Ushqimet afrodiziake kanë aftësinë të stimulojnë dëshirën seksuale. Kjo e fundit bazohet në dy përbërës thelbësorë: fiziologjik, që lidhet me faktorët metabolikë të organizmit, dhe psikikë, që lidhen me stimujt e karakterit emotiv. Ushqimet afrodiziake veprojnë në aspektin mendor, duke favorizuar qarkullimin e gjakut në tru dhe fantazitë që mund të përmirësojnë raportet në çift. Ja një listë me disa prej ushqimeve që e kanë më të fortë këtë efekt.
Midhjet
Që në antikitet, midhjet njihen për aftësitë e tyre afrodiziake. Megjithatë, ende nuk janë zbuluar substanca të veçanta kimike që të argumentojnë nxitjen seksuale që shkaktojnë. Në këtë rast, një shpjegim më social hyn në lojë: çmimi i tyre. meqë kushtojnë relativisht shumë, midhjet mund të shihen si të lidhura me paratë dhe pasurinë, dy faktorë të rëndësishëm në nxitjen seksuale.
Hudhra
Ajo përmirëson qarkullimin e gjakut dhe rrjedhimisht edhe dëshirën seksuale. Megjithatë, era që të jep kur e konsumon dhe dëshira për t’u afruar me dikë janë të papajtueshme me njëra-tjetrën.
Shampanja
Romantizmi është paradhoma e pasionit dhe kjo dihet. Shampanja është e aftë të shtojë romantizmin në një darkë mes dy personave, duke mos harruar këtu edhe eksitimin që nxitet nga doza e alkoolit që përmban pija.
Çokollata
Nëse mendon për një ushqim afrodiziak, e para që të vjen në mendje është çokollata. Kakaoja ka në përbërje substanca që nxisin eksitimin si teobromina dhe feniletilamina. Për t’u pasur parasysh është edhe sasia e bollshme e antioksidantëve që gjenden tek çokollata.
Bajamet
Bajamet janë një koncentrat vitamine E, e cila ndikon drejtpërdrejt në dëshirën seksuale. Por bëni kujdes me kaloritë, pasi mund ta gjeni veten shumë pasionant, por edhe me më shumë kile.
Shafrani
Bima me origjinë aziatike që përdoret edhe si qetësues vepron efektivisht kundër dhimbjeve menstruale. Si afrodiziak natyral, shafrani bashkë me xhensenin (një tjetër bimë me origjinë nga Azia) janë më të fuqishëm se çokollata.
Kardamom
Ndikon direkt në sistemin nervor. Krijon një ndjenjë qetësimi dhe rehatie, duke përgatitur trupin për një marrëdhënie pasionante.
Avokado
Më shumë sesa shkencore, argumentet që përdoren për ta “veshur” avokadon me aftësi afrodiziake vijnë nga imagjinata. Aztekët e quanin pemën ku rritet ky frut “pema-testikul”.
Speci djegës
Njihen efektet e tij në hapjen e enëve periferike të gjakut, falë disa substancave që ka në përbërje. Në këtë mënyrë bëhet i mundur qarkullimi i gjakut në organet gjenitale. Futet në listën e afrodiziakëve që e kanë merituar këtë emër pas studimeve shkencore. / Përgatiti: Gazmira Sokoli