Afatet e reja për rinovimin e patentave. Ja cilat janë kriteret

Saimir Lleshi

Pas ndryshimeve në Kodin Rrugor për patentat e reja, Ministria e Transporteve është duke përgatitur udhëzimin për zbatimin e ndryshimeve.

Nikolin Bërxhiku, specialist në drejtorinë e Qarkullimit dhe Sigurisë Rrugore në këtë ministri, flet për dokumentacionin që nevojitet, kategoritë e reja që janë shtuar në lejet e drejtimit dhe mosha e shoferëve të rinj.

Bërxhiku shpjegon se nuk ka zhvlerësim të patentave aktuale, ato do të rinovohen pas përfundimit të afatit të përdorimit.

“Plotësimi i dokumentacionit mbetet i njëjtë për ata persona që do të pajisen për herë të parë me patentë. Kandidati duhet të paraqesë dokumentin e identifikimit dhe dokumentin që vërteton kryerjen e kursit të njohurive teorike nga autoshkollat. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit rrugor, kandidatët testohen për njohuritë teorike. Nëse fitohet testi për kontrollin e njohurive teorike, ai pajiset me autorizimin e ushtrimit të drejtimit të mjetit për kategorinë që ka kërkuar”, sqaron.

Në rastet kur në fitohet testi i njohurive teorike, sipas specialistit që citon “Panorama”, kandidati vazhdon përgatitjen teorike dhe futet në testim jo më parë se 5 ditë nga dita e provës së pa fituar.

“Pas kësaj, sektori përkatës në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor merr në provë kandidatin për verifikimin e aftë- sive të tij drejtuese. Nëse kandidati fiton provën dhe dokumentacioni i tij është i plotë, atëherë ai pajiset me leje drejtimi. Tarifat nuk do të ndryshojnë, si për testin e teorisë, atë të praktikës në autoshkolla dhe për marrjen e lejes të drejtimit”, sqaron ai.

Si ndryshojnë kategoritë e lejeve të drejtimit? Specialisti Bërxhiku thotë se shumica do të mbeten të njëjta, por ka disa variacione të tyre, të cilat nuk kanë qenë më përpara duke u krijuar lehtësi qytetarëve që me një vlefshmëri t’u njihen edhe këto nënkategoritë e reja.

“Ndarja e re e kategorive krijon një fleksibilitet më të lartë me ekzistuesin. Ka disa nënkategori që mund të nënvlerësohen, mund të njihen automatikisht apo nuk është e nevojshme të jepet i njëjti test dy herë për disa elementë apo vetëm dhënia e disa njohurive shtesë për transportin profesional. Lehtësi ka edhe për drejtuesit e veturës, në kategorinë B kanë të drejtë të drejtojnë automjete deri në 125 kubikë, e cila nuk ka qenë më përpara”, tha ai. /Dita/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *