Afatet e reja të plotësimit të formularit A1 dhe A1Z

Ornela

Pranvera Kola

Maturantët po vijojnë tashmë me përgatitjet finale për testet e Maturës Shtetërore 2020 që do të zhvillohet sipas datave të përcaktuara për secilën lëndë, ndërmjet periudhës 8 -18 qershor. Për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19 përgjatë dy muajve të fundit, jo vetëm maturantët e këtij viti, por edhe ata të viteve të shkuara nuk arritën të plotësonin në kohë formularin A1 dhe A1Z, kusht vendimtar për të përmbyllur me sukses studimet e shkollës së mesme dhe vijimin e garës për universitetin.

Në urdhrin e fundit, Qendra e Shërbimeve të Arsimit (QSHA) përcakton se do të ketë një tjetër periudhë aplikimesh për plotësimin e këtyre dy formularëve përgjatë javës së ardhshme. “QSHA konfirmon miratimin e periudhës së aplikimeve me formularët A1 dhe A1Z për Maturën Shtetërore 2020 në datat 19-24 maj”. Ky afat aplikimesh u vjen në ndihmë edhe maturantëve që kanë kryer studimet jashtë vendit, por që duan të aplikojnë për studimet e larta në universitetet publike dhe ato private që funksionojnë në vendin tonë.

Sa i takon procedurave të plotësimit të formularit, ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit saktësojnë se nuk do të ketë ndryshime. Për gjashtë ditë me radhë, maturantët mund të aplikojnë online në portal për plotësimin e këtyre formularëve, ku do të konfirmojnë lëndën me zgjedhje që do të japin provim gjatë Maturës Shtetërore 2020, si dhe rezultatet e arritura në testimet e viteve të shkuara për kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para 2020-s, por që duan të rikthehen në garë për universitetin.  Me datën 18 maj, duke respektuar të gjitha këshillat dhe udhëzimet e kërkuara nga dikasteri i Shëndetësisë, maturantët do të rikthehen në shkollë për të realizuar konsultimet finale me mësuesit e secilës lëndë që do të zhvillohet në provimet e Maturës Shtetërore 2020.

Kushtet për plotësimin e dy formularëve

Sipas udhëzimeve të QSHA-së, Formularin A1 duhet ta plotësojnë të gjithë nxënësit që përfundojnë përgjatë këtij viti studimet e shkollës së mesme. Aplikimi do të bëhet online në portalin e maturës, ku maturanti do të ndihmohet edhe nga një mbikëqyrës për të shmangur gabimet në plotësimin e tij.

Gjatë plotësimit të këtij formulari, maturantët duhet të zgjedhin nga lista e 11 lëndëve të miratuara lëndën që do të japin si provim me zgjedhje përgjatë muajit qershor. Për shkollat profesionale bëhet e ditur se teoria profesionale është e zbërthyer sipas indeksit të shkollave. Maturantët e shkollave profesionale lëndën me zgjedhje duhet ta përzgjedhin detyrimisht nga lista që është e përcaktuar vetëm për këtë profil shkollash.

Ndërsa plotësimi i formularit A1Z lejohet vetëm për kandidatët që kanë mbaruar shkollën e mesme në vitet e mëparshme. Kjo kategori maturantësh duhet të paraqitet në shkollat ku kanë kryer studimet e mesme. Për të bërë plotësimin e këtij formulari, ata duhet që të paraqesin një kopje të noterizuar të Dëftesës së Pjekurisë dhe vërtetimin me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme me fotografi, certifikatë të maturës me notat gjitha viteve të lëshuar nga drejtori i shkollës sipas regjistrit të amzës, apo dokumentin të lëshuar nga Arkivi i Shtetit.

Për shkollat profesionale dhe shkollat e mesme të orientuara, në rastet kur kandidati ka fituar Dëftesën e pjekurisë, si provime të detyruara njihen: Letërsia dhe matematika, nëse janë dhënë dhe janë fituar, si dhe një ose dy nga provimet në mungesë të letërsisë dhe të matematikës, sipas planit mësimor të shkollës së tyre. Më pas, drejtoria arsimore përcakton provimet, rezultatet e të cilave do të mbarten në sistem në vend të letërsisë dhe matematikës.

Provimet e detyruara dhe lënda me zgjedhje

Në maturën e këtij viti do të zhvillohen katër provime. Konkretisht, lëndët e provimeve të maturës për shkollat e arsimit të mesëm të lartë janë: 3 provime të detyruara, përkatësisht në lëndët Gjuhë shqipe dhe letërsi, Matematikë, dhe Gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje nga lista zyrtare e miratuar nga MASR.

Për të orientuar maturantët në lidhje me përgatitjen për provimet e maturës, janë zbardhur edhe programet orientuese të rishikuara për shkak të zhvillimit të mësimit në kushtet e shtëpisë gjatë periudhës së Covid, ku jepen temat që duhet të vlerësoni me kujdes për zhvillimin e provimeve. Provimet e detyruara do të mbështeten vetëm në kurrikulën bërthamë. Programet orientuese të provimeve të detyruara (Gjuhë shqipe dhe Letërsi, Matematikë, Gjuhë e huaj) për të gjithë maturantët/kandidatët janë në përshtatje me programet ekzistuese të arsimit të mesëm të lartë. Ndërsa programet orientuese të lëndëve zgjedhje janë të njëjta për të gjithë maturantët që kanë plotësuar formularin A1 dhe A1Z. Programi orientues i lëndëve me zgjedhje përmban programin e lëndës bërthamë dhe atë me zgjedhje.

Struktura e testit dhe pikët që duhen për të kaluar

Niveli i vështirësisë së pyetjeve të testit të çdo lënde do të përcaktohet nga profili i shkollës së mesme që maturanti ka kryer.

Duke qenë se këtë vit testimet do të jenë vetëm me alternativa, korrigjimi do të bëhet digjital, çka pritet të shkurtojë edhe kohën e daljes së përgjigjeve, ndryshe nga sa ndodhte me korrigjimet manuale të realizuara përgjatë maturave të shkuara.

Në ditën e testimit maturantët duhet të jenë shumë të kujdesshëm gjatë plotësimit të testit. Pasi të gjejnë dhe të shënojnë në test alternativat e duhura për çdo pyetje, maturantët duhet të plotësojnë më pas edhe fletën e përgjigjeve. Në të kundërt testi nuk mund të korrigjohet nga pajisja digjitale. Maturantët kanë në dispozicion dy orë për të plotësuar testin e secilës lëndë.

Testi për secilin nga provimet e detyruara dhe të provimit me zgjedhje vlerësohet me 60 pikë maksimale, ndërkohë që për të qenë kalues, maturanti duhet të sigurojë detyrimisht 25 për qind të totalit të këtyre pikëve maksimale. Në të kundërt duhet t’i japë sërish provimet në sezonin e vjeshtës, duke humbur kështu të drejtën e konkurimit përgjatë raundit të parë të pranimeve në universitete.

Përfundimi i Maturës 2020

Më herët ekspertët e QSHA-së kanë bërë me dije se planifikohet që brenda datës 30 qershor i gjithë procesi i Maturës Shtetërore 2020 të jetë i përfunduar, e të gjitha rezultatet do të jenë të publikuara. Ndërsa në datën 1 korrik do të fillohet me procesin e printimit të diplomave. Ky printim do të realizohet në dy faza. Në fazën e parë do të printohen diplomat për të gjithë maturantët të cilët dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit. Më pas në ditët në vijim do të përmbyllet procesi i printimit të diplomave për pjesën tjetër të maturantëve.

 

Ndryshimet në strukturën e testeve të Maturës

  • Testi i Maturës Shtetërore 2020 do bazohet vetëm në pyetje me alternativa.
  • Për çdo lëndë testi do të ketë në përmbajtje rreth 60 pyetje. Maturantët kanë në dispozicion dy orë për të përfunduar plotësimin e testit. Është llogaritur që pyetjeve me alternativa u duhet më pak kohë se sa pyetjeve me zhvillim, prandaj ka një kohëzgjatje prej 2 orësh dhe jo 2 orë e gjysmë, sikundër ka ndodhur në maturat e shkuara.
  • Testet e maturës shtetërore bazohen në tre nivele vështirësie. Niveli i parë që ka të bëjë me njohjen dhe të kuptuarin. Është 40 për qind e totalit të pikëve të testit. Niveli i dytë ka të bëjë me zbatim dhe analizë që është sërish 40 për qind e totalit të pikëve të testit. Ndërsa niveli i tretë është edhe niveli më i lartë i testit (20 për qind). Përgjithësisht kontrollon njohuritë që kanë të bëjnë me sintezën dhe vlerësimin.
  • Për Maturën Shtetërore 2020 janë hequr pyetjet ese-të nga pjesa e Gjuhës së huaj dhe Gjuhës shqipe dhe i gjithë testi do bazohet vetëm në pyetje ku nxënësit do ta përzgjedhin përgjigjen, pra nuk do ta shkruajë atë.
  • Në rregulloren e provimeve saktësohet se maturanti do të përjashtohet nga provimi, nëse konstatohet se ka ndryshuar vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë/kandidatë të tjerë, bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit.
  • Ndërsa në rastet të tilla nuk njihet rezultati i provimit: kur përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit, nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin), nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal, nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga KOPOTED, si dh kur është marrë masa e përjashtimit nga provim.

Provimet e Maturës 2020 do zhvillohen në këto data:

  • Gjuhë e Huaj – 8 Qershor 2020.
  • Gjuhë Shqipe – 11 Qershor 2020.
  • Matematikë – 15 Qershor 2020.
  • Provimi me zgjedhje – 18 Qershor 2020.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *