të Botës, Sulltan Mehmeti II-të Fati, për Gedik Ahmet Pashën, një Fatiha”.

Pastaj ishte viti sipas kalendarit hixhra 887 (pra viti 1482).

Në gurin tjetër që mbaronte me  një çallmë pashai të gradës së dytë “me dy tuje” lexohej mbishkrimi “këndoni (ju që shkoni këtej) për shpirtin e  djalit të sadrazemit, Gedik Ahmet Pasha, për Mehmet Pashën, një Fatiha”.

Stili i gurëve të gdhendur dhe mënyra e shkrimit të stilit “talik” vërteton plotësisht autenticitetin.

Për një habi të madhe, ky varr i përbashkët u ruajt deri në vitin 1967, në një nga kodrat e Durrësit, ku ishin disa mbeturina të varrezës ushtarake  turke (Shyher Dameza Ristani).

Pastaj, më vonë, u shkatërrua gjithçka duke humbur kështu edhe eshtrat të trupave pa koka të Gedikut dhe të birit.

Por ekziston një fotografi e këtij varri të përbashkët, që ka qenë në arkivin e Bashkisë së Durrësit, fotografi e bërë në vitin 1944.

Një kopje të kësaj fotografie e ruajti dhe studiuesi i njohur në Albanologji, me kulturë austriake, Eqerem Vlora, i cili ka lënë dhe disa shënime rreth kësaj ngjarje.

Por historia e Gedikut ka përmasa shumë më të mëdha.  Gediku kishte njohur nga afër vëllain e vogël të Bajazitit II-të, që quhej princi Xhem.

Kur Bajaziti II-të u bë Sulltan, pët të mos e pasur kundërshtar, urdhëroi që t’a vrisnin princin Xhem.

Gediku  e shpëtoi nga vdekja Xhemin dhe e ndihmoi në fshehtësi për të ikur në brigjet e Italisë.

Europianët, mbretërit dhe princërit e krishterë, e pritën shkëlqyeshëm princin osman.

Ata vunë në dispozicion të tij njerëz që t’i shërbenin.  Xhemi udhëtonte në qytete europiane dhe pritej sikur të ishte ai Sulltani i vërtetë.  natyrisht këtu ishte në lojë një diplomaci dinake, tepër e hollë dhe e zgjuar.

Derisa princi Xhem ishte edne i gjallë, ai ishte gjithashtu pretendent i fronit sulltanor.

Mund t’i zinte vendin të vëllait më të madh.

Prandaj Xhemin e quanin sikur të ishte Sulltani i vërtetë, ndonëse pa perandori.

Bajaziti II-të u tërbua, më kot pagoi vrasës të maskuar për t’a vrarë Xhemin.

Meqë nuk arriti t’a eleminonte, veproi dhe ai me diplomaci.

Ai dërgoi ambasadorë të tij në të gjitha oborret mbretërore të Europës, duke paguar 5 mijë dukata në vit, për princin Xhem, vetëm që ky të mos bënte asnjë veprim kundër të vëllait të madh.

Këto të holla iu paguan më parë mbretit të Francës, më pas vetë Papës së Romës dhe së fundi mbretit të Napolit.

Princi Xhem fitoi një famë të jashtëzakonshme.

Ai nisi të vishej si europianët, studioi artet dhe shkencat, pëlqente pikturate  artistëve të mëdhenj, duke u bërë një njeri i ditur dhe me vizione humaniste.

 Sjellja e tij qe elegante.

Mirëpritej nga të gjithë.

Jetoi mes shkëlqimit dhe luksit.

Por në të vërtetë qe një njeri i thjeshtë dhe melankolik.

Xhemi e kujtonte me respekt shpëtimtarin e tij, Gedikun.

Kur morri vesh lajmin e dënimit të Gedikut, ai qau dhe dha para për të bërë një meshë të madhe për shpirtin e Gedikut në një nga katedralet e Napolit.

Mesha u bë jo me emrin e Gedikut, por me “të Panjohurin e Zemrës”.

Ekziston një kronikë e shkurtër për madhështinë e kësaj meshe.

Por nuk sqarohet se kush ishte ky “I Panjohuri i Zemrës”.

Fundi i Xhemit qe i mjerueshëm.

Ai u sëmur nga malaria dhe vdiq papritur në Napoli.

Mbreti i Napolit dha urdhër t’a ballsamosnin trupin e të vdekurit dhe ,duke e shoqëruar me një shpurë, e çoi me anije fillimisht në Otranto dhe pastaj në qytetin e  Vlorës.

Arkivolin që mbante kufomën e princit Xhem, sapo mbërriti në tokën shqiptare e vendosën për 10 ditë në xhaminë e Mehmetit II-të, Fatiut, të ndërtuar brenda kalasë së Kaninës.  Kjo xhami sot nuk ruhet.

Pastaj kufomën e çuan në Brusa, ku u fut në një tyrbe madhështore.

Ky sinops mund të jetë i denjë për një roman, me kapituj përkatës, me intriga të pafundme të subjektit.

Për princin Xhem janë shkruar shumë romane në gjuhë të ndryshme në Europë.

Princi Xhem është një personazh letrar tërheqës që ka zotëruar skenat letrare për pesë shekuj.

Por për Gedik Pashën nuk është shkruar asnjë roman.

Fundi i palavdishëmi Gedikut është rrënqethës.

I padrejtë.

Banal.

Por Gediku është një personazh shumë dimensional.

Si vallë një shqiptar arriti të bëhej një admiral kaq i pathyeshëm?

Ai kishte përballuar beteja të frikshme.

Si vallë u thye ky trim i çartur dhe i pafrikshëm thjesht nga një Ferman i shkruar në letër?

Ç’fuqi kishin shkronjat?

Pse vallë e shkruara kishte një fuqi dërmuese për admiralin që kishte patur në dispozicion njëmijë e një anije lufte?

Pse Gediku iu bind një cope letre, ndonëse përballë tij nuk kishte as sulme zjarri, as shpata, as gjyle topi për t’a qëlluar?

Ja enigma e pashtershme dhe buçitëse e këtij sinopsi.

Por motivi më i përzgjedhur, më intrigues lidhet me meshën misterioze të Të Panjohurit të Zemrës.

Për princin Xhem kishte thashetheme se qe konvertuar si i krishterë, ndonëse princi Xhem shprehej publikisht se i përkiste besimit kuranik.

Një meshë e krishterë për admiralin Gedik qe një sfidë.  Arsyet mund të kenë qenë të pafundme.

Por arsyeja e arsyeve qe respekti për Gedikun.( 1996)

Share This Article
4 Comments
  • Nuk i shpëtojmë dot PORDHIMIT ALLA SHQIPTAR, as Moikomi…!!! Avash-avash, të paktën gjysmën e Botës (përveç aziatikëve dhe afrikanëve sepse nuk na pëlqen surrati i tyre si racista halesh që jemi…), do ta nxjerrim me origjinë shqiptare… (??!!!) Pa le sikur të ishim dhe ndonjë racë e përparuar e me nivel ekonomik, do kishim hedhur në erë planetin me pordhët tona…!!!

    • Ky eshte keq dhe po prodhon artikuj mizerabel
      Gabon fjalet, emrat. Ne nje artikull te meparshem ishullin e famshem te Venecias nga Murano e shkruante Morano
      Ketu qytetin Leçe e shkruan Leccie kur ne Italisht shkruhet Lecce. Ka nje italishte autodidakte dhe ben gafa kot.
      Me e keqja eshte kur gabon dhr fjalet shqipe.
      Shkruan “morri” – insekt parazit ne ved te “Mori” veta e trete njejes koha e kryer e thheshte e foljes.marr.
      Shkruan trajten e shkurter “t’a” me apostrof e jo sipas nornes drejtshkrimore. E ka vene disa here e nuk eshte nga nxitimi
      Shkruan ll-te si analfabet. Pasi numrat romake jane numerore rreshtore e nuk kane nevoje per vije e prapashtesa. Mjafton te shkruas mehmeti ll.
      Shkruan dukata ne vend te dukate.

      Gabime te tilla nuk u falen as nxenesvete fillores e jo me dikujt qe pretendon te jete profesionist ne letersi dhe publicistike.
      Dikush duhet t i a korrektoje apo redaktoje tekstet e mos ia botojne aguridhe.

  • Osmanizimi antieuropian, vazhdon ti kape Zeqos pjese te medha te trurit duke e nxirosur krejt ate.
    Nje pralle nga nje osmanlli Anadolli 5 shekuj para,qe prehet tek kendi i zeqos.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *