Ndjekja dhe vlerësimi pozitiv i praktikës tre mujore është kushti bazë që duhet të përmbushin të gjithë farmacistët e rinj që në fund të vitit do të garojnë për të fituar lejen e ushtrimit të profesionit.
Autoritetet e Urdhrit të Farmacistit, bëjnë me dije për qindra kandidatët e diplomuar së fundmi dhe ata të sezoneve të shkuara se praktika do të zhvillohet në periudhën korrik-tetor 2019. Krahas gjetjes së subjektit farmaceutik, çdo farmacist i ri duhet të paraqitet vetë pranë Urdhrit për të bërë regjistrimin përkatës për ndjekjen e praktikës tre mujore. Regjistrimi nis ditën e enjte të datës 4 korrik. Pranimi i kërkesave do të vijojë deri në datën 10 korrik. Sipas kushteve të përcaktuara në kontratë, gjatë zhvillimit të praktikës profesionale, praktikantit i paguhen sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore nga subjekti pranë të cilit ndjek praktikën.
“Regjistrimet për kryerjen e praktikës profesionale për sezonin korrik-tetor 2019 do kryhen gjatë periudhës 4 – 10 korrik, ku secili kandidat duhet të dorëzoje e dosjen e dokumenteve të kërkuara. Praktika profesionale kryhet vetëm në farmacitë e rrjetit të hapur ose spitalore, nën drejtimin e një farmacisti me jo më pak se 3 vjet përvojë pune. Një farmacist drejton vetëm një praktikant)”, bëjnë me dije specialistët e Urdhrit të Farmacistit. Për t’u regjistruar për kryerjen e praktikës profesionale, duhet të paraqisni dokumentet në vijim:
“Kërkesë vetëdeklarim, kontratë tip për kryerjen e praktikës profesionale, fotokopje e certifikatës së anëtarësimit në Urdhrin e Farmacistit të drejtuesit të praktikës, fotokopje te noterizuar të diplomës dhe listës së notave, fotokopje e kartës së identitetit, raport mjeko-ligjor, fotokopje e plan-vendosjes së farmacisë, 3 fotografi, si dhe mandat pagesën prej 10 mijë lekësh të derdhur në numrin e përcaktuar të llogarisë në një nga bankat e nivelit të dytë”.
Në përfundim të praktikës secili kandidat do t’i nënshtrohet testit të aftësimit praktik, ku do të dëshmojnë edhe njohuritë e fituara gjatë praktikës. Hyrja në provimin e praktikës lejohet deri në pesë herë. Nëse kandidati do të dështojë edhe herën e pestë, ai nuk mund të ushtrojë më profesionin përkatës të farmacistit. Janë një sërë kategorish të kandidatëve që përjashtohen nga detyrimet për ndjekjen e praktikës tre mujore. Vetëm kandidatët që do të kalojnë me sukses provimin e praktikës do mund të hyjnë në sezonin e provimeve të shtetit për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit.
Sa i takon detyrimeve të praktikës, çdo kandidat duhet të qëndrojë në farmacinë ku kryen praktikën gjatë gjithë periudhës së praktikës, të respektojë orarin e caktuar dhe të pranojë në fund të praktikës vlerësimin e bërë nga drejtuesi i Praktikës.
Praktika është program i detyrueshëm mësimor. Gjatë nënshkrimit të kontratës ndërmjet praktikantit dhe farmacistit, palët duhet të zgjidhin me mirëkuptim çdo mosmarrëveshje që mund të lindë si rrjedhojë e zbatimit të saj. Kontrata hartohet tre kopje me fuqi të njëjtë ligjore, nga të cilat një për secilën palë dhe një depozitohet në Urdhrin e Farmacistëve. Ndërsa farmacistët që kanë mbi tre vjet përvojë pune në këtë profesion dhe që gjatë kësaj kohe do të marrin përsipër që të udhëheqin praktikat profesionale të këtyre kandidatëve do të shpërblehen me kredite. Këto kredite do të jenë të vlefshme për procesin e edukimit në vazhdim.
Po sipas kushteve të përcaktuara në rregullore, mund të përjashtohen plotësisht, apo pjesërisht nga detyrimi për kryerjen e praktikës profesionale, të gjithë kandidatët që provojnë se për një periudhë të caktuar kohore, kanë ushtruar profesionin përkatës, apo kanë kryer praktikën profesionale jashtë vendit, që i ka dhënë mundësi të përvetësojë dije profesionale të mjaftueshme në fushën e farmaceutikës. Për t’u bindur nëse përvoja e kandidatit është e mjaftueshme aq sa për ta përjashtuar nga ndjekja e praktikës, autoritetet drejtuese të këtij urdhri, do të kërkojnë edhe dokumentin përkatës të lëshuar nga institucioni ku kandidati ka ndjekur këtë formim.
Në dosjen e regjistrimit duhet të përfshini:
- Kërkesë për regjistrimin në Regjistrin e Praktikantëve Farmacistë të UFSH.
- Fotokopje diplome dhe listë notash, të noterizuara.
- Fotokopje e dokumentit të identifikimit.
- Tre fotografi 3 x 3.5 cm.
- Kontratë për kryerjen e praktikës me farmacinë.
- Fotokopje e certifikatës së anëtarësimit në UFSH të drejtuesit të praktikës.
- Mandat pagesën për tarifën e regjistrimit dhe mbikëqyrjen nga UFSH prej 10000 lekësh.
Praktikanti duhet:
- Të respektojë drejtuesin e praktikës në përputhje të plotë me normat e etikës dhe kodit deontologjik farmaceutik.
- Të qëndrojë në farmacinë ku kryen praktikën gjatë gjithë periudhës së praktikës, të respektojë orarin e caktuar dhe të pranojë në fund të praktikës vlerësimin e bërë nga drejtuesi i praktikës. Praktika është program i detyrueshëm mësimor.
- Të respektojë Drejtuesin e Praktikës dhe etikën e komunikimit me të dhe me pacientët.
- Ankohet tek drejtuesi i institucionit si dhe tek strukturat më të afërta të UFSHsë për veprime që bien ndesh me këto të drejta apo tjetër veprim që e pengon, krijon vështirësi apo pamundësi në zhvillimin efektiv të praktikës.
- Praktikanti që fiton të drejtën e anulimit të kontratës ekzistuese, për periudhën e mbetur nënshkruan kontratë me një drejtues tjetër praktike.
Drejtuesi i praktikës duhet të:
- Të jetë profesionist me përvojë jo më pak se 3 vjetësh.
- T’i siguroje praktikantit kushtet e nevojshme për realizimin e një praktike efektive.
- T’i bëjë një vlerësim të drejtë dhe të paanshëm njohurive të praktikantit dhe të pajisë praktikantin me Formularin e Vlerësimit të Praktikës.
- Të drejtojë praktikën profesionale në përputhje të plotë me standardet, parimet dhe normat e Kodit Deontologjik Farmaceutik, si dhe me legjislacionin farmaceutik në fuqi.
- T’i kërkojë praktikantit respektimin e orarit dhe ta dokumentojë atë në librezën e praktikës profesionale.
- T’i kërkojë Praktikantit kryerjen e praktikës profesionale në përputhje me rregulloren e UFSH për praktikën profesionale.
- Të anulojë kontratën në rast shkeljeje të detyrimeve të saj nga ana e praktikantit dhe të njoftojë strukturat më të afërta të UFSH-së.
