Aforizma të shkrimtarit Nasho Jorgaqi

Elena Tase
Nasho Jorgaqi

Bashkëshortësia është toka ku jetojmë jetën me gazet e dertet e saj; dashuria është qielli, ku fluturojmë me krahët e ëndrrave dhe pasioneve.

***

Fjala e dashurisë nuk njeh moshë.

***

Kujtimet u ngjajnë rrënjëve të drurëve anës rrugës që vjen një moshë dhe shpërthejnë në sipërfaqe.

***

Heshtja e eremitit nëpër shpella krijon lidhjen e drejtpërdrejtë të njeriut me qiellin.

***

Puna nuk duhet të jetë mysafir në jetën e njeriut, por alteregoja e tij.

***

Prestigjiatori luan e argëtohet me misteret e natyrës.

***

Njerëzit rriten e piqen me vitet, popujt rriten e piqen me brezat.

***

Kush u bën të mira të tjerëve dhe s’pranon të mirat e tyre, është egoist në mënyrën e tij.

***

Është e lehtë të kthehet miqësia në dashuri, por është gati e pamundur dashuria në miqësi.

***

Ndryshe do të thurej fati i çifteve, në qoftë se burrat do të shikonin te gruaja më shumë bukurinë e shpirtit se sa atë të fytyrës.

***

Shumica e njerëzve i luten zotit jo aq nga venerimi për të, se sa nga frika e vdekjes.

***

Flirti është teshtimë e një nate të bukur vere.

***

Ka dhe dashuri që i ngjajnë këngës së mjellmës. Ato nuk përsëdyten.

***

Vendlindja është projektimi në hapësirë i fëminisë.

***

Fytyra e gruas është një pyll që e sodisin të gjithë, po jo të gjithë dinë të futen brenda.

***

Rinia-ëndrra drerësh, pleqëria-ëndira kuajsh. Në mes tyre ëndrra e zakonshme njerëzore.

***

Dhe trupi i artistëve zbret një ditë nën dhe, po shpirti u mbetet në veprat.

***

***

Kur dikush vdes, të tjerët më shumë se për vdekjen e tjetrit, hidhërohen për vdekjen e tyre.

***

Vetëm kur arrijmë të gjallërojmë sendet përqark atëherë mund të themi se e jetojmë jetën në shkallën më të lartë.

***

Sa më e madhe të jetë bukuria e gruas aq më e rëndë bëhet pesha e saj

***

Më shumë pendohet ai që flet sesa ai që hesht.

***

Në detyrë është më mirë të të respektojnë se sa të të duan.

***

Hiret e lëvizjeve janë muzikë që vetëm ndihet e nuk dëgjohet.

***

Ka raste, që zemërimin e gruas vetëm rrufeja e shuan.

***

Arti është lulja më e bukur që rrit shpirti njerëzor.

***

Njeriu pa romantikë është si një pejsazh pa qiell e pa horizont.

***

Muzika të çon te mendimet fisnike dhe mendimet fisnike të ngrejnë në lartësinë e muzikës.

***

Dashuria bashkon trupat dhe sharton shpirtrat.

***

Pleqëria kthehet në një lente që zmadhon si virtytet dhe veset.

***

Njerëzit e kanë më të lehtë të ndajnë ngushëllimin se sa gëzimin.

***

Dashuria luan me kohën tonë: motin e bën çast dhe çastin e bën mot.

***

Ka çifte që kur ndodhen larg ndihen të afërt, kur janë afër ndihen të largët.

***

Kush ka vetinë të kapë çastin e papërsëritshëm, ka çelësin e ëndjes së jetës.

***

Puna me gjuhën e shkruar është si puna me granilin: sa më shumë ta fërkosh e ta lëmosh aq më tepër nxjerr në pah bukurinë dhe harmoninë.

***

Në jetë nuk kemi të bëjmë as me engjëj, as me djaj, po me njerëz që kanë shëmbëllimin e tyre.

***

Në qoftë se s’di të vlerësosh drejt virtytin, mund ta pësosh prej tij.

***

Dashuria ngushton vetveten, miqësia zgjeron vetveten.

***

Fama ndriçon jetën publike dhe mjegullon jetën private.

***

Asnjëherë misteret e gruas nuk zbulohen deri në fund.

***

Ekziston mëkati i Evës dhe Adamit, po dhe vetëflijimi i Romeos dhe Xhulietës.

***

Sa mund të vritet dielli aq mund të vritet e vërteta.

***

Ai që të do, të mban dhe nën gjuhë.

Artisti ia fal bukurisë çdo gjë.

***

Mos e lër veten ta gëlltisë heshtja.

***

Shpirti i madh e ngjit njeriun deri te yjet.

***

Përvoja jonë ngrihet më shumë mbi gabimet se sa mbi

sukseset.

***

Thjeshtësia si qelqi e zbulon njeriun ashtu siç është.

***

Duhet të tregohesh këmbëngulës dhe i ndershëm që të bëhesh mik i vërtetë i diturisë.

***

Jeta e secilit është si lumi: vjen e kalon dhe s’kthehet asnjëherë prapa.

***

Ilaçi mashtron dhimbjen, po dhe të sëmurin.

***

Zemërimi është armik i arsyes dhe lehtësim i shpirtit të ngarkuar.

***

Në dashuri njeriu gëzohet me sy dhe shikon me zemër.

***

Baraspesha në mes gëzimit dhe dhimbjes është jeta e vërtetë.

***

Koha hap dyer, koha mbyll dyer.

***

Zjarri të djeg, zjarri i dashurisë të djeg dhe të ringjall.

***

Në punë duhet të jesh kalë, në dashuri dre!

***

Kush e kupton me vonesë vlerën e shëndetit e paguan

shtrenjtë.

***

Dëshpërimi është helmi i shpirtit.

***

Vdekja e lumtur, vdekja e pamundur.

Të ngrënët pa masë, vjen një ditë, që e ha vetë njeriun.

***

Pasionet ngjallin jetën, pasionet afrojnë vdekjen.

***

Sytë janë i vetmi shteg nëpër të cilin dashuria zbret në zemër.

***

Loti është deti i shpirtit tonë.

***

Zoti i të gjithëve, zoti i askujt. Zoti i secilit, zoti i

vërtetë.

***

Rruga për te zoti nuk kalon as nga ferri, as nga parajsa, por nga vetja.

***

Nuk mjafton vetëm dashuria për të mbajtur urat midis zemrave.

***

Të njohësh botën përmes vetes është gëzim dhe vuajtje njëherësh.

***

Pakureshtje s’ka zbulim dhe pa zbulim s’ka shkencë.

***

Eksperimentimi i natyrës njerëzore duhet kryer brenda moralit njerëzor.

***

Vetëm shpirti i thjeshtë përfton lidhje të drejtpërdrejtë në mes njeriut dhe universit.

***

Të jesh i sinqertë me të tjerët si me veten, do të thotë të gjendesh gjithnjë i zbuluar dhe i pambrojtur.

***

Trajta e së vërtetës mund të ndërrojë, po thelbi i saj mbetet përjetësisht ai.

***

Ndonjëherë mençuria e grave është kurth.

***

Egoizmi, është më shumë nënë e të këqijave, sesa e të mirave.

***

Mund të bashkohen mendimet dhe dëshirat, dhe ëndërrat mund të bashkohen, por jo vetja me vetjet e tjera.

***

Fama është dhe dritë, dhe hije, varet nga ai që e bart, si e përdor ose e shpërdor.

***

Edhe ferrin edhe parajsën e kemi me vete.

***

Kur shkëputesh nga mendimet e tua dhe ngrihesh në qiellin e ideve, atëherë nis filozofia.

***

Politikani është qenia më jetëshkurtër e historisë.

***

E vërteta e zakonshme i ngjan ajrit, e vërteta e jashtëzakonshme i ngjan diellit.

***

E vërteta dhe gënjeshtra janë si drita dhe hija, që s’ekzistojnë dot pa njëra tjetrën.

***

Burrin e bën burrë gruaja, po gruan nuk e bën gjithnjë grua burri.

***

S’ka dhimbje më të ngushëllueshme se sa të vdesësh i dashuruar.

***

Sa jemi gjallë na ka hije dafina, kur vdesim na bën hije qiparisi.

***

Ka njerëz që janë si iriqi të ashpër nga jashtë, të butë nga brenda.

***

Dashuria nuk ka emrin e Adamit dhe të Evës, po të Romeos dhe Zhulietës.

***

Si mirësia ashtu dhe ligësia e njeriut s’kanë kufi.

***

Pasqyra mbetet pasqyrë, po dhe ne mbetemi ata që jemi para saj.

***

Mirënjohjen tënde ruaje, mirënjohjen e të tjerëve harroje.

***

Pentagramin e dashurisë e shkruajnë vetëm zemrat e mëdha.

***

Të gjithë njerëzit e zakonshëm shndërrohen në humus. Vetëm më të mëdhenjtë e të mëdhenjve kthehen në gurë që i qëndrojnë kohës.

***

Ai që ta bën të mirën me lehtësi ka të ngjarë ose nuk ia di vlerën ose është i dyshimtë.

***

Kur një ditë do të gjendemi vetëm për vetëm përballë vdekjes, çdo iluzion shpëtimi është i rremë.

***

Egoizmi i të sëmurit të pashpresë është lufta e dëshpëruar me vdekjen.

***

Fitoret e bilancit të jetës nuk mund të kuptohen pa dështimet.

***

Shkolla para shkollës së jetës shpesh i ngjan shkollës foshnjore.

***

Ndërgjegjja është dritë që shfaqet në errësirë, po dhe errësira që duket në dritë.

***

Kur bukuria e gruas të mvesh sytë, nuk je në gjendje të shohësh brenda saj.

***

Në sytë e të dashuruarve çdo gjë e bukur bëhet pjesë e dashurisë.

***

Zemërimi i gruas nuk pranon asnjë logjikë.

Share This Article
1 Comment
  • Prodhimtaria e Nasho Jorgaqit eshte nje hiastori me vete , kur kemi parasysh faktin , qe vijon te prodhoi , sikur te jete mesburr. Eshte biograf dhe publicist i pa krahasushem. Namin ne letersi , ja dhane 2 volume e “Mergates se qyqeve ” . Ballistet kot e kritikuan , kete veper . Eshta kaq realist , sa dhe vete Zogu ta kishte shkruar , nuk do te ishte ndryshe . Aforizmat dhe proverbat jane produkt I folklorit , nuk kane lidhje me letersine . Duke qene keshtu , kur I shkruan nje shkrimtar , lene vend , per kritike , jo per llogjike , por per koncizitet . Po analizoj dy .Kur bukuria e gruas te vesh syte , nuk je ne gjendje te shofesh brenda saj Populli e ka thene fare shkurt : Jasht kukull , brenda kungull. nje tjeter : Fitoret e bilancit te jetes , nuk mund te kuptohen pa deshtimet . Populli nuk mund te shprehet me fjali kaq te gjate. Populli e ka shprehur keshtu : Fitoria dhe disfata , jane moter e vella .Keto nuk I shkruaj , per te cvleresuar krijimet e Nashos , por vetem , t’u nderroi gjinine krijuse . Mbase mund t’i quaj, fjale fluturake , ndoshta rubaira .Jam I sigurte se Nasho me kupton , ndryshe nga Ti , qe nuk cfaqe opinionin dashamires , heren tjeter, kur shkrova , per prozen poetike . Zgalem

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *