Aflatoksinat, rrezikshmëria dhe parandalimi

redaktor

Ditët e fundit ka shpërthyer një debat në media, i cili ka prirje të politizohet pa argumente bindëse. Shkak i këtij debati është një aksion i ndërmarrë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) për kontrollin e disa bizneseve që merren me tregtimin e miellit dhe të grurit. Ky kontroll filloi me subjektin “Agroblend sh.p.k.” që drejtohet nga familja e kryetarit aktual të bashkisë së Vorës, që i përket Partisë Demokratike si forcë politike. Ky është edhe shkaku i politizimit të problemit, sidomos tani në prag të zgjedhjeve të 21 qershorit.

Sipas medias, AKU vendosi ndërprerjen e aktivitetit të kompanisë që tregton miell në Vorë dhe bllokoi 100 ton miell, pasi firma nuk plotësonte kushtet higjieno-sanitare, të dokumentacionit shoqërues dhe, pas daljes së përgjigjes nga laboratori i sigurisë ushqimore, mielli i dërguar për analizë, rezultoi pozitiv për aflatoksinë. Për rrjedhojë, u bllokua 100 ton miell i kontaminuar dhe 6800 ton grurë si lëndë e parë, deri në daljen e analizave.

Nga sa u tha, del se saga e aflatoksinave, e filluar në mars të vitit 2013, që përfundoi me falimentimin e fabrikës së qumështit “Parmalat”, nuk ka mbaruar. Në të kundërt, jo vetëm që aflatoksinat shfaqen prapë, por në media, kohë mbas kohe, flitet shumë për cilësinë e drithit që importohet dhe debatet kanë kaluar dhe kufijtë e Shqipërisë. Prandaj, mendoj që shtjellimin e problemit ta fillojmë nga aflatoksinat.

 

Ç’janë aflatoksinat?

Aflatoksinat janë metabolite toksike që prodhohen nga kërpudha të caktuara në ushqimet e njerëzve dhe të kafshëve. Ato janë toksinat më të njohura dhe më të hulumtuara imtësisht në botë. Efekti helmues i aflatoksinave ndikohet nga faktorë mjedisorë.

Aflatoksinat janë më të fuqishme se të gjitha mykotoksinat e tjera dhe zotërojnë veti të fuqishme kancerogjene në kafshët laboratorike dhe shfaqin efekte të helmimit akut tek njerëzit. Akoma nuk është arritur sigurimi absolut ndaj tyre, prandaj bëhen përpjekje për të kufizuar ekspozimin ndaj aflatoksinave.

Helmueshmëria e disa myqeve për njerëzit dhe kafshët njiheshin prej kohësh, por ato, janë cilësuar me një emërtim të përbashkët “mykotoksikoza”, pra helmime nga myqet. Në vitin 1960, në komplekset e rritjes së gjelave të detit në Angli, ngordhën mbi njëqind mijë gjela deti në rritje brenda disa muajve. Meqë diagnoza paraprake qe e pamundur, ajo u quajt “Turkey x disease”, pra sëmundja X e gjelave të detit. Studimet treguan se nga kjo sëmundje prekeshin edhe rosat (bibat) e fazanët në rritje. Studimet treguan se dëmtimet lidheshin me kikirikun brazilian, i cili qe shumë helmues dhe klinika e helmimit të bibave dhe fazanëve në rritje qe tipike me atë të “sëmundjes X të gjelave të detit” në Angli; doli kështu origjina mykotike e toksinës.

Në vitin 1961 myku-prodhues i toksinës u identifikua si Aspergillus flavus, prandaj edhe toksina u emërtua aflatoksina: A- Aspergillus + fla (flavus) + toksin. Studimet e mëtejshme treguan se aflatoksinat prodhohen nga disa lloje: të A.flavus, A.parasiticus si dhe disa specie të A.Nomicus dhe A.niger.

Studimet e mëvonshme zbuluan katër aflatoksina: B1, B2, G1 dhe G2, si dhe dy metabolite të tjera, M1 dhe M2, të cilët konsiderohen si ndotës të ushqimeve të njerëzve dhe kafshëve. Metabolitet M1 dhe M2 në fillim u izoluan në qumështin e kafshëve në laktacion të ndotur me aflatoksinë. Kurse aflatoksinat B1 dhe B2 u përcaktuan nëpërmjet ekspozimit me ndriçues fluoreshent nën dritën e rrezeve ultraviolet (prandaj u cilësua B1 dhe B2), ndërsa G1 dhe G2 me ndriçimin fluoreshent të verdhë të gjelbër nga strukturat përkatëse nën dritën ultraviolet.

Aflatoksinat gjenden shpesh në kulturat bujqësore të papjekura dhe të papërpunuara para korrjes, mbas kultivimit, sidomos kur pjekja e prodhimit bujqësor është e vonuar, si dhe gjatë magazinimit të tyre. Për rritjen e myqeve, për rrjedhojë edhe për prodhimin e aflatoksinave, duhen tre faktorë: Temperatura e mjedisit rreth 37 gradë celsius, lagështira e ajrit gjatë vegjetacionit ose e produktit në ruajtje rreth 30% dhe prania e insekteve apo brejtësve, sidomos në prodhimet e magazinuara. Për herë të parë aflatoksinat janë zbuluar në qumështin, djathin, misrin, grurin (çdo lloj drithi), arra, bajame, lajthi, fiq, erëza, si dhe shumë ushqime për njerëzit dhe foragjere për kafshët. Qumështi, vezët dhe produktet e mishit kontaminohen me aflatoksinë kur kafshët ushqehen me ushqime të ndotura me aflatoksina.

Prodhimet bujqësore që kanë ndotjen më të lartë me aflatoksina janë misri, kikiriku, pambuku etj. Kur kafshët ushqehen me këto kultura të ndotura me aflatoksina, në qumështin e tyre është zbuluar aflatoksina M1, duke përfshirë edhe gjalpin, djathin e thatë dhe kosin.

Aflatoksinat dëmtojnë mëlçinë e zezë, ulin prodhimtarinë e qumështit dhe vezëve te kafshët, rrisin infeksionet e tjera si rrjedhojë e uljes së imunitetit të organizmit, si dhe toksicitetin embrional edhe kur konsumojnë përqendrime të ulëta të toksinës në ushqimin që konsumojnë. Më të ndjeshme janë kafshët e reja. Shenjat klinike te kafshët janë: çrregullime të aparatit tretës, ulje e prodhimit, ulet shfrytëzimi i plotë i ushqimit dhe efikasiteti i tij, anemi dhe ikter. Kafshët e vjetra mund të preken si rrjedhojë e konvertimit të aflatoksinës B1 në metabolitin M1, e cila ndodhet edhe në qumështin e lopëve.

Është studiuar gjerësisht kancerogjeniteti i aflatoksinave B1, M1 dhe G1, të cilat shkaktojnë lloje të ndryshme të kancerit në lloje të ndryshme të kafshëve. Megjithatë, vetëm aflatoksina B1 është konsideruar nga Agjencia Ndërkombëtare për kërkime mbi kancerin (IARC) se ka dhënë prova të mjaftueshme për kancerogjenitetin në kafshë eksperimentale për t’u identifikuar si një kancerogjen.

Njerëzit ekspozohen kur konsumojnë ushqime të ndotura me aflatoksina. Shembull konkret mund të jetë përdorimi sistematik i bukës nga shqiptarët 2-3 herë në ditë, kur mielli mund të jetë i ndotur edhe me nivele më të ulëta se norma e lejueshme, pasi aflatoksinat grumbullohen në organizëm pak e nga pak derisa të arrijnë nivelet toksike. Shenjat klinike të helmimit të njerëzve me aflatoksina: Dhimbje barku, vjellje, edemë pulmonare, konvulsione, gjendje kome, edemë cerebrale, degjenerim yndyror i mëlçisë, veshkave dhe zemrës, cirrozë e mëlçisë së zezë, ashit (grumbullim likuid në bark) dhe përfundim fatal.

Duhet thënë se mjekim specifik (antidot) për helmimet nga aflatoksinat nuk ka. Mjekimi është vetëm simptomatik (për mënjanimin e shenjave klinike të mundshme), përforcues me vitamina të ndryshme, dhe dietik, duke përdorur ushqime të pasura e të tretshme me proteina dhe vitamina. Rëndësi ka zbulimi i hershëm i helmimit dhe ndërprerja e ushqimeve të kontaminuara.

Duke u nisur nga sa përshkruam, rëndësi parësore për identifikimin e aflatoksinave ka saktësia dhe pastërtia e veçimit të tyre nga produkti i kontaminuar. Prandaj metodat e tyre duhet të jenë të unifikuara gjatë përdorimit të tyre. Rëndësi të veçantë merr konfirmimi sasior i pranisë së aflatoksinës. Aflatoksinat nuk shkatërrohen gjatë përpunimit termik (pjekjes apo zierjes) të ushqimit të kontaminuar. Përdorimi i kimikateve për produktet e konsumueshme nuk ka vlerë, pasi shkatërron vetitë ushqyese të produktit. Vlerësimi me saktësi i përqendrimit të aflatoksinave është shumë i vështirë. Megjithatë janë përcaktuar nivelet e pranueshme të aflatoksinave në ushqimet e njerëzve dhe foragjeret e kafshëve. Mesa di unë, nivelet e caktuara në SHBA janë 10 herë më të larta se ato të BE-së. Sipas amerikanëve, këto nivele janë: të gjitha produktet e destinuara për ushqimin e njerëzve, përveç qumështit, janë 20 ppb (nanogram për gram); qumështi 0.5 ng/gr; misri për ushqimin e kafshëve në rritje dhe kafshët e qumështit 20 ng/gr; misri për mbarështimin e viçave, derrave dhe pulave në rritje 100 ng/gr; misri për ushqimin e derrave të majmërisë 200 ng/gr; misri për ushqimin e viçave të majmërisë 300 ng/gr; farët e pambukut që përdoren si përbërës të ushqimeve 300 ng/gr; të gjitha ushqimet e tjera të destinuara për ushqimin e kafshëve, përveç misrit 20 ng/gr.

Cilat janë rrugët e ardhjes (pranisë) së aflatoksinave (dhe mykut Aspergillus që i prodhon ato)? Ato janë: mungesa e kontrollit të plotë të origjinës së drithërave që vijnë në Shqipëri; në vend që produkti i blerë të vijë direkt tek ne (p.sh nga Rusia), ai duhet të kalojë nga Rusia në Serbi, nga Serbia në Kosovë e pastaj tek ne; importimi në Shqipëri i stoqeve shumëvjeçare; sjellja e drithërave me rrugë joligjore, pa dokumentacionin përkatës, pa certifikatë fitosanitare, me kontrata jo të plota në të cilat nuk janë përcaktuar qartë të drejtat dhe detyrimet e ndërsjellta të palëve blerëse dhe shitëse.

Një e metë tjetër është “vënia e politikës në plan të parë”, kur titullari i dikasterit deklaroi më përpara se teknicieni se: “Ju garantoj se produkti është i pastër dhe rrezik për konsum nuk ka”. Ka ardhur koha kur teknicienët të vlerësohen, të jepen jo vetëm detyra, por edhe të drejta.

E parë në këtë këndvështrim, mendoj se duhet përshëndetur nisma e AKU. Të dyja palët, si teknicienët ashtu edhe politikanët nuk duhet të merren me politizimin e problemeve që kanë të bëjnë me shëndetin e njerëzve. Së fundi, mendoj se duhet të forcohet mendimi shkencor i punonjësve të AKU dhe ISUV, të forcohen njohuritë e tyre profesionale dhe të ndryshojë bilanci midis militantizmit dhe profesionistëve të mirëfilltë. Kjo, sigurisht, nëse duam të pranohemi në BE si evropianë.

*Toksikolog

Share This Article
7 Comments
  • Bravo DITA.
    Per te tilla shkrime ka nevoje publiku. Qe te ndergjegjesohet, se pervec politikes se helmatisur po ushqehet edhe me produkte ushqimore te helmuara, te cilat ia shkurtojne atij jeten me shpejt se sa helmi i politikes.
    Duke mosqendruar vetem te ushqimi, ushqyerja dhe mass mesia madje; une do te shkoja edhe me larg. Ku? Te protestat popullore kunder hemimit qe po i behet me vetedije, prej 25 vitesh, popullit shqiptar, gjithmone nga politika. Po ne kete rast protestat te jene jo kunder qerverise, por ato te sherbejne si shtytje per qeverine, qe ajo te veproje shpejt, fort, efektivisht per te shpetuar popullin e vet nga helmimi i plote, nga vdekja e dhuruar ne rruge demokratike nga qeverite paraardhese. Njekohesisht te kerkohet ne keto protesta nje hetim nga Kuvendi i Shqiperise, nga deputetet, te cilet ne kete rast do te kene mundesine qe te tregojne, per here te pare, se jane sherbetore te devotshem te popullit te tyre. Ne kete fushate zgjedhore per pushtetin vendor, kryetari i bashkise se Vores duhet bere shembull i paimitueshem ne te ardhmen nga bashkiaket e rinj qe do te dalin nga 21 qershori 2015. Qeveria, nese nuk e ka kemben e lyer me miell duhet te dale jo si ujku por si mama-dhia e ti tregoje grigjes se vet 1 milioneshe se nuk po mendon vetem per stabilitetin e kolltukut te vet por se po shqetesohet, molilizohet, angazhohet, perkushtohet seriozisht, materialisht dhe institucionalisht, konkretisht edhe per shendetin e popullit. Promotore te levizjes popullore “kunder helmimit te popullit” duhet te jene ministrat e shendetesise dhe bujqesise. Kane rastin ideal qe te tregojne se punojne jo vetem per vete po edhe per interesin e pergjithshem.
    Helmi thone se del me helm. Jo, ne kete rast. Ne kete rast helmi nuk sherohet me dhune, as me para, as me ilace. Helmimi sherohet me vendime te forta dhe me sasa radikale, qe meren ato ne truallin e politikes, qeverise, kuvendit. Duhet me pare te cahen rete e erreta qe mbullojne politiken, sepse edhe ekonomia eshte shprehje e koncentruar e politikes, e pastaj vine chelmatisja e ushqimeve dhe qetesia e popullit.
    Populli duhet te ngrihet ne protesta paqesore, te qeta, me besim ne vetevete dhe ta kerkoje shpetimin nga vepra e tyre. Sepse ne vetjemi krijuesit e fatit tone.
    Sa me siper me erdhen si nje dallge e mbushur me zemerim, e prandaj idete nuk jane te miresistemuara, por morali i fabules besoj se del qarte per publikun, dhe ata qe kane pergjegjesine institucionale te disintoksitojne popullin, dhe veten e tyre: nese hane buke, ushqime shqiptare!

  • Ja tek eshte nje nga arsyet e qenesishme te rritjes progressive te semundjeve kancerogjene ne Shqiperi.
    Nuk e marr vesh se pse paska ekzistuar dhe eshte paguar nje dikaster I tere I bujqesise bashke me institucione te tjera ne varesi te tij,,,,,,,kur ketu nuk u bekan dot as provat laboratorike te testimit te alfatoksinave ne ushqime?????
    Te ndodhte ky qamet ne kohen e Xhaxhit,te varnin (pergjegjesit ,natyrisht) per gjuhe.

  • Një përgjigje e spiegim i shkëlqyer i toksikologut më të mirë të vendit Qemal Poçi. Ka mbaruar me dy medalje ari në Leningrad dhe në Moskë,deshën ta mbanin pedagog,i ofruan poste etj, por Qemali donte vetëm Shqipërinë! Edhe tani në moshën e “djaloshit mbi 85 vjeçar” grumbullon fakte rreth fushës së vet dhe ka krijuar një arkiv gjigand. Punon natë e ditë, shfleton natë e ditë,shkruan natë e ditë dhe nuk rri dot pa u angazhuar. Nervi i tij qytetar regëtin papushim! Eh mor Qemal Poci? Nuk erdhe të pije kafe me mua,nuk m’a vare se të ishte bërë mëndja ” Aflatoksina”! Madje i bërtite dhe plakës duke ju drejtuar ashpërsisht se “qytetarët shqiptarë janë në rrezik, ti më mbyte me llafe..”! I çuditshëm je vërtet? Po të doli në shteg ndonjë gjë profesionale atëhere aha, nuk na i var fare teneqenë ne të tjerëve,ne shokëve të tu? Mos harro Qemal se nuk ke lindur toksikolog por linde edhe si shok, ndryshe të erdhëm te shtëpia dhe do të protestojmë aq fort sa do të bëhesh pishman qê u bëre toksikolog? Vëri vëth në vesh këto që të themi zoti djalosh i pjekur! Nuk komentova për shkrimin sepse i di të tëra ato që ke shkruar,m’i ke thënë cdo ditë,cdo orë, cdo minutë aq shumë sa unë tani do të shkoj të kërkoj masterin për toksikolog. Dhe mbaje mënd,do të ta kaloj ty! Nderime e të fala! Të fala dhe cunit tënd që u zëmërua njëherë me mua dhe pastaj i vinte turp të më kërkonte ndjesë për gabimin! Përqafime pa aflatoksinë dhe me të gjithë dashurinë…!

  • Ja dhe djali ynë që nuk pushon së punuari ! Na ke nderuar Qemal por dhe ky pllumb zaimi shumë lart të ka ngritur ama? Përshëndetje!

    • Hajde këtu o Qemal. Poçi se këtu në Virua do të ta vëmë dekoratën për këtë artikull mjeshtri të madh!

      • Bashkia e Gjirokastrës duhet ta propozojë për “qytetar nderi” këtë profesionist të shkëlqyer të. Ushtrisë dhe të ministrive të tjera! Jo se është i vëllai i gjeneral Dilaver Poçit por sepse e ka merituar me punën dhe angazhimin e tij sot dhe gjithë jetën? E përshëndesim nga sofra gjirokastrite!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *