Mjekët e rinj që kanë shlyer detyrimet me praktikën profesionale mund të hyjnë në provimin e shtetit për të marrë licencën që i lejon ata të konkurrojnë për të siguruar një vend pune në strukturat e ndryshme mjekësore të vendit, qofshin këto publike apo private.
Urdhri i Mjekut ka konfirmuar ditën e djeshme se këta kandidatë kanë në dispozicion 10 ditë për të bërë regjistrimin përkatës që i lejon të hyjnë në provimin e licencës, i cili do të zhvillohet më datën 20 mars.
“Nga data 2 deri më 15 mars, pranë zyrave të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve, fillon regjistrimi zyrtar për provimin e shtetit për mjekët e përgjithshëm që janë diplomuar së fundmi, apo në vitet e shkuara, por që për arsye të ndryshme nuk kanë dhënë provimin sezoneve të shkuara, si dhe kur kanë rezultuar mbetës”, sqarojnë autoritetet e këtij institucioni.
Marrja e pikëve kaluese në këtë testim është kriteri vendimtar që i lejon këta kandidatë të sigurojnë të drejtën e konkurrimit për të fituar një kontratë punësimi në institucionet mjekësore. Sipas autoriteteve shëndetësore janë të shumtë kandidatët që do të testohen për të disatën herë, pasi në testimet e mëparshme nuk siguruan dot as pikët minimale për të qenë kalues.
Kandidatët që nuk e kanë për herë të parë provimin e shtetit, në momentet e regjistrimit shlyejnë një pagesë më të ulët se sa ata që e kanë dhënë edhe më parë këtë provim. Sipas kushteve të vendosura në ligjin për profesionet e rregulluara që licencohen me anë të provimit të shtetit, një kandidat ka të drejtë që të tentojë deri në 5 herë për të kaluar këtë testim.
Në rast se edhe në provimin e pestë rezulton mbetës, humbet të drejtën për të ushtruar profesionin për të cilin është diplomuar, pasi nuk ka më të drejtë që të japë provimin e licencimit. Bashkangjitur shkrimit gjeni të detajuar edhe listën e dokumenteve që mjekët e rinj duhet të dorëzojnë në afatet e përcaktuara për të hyrë në provimin e shtetit.
Testi i aftësimit profesional për infermierët e rinj
Ndërsa për infermierët e rinj, bëhet me dije se para hyrjes në provimin e shtetit (i planifikuar për t’u kryer në Maj), do të zhvillohet një tjetër test, që ka të bëjë me dijet e fituara gjatë ndjekjes së praktikës profesionale.
Urdhri Infermierit ka vendosur se datat për realizimin e Vlerësimit të Aftësimit Praktik (VAP) janë 13-18 prill, ku do të zhvillohet testimi për infermierët, mamitë, fizioterapeutët, teknikët e imazherisë, teknikët e laboratorit, logopedistët.
Në këto kushte, të gjithë kandidatët që kanë mbaruar praktikën profesionale duhet të dorëzojnë kërkesën për pjesëmarrje në këtë testim, si dhe Librezën e Praktikës, në dy javët e fundit të muajit mars. “Këto dokumente do të dorëzohen pranë zyrave ku është bërë regjistrimi për të ndjekur praktikën.
Listat emërore të ndara sipas ditëve do të dalin në faqen online të urdhrit, pasi të këtë përfunduar dorëzimi i plotë i librezave. Në të njëjtat data, do të bëhet dhe konfirmimi i pjesëmarrjes në provimin e shtetit, për të gjithë ata që kalojnë këtë testim, e që mund të hyjnë në testimin e licencës gjatë muajit maj”, sqarojnë burimet zyrtare të këtij urdhri .
