Afatet e regjistrimit, kushti për ushtrimin e profesionit të punonjësit social

J L

Pranvera Kola

 

Për të vijuar ushtrimin e profesionit të gjithë punonjësit socialë duhet të jenë detyrimisht antarë të Urdhërit Profesional të këtij specialiteti. Kërkesa minimale për formimin dhe kualifikimet profesionale për punonjësit socialë është që të ketë përfunduar 2 cikle studime në Punë Sociale, brenda ose jashtë vendit, teksa duhet të jenë edhe anëtarë të Urdhërit Profesional të Punonjësit Social.

Ministria e Shëndetësisë ka zbardhur gjatë ditës së djeshme afatet dhe procedurat e regjistrimit për të gjithë personat qofshin këta të huaj apo shqiptarë që duan të ushtrojnë këtë profesion në vendin tonë. Prej disa ditësh është ngritur edhe Komisioni i Përkohshëm i Urdhrit të Punonjësve Socialë, cili do të bëjë të mundur regjistrimin e anëtarëve të Urdhrit, sipas kritereve të përcaktuara në nenin 8, të ligjit Nr. 163/2014 , i ndryshuar për të gjithë punonjësit socialë që nuk janë regjistruar në thirrjet e zhvilluara më herët. Sipas kushtit të përcaktuar, asnjë individ nuk mund të ushtrojë profesionin e punonjësit social në sistemin publik apo privat në Republikën e Shqipërisë, pa qenë anëtar i Urdhrit të Punonjësve Socialë dhe pa qenë i pajisur me licencën për ushtrimin individual të profesionit të lëshuar nga ky organizëm.

Regjistrimet do të nisin javës së ardhëshme dhe do të vijojnë të jenë të hapura për afro dy javë me radhë. Për t’u bërë antar i këtij Urdhëri, çdo punonjës duhet të paraqitet në afatet e vendosura për të dorëzuar dosjen e përcaktuar të dokumenteve. “Të interesuarit duhet të paraqiten pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, kati parë, ora 09:00-15:00 nga data 12 -23 korrik 2021, për të dorëzuar dosjen e dokumenteve të përcaktuara për regjistrim”, sqarojnë autoritetet e dikastërit të Shëndetësisë.

Konkretisht, për shtetasit shqiptarë përcaktohet se ne dosjen e regjistrimit duhet që të përfshijnë këto dokumente: “Kopjen e diplomës së punonjësit social, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë, kopje të dokumnetit të identitetit, Certifikatën e gjendjes gjyqësore (Dëshmi Penaliteti), si dhe deklaratën personale.

Paralelisht do të vijojë procesi i regjistrimit edhe për shtetasit e huaj që duan të ushtrojnë këtë profesion në vendin tonë. Autoritetet e shëndetit sqarojnë se shtetasit e huaj, për ushtrimin e profesionit të punonjësit social në Republikën e Shqipërisë, detyrohen të anëtarësohen paraprakisht në Urdhrin e Punonjësve Socialë të Republikës së Shqipërisë, duke dorëzuar po ashtu dosjen e dokumenteve të përcaktuara. Në dosje duhet të përfshihet njohja e diplomës dhe çertifikatave të specializimeve të kryera prej tij, një rekomandim nga një specialist vendas i së njëjtës fushë, anëtar i Urdhrit të Punonjësve Social, si dhe lejen e qëndrimit dhe të punës në Republikën e Shqipërisë. Kjo kategori në dosje duhet që të përfshijë edhe certifikatën e mirësjelljes (Good Standing Certificate) nga Urdhri/Dhoma apo Shoqata e Punonjësve Socialë të vendit të vet, ku vërtetohet se është i regjistruar, e ushtron profesionin dhe nuk ka marrë masa ndëshkimore.

“Punonjës social” është një profesion i rregulluar që ushtrohet në fushën e punës sociale, në nivel makro, mezo dhe mikro, në shërbim të individëve, familjeve, grupeve, komuniteteve, institucioneve të nivelit qendror e vendor në sistemin publik dhe privat. Ndërsa “Punë sociale” është veprimtaria profesionale e bazuar te praktika, si dhe një disiplinë akademike që promovon ndryshimin, zhvillimin, kohezionin social dhe drejtësinë sociale, si dhe fuqizimin dhe pavarësimin e njerëzve. Misioni i Urdhrit Profesional të Punonjësit Social është garantimi dhe ruajtja në vazhdimësi e standardeve dhe praktikave të mira të ushtrimit të profesionit në fushën e punës sociale dhe mbrojtja e publikut nga veprimet joprofesionale dhe joetike të punonjësve socialë.

Dokumentet për shtetasit shqiptarë që duan të ushtrojnë profesionin e punonjësit social

  • Kopje e diplomës së punonjësit social, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë. (Kërkesa minimale për formimin dhe kualifikimet profesionale për punonjësit socialë është që të ketë përfunduar 2 cikle studime në Punë Sociale, brenda ose jashtë vendit).
  • Certifikata e gjendjes gjyqësore (Dëshmi Penaliteti).
  • Deklaratë personale.
  • Kopje e kartës së identitetit.

Dokumentet për shtetasit e huaj që duan të ushtrojnë këtë profesion në vendin tone:

  • Njohja e diplomës dhe çertifikatave të specializimeve të kryera prej tij.
  • Një rekomandim nga një specialist vendas i së njëjtës fushë, anëtar i Urdhrit të Punonjësve Social.
  • Lejen e qëndrimit dhe të punës në Republikën e Shqipërisë.
  • Certifikatën e mirësjelljes (Good Standing Certificate) nga Urdhri/Dhoma apo Shoqata e Punonjësve Socialë të vendit të vet, ku vërtetohet se është i regjistruar, e ushtron profesionin dhe nuk ka marrë masa ndëshkimore.
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *