Aftësitë shtet-formuese janë operacionalizimi i idesë së shtetit si organizëm qeverisës për substancën sociale. Për konceptin e shtetit, për lindjen dhe zhvillimin e tij në histori ka teori të pafundme, por asnjëherë shteruese. Në këtë kumtim të shkurtër, në të vërtetë çdo kumtim është një pikë rifillimi dhe ristudimi, nuk dua ta kufizoj problematikën e subjektit vetëm në një epokë të caktuar. Ende studimet që lidhen me ekuacionin Shtet dhe Kombi Shqiptar janë fragmentare, aspak të plota. Meqenëse Kombi Shqiptar është një realitet i gjallë kjo do të thotë që ne mund të konceptualizojmë një histori dhe një gjenezë të këtij kombi sipas paradigmës së hershmërisë dhe të zhvillimeve mbijetuese. Nga kjo pikëpamje arkeologjia rihap portat e mbyllura për studimin shkencor edhe për dukurinë e shtetit në truallin e shqiptarëve. Zbulimet e bujshme dhe të mëdha të prehistorisë nga arkeologjia shqiptare në gjysmën e shek. XX vërtetuan një vijimësi të pandërprerë të shtresave kulturore pa ndonjë hiatus, apo zhvendosje imagjinare. Në epokën e bronzit formohet etnosi ilir, më saktë një bashkësi etnosesh i fiseve ilire, pra diversitete që megjithatë formojnë një unitet.
Shkatërrimi i rendit gjinor sjell “shpikjen” e shtetit. Kjo është një dukuri universale.
Nuk kam ndërmend këtu të shtjelloj një histori të hollësishme të formacioneve shtetërore që dokumentohen tek ilirët shumë herët. Një vepër e plotë në këtë drejtim është ajo e arkeologut francez Pierre Cabanes “Les Illyriens, de Bardylis a Genthios”, Armand Colin/SEDES ,1988. Ky libër shfrytëzon këto arritje të historiografisë moderne, me emra të shquar, si G. Zippel, Curt Schhut, M. Holleaut, si dhe A. Denac, M. Garashanin, R. Katicic, F. Papazoglu, si dhe studime të dijetarëve shqiptarë Hasan Ceka, Selim Islami etj. Në mënyrë të veçantë është meritë e prof. S. Islamit që u mor tërë jetën me për të formalizuar një histori konkrete të shtetit ilir, në një raport urban, monetar, me konceptin e konsoliduar të qytetit ilir si strukturë bazë. Të dhënat më tëhershme flasin për mbretër ilirë të paktën që nga shek. VIII para Krishtit. Një fragment i Polyenit (II,12) flet për mbretin ilir të Taulantëve në shek. VII. Një dekret konsullor, më saktë në një mbishkrim të Athinës dokumentohet një tjetër mbret ilir Grado. Ky mbishkrim është i lidhur edhe me dy mbishkrime të gjetura njëri në Olymth dhe tjetri në Akropolin e Athinës ku përmendet një tjetër Grabo që ka gjasa është gjyshi i tij. Gjerësisht kronikat flasin për mbretër të fuqishëm ilirë si Bardhyli, si dhe pasardhësit e tij që përfaqësojnë një dinasti. Ata mbajnë titullin “mbreti i ilirëve”, të përdorur sa në latinisht dhe në greqisht, siç shihet te Theopompi, Polibi, Diodori, Plutarku dhe Tit Livi. Këtë titull e kanë të paktën tetë mbretër që pas regjistrimit të bërë nga P. Carlier: Bardhyli I, Grabo II, Pleurja-Pleurati, Glaukja, Bardhyli II, Agroni, Pleurati III dhe Genti. Po këtu duhen shtuar edhe mbretër të tjerë të ilirëve që dalin nga burimet numizmatike, ose tërthorazi nga tekstet siç është rasti i mbretit Kliti, mbretëresha anonime që u vra nga vajza e Filipit II, Kyna, i Monunit, Mytylit dhe Pinit.
Ka dy teori në lidhje me shtetin ilir: ajo e formacioneve autonome të mbretërive ilire sipas Zipelit, dhe teoria unitare e F. Papazoglut e cila sheh me të vërtetë alternimin e emrave të mbretërve, por në të njëjtën strukturë shtetërore në shekuj të ndryshëm. Pak a shumë i këtij mendimi është edhe dijetari shqiptar S. Selimi. Është një fakt madhor i historisë antike mesdhetare se Shteti Ilir sidomos në shekujt IV-II para Krishtit përfaqëson shtetin më të madh të tipit helenistik, sidomos pas vdekjes së Aleksandrit të Madh, në gadishullin ilirik. Qendra kryesore e shtetit ilir konsiderohet Shkodra, por edhe qyteti i Rizonit. Shteti Ilir ka një histori të ndërkombëtarizuar mesdhetare. Ai zotëron me anë të piraterisë ilire detin Adriatik, por është i fuqishëm edhe në Jon deri në Etoli, është një shtet i fuqishëm me një ushtri të madhe dhe flotë zotëruese, me një veprimtari monetare tepër të rëndësishme, me monedhat ku ka emblematizuar figurën e lembes dhe të përkrenares ilire. Dihet se për Romën Republikane që po bëhej një superfuqi, patën rëndësi luftërat punike (me Kartagjenën) dhe tre luftërat ilire, sidomos në harkun kohor kur në fuqi ishte mbretëresha Teuta. Shteti ilir ishte një fuqi ndërmjetëse, e treta, midis shtetit romak dhe atij maqedonas. Faktori i tij diplomatik ka qenë i shumëfishtë. Mbreti i fundit ilir Genti e përjeton shkatërrimin e mbretërimit të tij në vitin 168 para Krishtit. Interesante është se senati romak pikërisht në Shkodër dërgon Luc Anicin duke mbledhur një asamble (comventus) me pjesëmarrjen e gjithë principes, (burrave ilirë me influencë) dhe shpall vendimet e mëposhtme: Ilirët janë të lirë, të gjitha garnizonet romake tërhiqen. Banorët e Shkodrës, desaretët duhet t’i paguajnë Romës një haraç, sa gjysma e atij që kërkohej nga mbreti Gent. Iliria ndahet në tre provinca, dhe siç del nga teksti i Polibit, vizualizojnë një autonomi formale, me statusin e një protektorati romak. Po nuk janë kronikat e shkruara, por zbulimet numizmatike që tregojnë se një Shtet Ilir me kryeqendër Rizonin dhe mbretin Balaos i cili

në monedhat e tij përdor simbole joromake, çka lë të nënkuptojë, në një boshllëk të dhënash të tjera një vijimësi të çuditshme të një Shteti Ilir pas pushtimit romak. Natyrisht Roma Republikane u bë një Perandori e madhe Botërore, raporti i ilirëve me Romën është një temë e thugët studimore, bazuar në një material shumë të pasur, madje edhe epigrafik. Ngjan se historia hesht përfundimisht dhe nuk ka më një histori të ilirëve me shtetin. Por në hartën e Ptolemeut nga Aleksandria në shek. II paraqitet një qytet i madh me emrin Albanopoli, si dhe malet e albanëve. Do të ishte shumë modernizuese dhe një shpërpjesëtim konceptesh të flisnim për një Mbretëri Ilire, post-romake me kryeqytet Albanopolin. Po ky fakt nuk mund të anashkalohet dhe me të drejtë dijetari gjerman me një nerv të fortë analizues Fallmerayer në veprën e tij epokale “Das Albanesische Element in Griechelant”, në 1857 ndalet gjatë në faktin e Albanopolit në polemikë me studiuesin grek negativist Nikokles. Fallmerayer e konsideron dëshminë e Albanopolit si një histori publike të albanëve, paraardhësve të sigurt të shqiptarëve. Përsëri boshllëku i kronikave është i rëndë. Dimë vetëm se krishterimi i hershëm i përhapur gjerësisht në territorin e shqiptarëve ka qenë një ferment ideologjik çlirues për atë proces substancial që ndodhi në Antikitetin e Vonë të krijimit të popujve “të rinj” nga paraardhësit e tyre më të vjetër. Konkretisht materiali arkeologjik i asaj që quhet konvencionalisht “Kultura Arbërore e Komanit”, që e institucionalizon konceptin etnik të shqiptarëve të hershëm është një bazament mbi të cilin muret, që mund të jenë ngritur duket se janë rrëzuar dhe kanë humbur.
Sundimi romak u pasua nga sundimi bizantin. Këtu nis një nga etapat më të ndërlikuara por edhe më të plleshme për shqiptarët. Mesjeta shqiptare ka një peshë të veçantë. Mesjetarologu i madh Milan Shuflai ka shkruar se: “Historia mesjetare e Shqipërisë ka një material me rëndësi të dorës së parë, dhe nga pikëpamja e historisë së përgjithshme të njerëzimit. Vrulli i një lashtësie të madhe është ruajtur në burimet e të dhënave sikundër në fushat Wild West, duke kaluar, filtruar, nëpër retortën e lartë të kulturave. Adriatiku i shikuar historikisht është një miniature, ose një vatër kulture e Mesdheut midis dy botëve të vjetra: Lindjes dhe Perëndimit. Në këtë strukturë spikat në Lashtësi dhe në Mesjetë qyteti i lashtë i Durrësit, qytet i klasit të parë që mund të quhet “Lulishtja e Adriatikut”, ku, elementi ilir dhe latin mbante njëpeshimin e bazës bizantine me gjuhën helenike, ku tipi i qytetit dalmatin e jugo-italian pasqyrohej në fytyrën greko-bizantine. Durrësi është optika ku përmblidhen tre qendra të mëdha të gjuhës së shkruar të Evropës në kohën mesme: qendra latine, greke dhe sllave. Më saktësisht mund të thuhet se Durrësi formonte vatrën e dytë të elipsit të Mesdheut, sikundër Palermo në Sicili, ku gjuha latine dhe greke bashkohej drejt jugut me arabishten. Durrësi mund të quhet si qyteti magjik, si kufiri i përrallës, ku fryjnë të gjitha erërat njëherësh. Natyrisht që nuk kemi të bëjmë me një vesk apologjik.”.
Periudha mesjetare në Shqipëri e ka sot një mjeshtër të analizës me kontribut të vecantë prof. Pëllumb Xhufin. Dy veprat e tij “Dilemat e Arbërit” dhe “Nga Paleologët dhe Muzakajt” kanë krijuar një perceptim më të plotë historik sidomos dhe në atë që quhet etatizmi historik, fuqitë centrifugale të provincave me Bizantin dhe fuqitë e tjera mesdhetare. Të dhëna më të plota që vërshojnë tregojnë që shek. XII ashtu siç e ka përcaktuar Jacques Le Goff ka qenë një kufi rilindës dhe ndryshimesh të mëdha për tërë Evropën. Diçka më vonë, në shek. XIII dokumentohet Shteti i Arbërit, i cili i plotëson atributet për t’u quajtur i tillë. Në mbishkrimin latinisht të gjetur në Gziq të Mirditës dhe që sot ruhet në Muzeun Historik Kombëtar ka diçka që nuk është parë me vëmendje nga studiuesit. Ky mbishkrim i transkriptuar dhe transliteruar nga Injac Zamputi dhe Koço Zhegu ka një rresht që në latinisht është: “Laeto animo dignae Nationi abtuliti” që përkthehet: “Me gjithë shpirt ia blatoj Kombit të denjë”. Kjo është një formulë pak e habitshme afirmuese e fillimit të një vetëdije kombëtare, sepse pikërisht ky komb i denjë janë shqiptarët. Pa e modernizuar kuptimshmërinë e kësaj shprehjeje ne vetëm e nënvizojmë.
Po në shek. XIII formohet nga Karl Anzhu më 1272 REGNUM ALBANIAE (Mbretëria e Shqipërisë) me kryeqytet Durrësin. Formimi i këtij shteti me një emër të tillë të veçueshëm (në fakt emër etnik) sipas dokumenteve të kancelarisë së Karl Anzhusë bëhet duke njohur privilegjet e feudalëve shqiptarë të shquar të kohës. Për fat të keq studimi i ekzistencës dhe rolit të kësaj Regnum Albaniae nuk është parë me një optikë më të gjerë dhe të shumëfishtë. Por gjithsesi ky është një fakt që pllenon arsyetime të shumta.
Në këtë kuadër studimi i prof. Xhufit i cili duke arsyetuar sipas “normalitetit historik” flet për shekujt XIII, XIV për krahinën që grosso modo që sot njihet me emrin Toskëria se si organizohet në njësi administrative, përkatësisht informacion politik të mëveçëm, i njohur si Despotati i Beratit.
Aftësitë shtet-formuese të shqiptarëve mund të artikulohen shumë më dukshëm në shek. XIV, në shekullin e shkëlqyer të principatave të mëdha shqiptare, ku spikatin shtetet e veçantë të Topiajve dhe të Balshajve. Kjo është periudha para skënderbejane.
Në shek. XV shkëlqen Shteti i Gjergj Kastriot Skënderbeut i bazuar mbi një formulim unitar siç është Lidhja e Lezhës më 1444. Ngjarje juridike edhe në rrafsh rajonal dhe evropian. Në Kuvendin e Lezhës u jetësua shteti shqiptar, ku Gjergji Kastrioti Skënderbeu sipas formulës “primus inter pares” ishte Dominus Albaniae. Epoka kastriotase pati një konotacion ndërkombëtar në tërë Evropën Perëndimore. Është një shtet i mirëfilltë i fundit të Mesjetës dhe Rilindjes Evropiane, për të cilin ka studime të shumta ndonëse jo përfundimtare.
Me Skënderbeun elementi diplomatik i politikës së jashtme ka një institucionalizim të koncentruar dhe një modernitet të madh për kohën. Pas vdekjes së Skënderbeut për shumë shekuj Shqipëria bëhet pjesë e Perandorisë Osmane dhe ra në atë që quhet metaforikisht “errësira egjiptiane” (term biblik).
Po në këtë zbrazëtirë të parë shqiptarët manifestuan një antropologji kulturore të klasit të parë për idenë e pavarësisë dhe të lirisë. Më 1555 Gjon Buzuku në librin e parë shqip skalit shprehjen “Ën së dashurit botës sanë”. Shqipërimi biblik i tij është një shqiptarizim, pra një etnicitet kulturor i epërm.
Shekulli XVI ngre në reliev trinitetin e emrave Buzuk, Barlet dhe Onufër. Kurrë më parë Shqipëria se ka pasur këtë shkëlqim të kulturës dhe të artit. Marlin Barleti skicon për herë të parë një teori të shtetit.
Në librin e tij për Skënderbeun (1508-1510) Barleti pasi citon Platonin hedh idenë e unitetit të ekzekutivit. Barleti duke iu referuar rolit të Skënderbeut nënvizon: “Që e krahason zakonisht morinë e drejtuesve të ndryshëm dhe e hegjemoninë e një të vetmi me dy shtazë, nga të cilat njëra kishte dy kokë, kurse tjetra vetëm një. Këto shtazë, duke iu shmangur shigjetave të gjuetarëve u futën në trungun e një druri zgërbonjë, nga ku nuk mund të nxirreshin ndryshe, veç duke i vënë zjarr e duke djegur trungun. Shtaza që kishte një kokë, ngaqë u mendua një herë e shpejt, mori arratinë dhe u tërhoq në një vend të sigurt, përkundrazi ajo që kishte shumë kokë, duke e menduar për një kohë të gjatë, se në ç’mënyrë të shpëtonte i lau hesapet menjëherë e rrëmbyer nga zjarri”. Kjo parabolë barletiane shpreh teorinë e shtetit të centralizuar që del nga Mesjeta, ka një karakter aristotelian sesa platonian.
Më 1513 Makiaveli themelon teorinë e parë civile të bazuar gjerësisht te shteti dhe ndan etikën nga politika. (Vetëm shekuj më vonë teoria e shtetit kombëtar do të saktësohej. Zhan Zhak Rusoi dhe Monteskieja do të argumentonin se ligji natyror çon te ligji publik. Ndërsa në shek. XX Hanah Rendi do të iluminonte një pikëpamje të re, atë që politika është sferë e lirisë, pa të cilën liria nuk është realitet i vërtetë, po thjesht një nocion.)
Në shek. XVII tre B-të e mëdha Budi, Bogdani, Bardhi lartësojnë kulturën shqiptare me substancë evropiane, bëjnë projekte për çlirimin e Shqipërisë, ringjallin kultin e Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe të Mëvetësisë kundër shtetit osman.
Por shekulli më i madh dhe më vendimtar është shekulli XIX ku nën ndikimin e Revolucionit Francez kemi krijimin e organizimeve sui generis shtetërore, pavarësisht suazës perandorake osmane nga figura të pazakonta shqiptarësh, siç është Ali Pashë Tepelena, Mehmet Pashë Bushatlliu. Strukturat e tyre qeverisëse gati të pavarur lidhin traktate diplomatike me Anglinë, Francën, Austro-Hungarinë etj.
Shekulli XIX tregoi prapambetjen e madhe konceptuale të idesë së shtetit kombëtar edhe te shumë vende evropiane, duke rilindur dhe vënë në qendër idenë e shtetit komb. Mozaiku i shteteve italianë, apo i shteteve gjermanikë tregoi qartë se ideja e shtetit kombëtar edhe tek ata ishte ndoshta e vonuar. Vetëm me Garibaldin Italia u bë shtet unitar kombëtar dhe gjithashtu vetëm me Bismarkun Gjermania mund të realizohej si një shtet i tëri i mëvetshëm. Këto fakte të historisë janë të pamohueshme. Për kancelaritë e mëdha evropiane procesi i njohjes se çfarë përfaqëson Kombi Shqiptar ka qenë shumë i vonuar në rrafshin e mirëfilltë shkencor.
Në shek. XIX lind shkenca albanologjike me Georg Hanin, i cili afron një njohje shkencore të prejardhjes dhe qenies etnike të shqiptarëve, kurse gjuhëtari gjenial i gjuhësisë së krahasuar Franc Bobi zgjidh përfundimisht faktin që gjuha shqipe është një gjuhë indoevropiane. Shekulli XIX është shekulli i Xhorxh Bajronit dhe i piktorëve të tillë të mëdhenj si Leon Zheromi, që iu afruan kancelarive evropiane pamje të fisme, krenare dhe me dinjitet të shqiptarëve. Dhe pa dyshim romantizmi shqiptar me De Radën dhe Naim Frashërin ishte një Pavarësi në dukje virtuale e letërsisë që i paraprinte aktit juridik të kësaj Pavarësie.
Por ajo më e rëndësishmja dhe më substancialja është Lidhja Shqiptare e Prizrenit e cila u përurua më 10 qershor 1878 dy ditë para hapjes së Kongresit të Berlinit. Jo rastësisht.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit i mori qartë atributet e një Qeverie të Mëvetshme Kombëtare, qoftë në organizimin ushtarak, të pushtetit vendimor gjyqësor dhe të diplomacisë së jashtme.
Po të mos ishin rrethanat in extremis Lidhja Shqiptare e Prizrenit do ta përuronte Pavarësinë e Shqipërisë sipas një motivimi të pamohueshëm dot. Kongresi i Berlinit ishte një nga strukturat më të mëdha dhe zotëruese të kohës, vendimet e tij qenë kundër Shqipërisë. Arsyet ,sado të ndërlikuara, kanë logjikën e tyre, por logjika shtet-formuese e shqiptarëve nuk mund të zbehet dhe as të mohohet. Pikërisht në këtë shekull shqiptarët demonstruan projektet e tyre vizionare që nga Naum Veqilharxhi, Pashko Vasa, dhe sidomos Sami Frashëri që sendërtoi Traktatin më të famshëm dhe çuditërisht shumë aktual edhe sot për të ardhmen shtetërore të pavarur dhe të lirë të Shqipërisë, madje dhe formën moderne republikane sipas një Pleqësie -Senati, duke ju larguar arketipave mbizotëruese të kohës që ishin monarkitë.
Fillimi i shek. XX ishte akoma më i komplikuar për shqiptarët. Kryengritjet e mëdha kundër Perandorisë Osmane, zhvillimi i arsimit kombëtar (ende pa shtet formal), shtypi shqiptar etjkrijuan atë kimi mendore që bënë të mundur aksionin përfundimtar.
Mendja vizionare e politikanit të nivelit evropian për kohën, Ismail Qemalit, fiksoi qendërzoi idenë e realitetit juridik të Pavarësisë në kondita gjithashtu in extremis. Mund të thuhet se po të mos ishte shpallur kjo Pavarësi në Vlorë më 28 Nëntor 1912 ndërkohë që Lufta Ballkanike po shpërpjesëtonte dhe po ndryshonte hartën e Ballkanit nuk do të kishte asnjë atu juridike për Fuqitë e Mëdha, për Konferencën e Ambasadoreve të Londrës, trojet shqiptare ndoshta do të ishin copëtuar, një tjetër alternative historike etj. dhe vonesat kronologjike do të ishin më të mëdha.
Akti i Pavarësisë është Akti më i madh juridik i shqiptarëve në të gjitha kohërat, ka një karakter ekskluziv krejtësisht të papërsëritshëm. Ky akt tregon se aftësisë shtetformuese të shqiptarëve nuk kanë qenë asnjëherë një mit. Shpërbërja e paragjykimeve është formë e njohjes. Pavarësia është themelimi i Shtetit Modern Shqiptar, faktor jo vetëm shqiptar, por edhe faktor ndërkombëtar .
Për një fatalitet, paragjykimet kanë qenë shpesh politikë agresive.
Më 1913 ish-kryeministri serb Vladan Gjeorgjeviç e shkruan librin e tij “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”, më saktë një Abetare të Shovinizmit më ekstrem dhe më të përçudnuar, ku i quan shqiptarët të padenjë për histori dhe për shtet, një popull pa identitet, një përzierje hibride dhe akoma më skajshëm me mitizim racist si “evgjitët e Evropës”.
Edhe vite më pas një tjetër kryeministër i Beogradit Nikola Pashiq, që thuhej se kishte një nga bibliotekat më të mëdha në Evropë, me një urrejtje akoma metë egër ka shkruar se një shtet i pavarur shqiptar nuk është as në interes të shqiptarëve dhe as në interes të Evropës, sepse shqiptarët ishin të padenjë për kategoritë e politikës. Pra, një popull i përjashtuar nga historia moderne, një ëndërr inkubi, sajesë halucinante dhe asgjë më tepër.
Është vendi këtu të ndriçojmë marrëveshjen më të turpshme politike në historinë e Evropës të shekullit XX, atë që u bë në gusht të vitit 1924 midis Pashiqit dhe Ahmet Zogut. Marrëveshja përmban 16 pika. Në pikën I Shqipëria angazhohet t’i bashkohet Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene me bashkim personal. Në pikën IV Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë shuhej. Shqipëria nuk do të ketë Ushtri kombëtare. Në pikën IX Shqipëria heq dorë nga shërbimi i saj diplomatik dhe doganor. Në pikën XI Kisha Ortodokse Shqiptare vihet nën hierarkinë e Kishës Ortodokse të Beogradit, bashkësia myslimane shqiptare do të varet nga kleri mysliman në Jugosllavi. Në pikën XII Qeveria Shqiptare heq dorë, distancohet nga zhvillimi i politikave kombëtare duke mos pranuar në territorin e saj kosovarët etj., etj. Por, kemi të bëjmë me një frankeshtajnizëm politik, grotesk, por për fat të mirë tepër të vonuar në kundërshtim paradoksal me të tëra zhvillimet dhe perspektivat.
Ajo që u bë më 28 Nëntor 1912 nuk mund të zhbëhej më në jetë të jetëve.
Dëshmia gjithashtu më e thekshme dhe më e artikuluar e vitalitetit të aftësive shtet-formuese të shqiptarëve është Çlirimi i Kosovës në vitin 1999 dhe Shpallja e Pavarësisë së saj. Një ngjarje kjo që ndoshta ndodh një herë në 2000 vjet.
Është mëse e qartë se ekuacioni “shtet” dhe “shqiptarët” nuk është fatalisht i shkëputur. Pra, këto dy nocione nuk vërtiten ashtu si planetët në vetvete, pa lidhje, sipas skemës astronomike të Ptolemeut nga Aleksandria. Duke qenë një popull jo i madh në numër ka mbijetuar gati në skaj të katastrofave. Por kjo tregon një vitalitet të habitshëm.
Në kohërat e sotme çështja e formës së shtetit dhe substancës së tij mund të mos kenë ende përputhje konceptuale, politike adekuate dhe kulturore. Por kjo nuk e pengon tendencën e zhvillimeve progresive të së ardhmes. Shteti sipas shprehjes së Emanuel Kantit është “Ding an sich” (“Sendi në vetvete”), por jo në një kuptim të enklavës apo të monadës. Po është pikërisht Kanti me traktatin e tij të një shteti planetar që tregon se aftësitë shtet-formuese të kombeve të ndryshme kanë një përafërsi dhe një tendencë integrimi të pashmangshme.

Dhe une mendoj se shqiptaret nuk Kane aftesi per te bere shtet,dhe kjo vjen besoj nga toleranca e tepert dhe patriotizmi i paket ose fare i klases dominuese ne shqiperi,klase qe eshte pa themel,p.sh klasa dominuese ne kohen e zogut vinte nga administrata osmane e skishin asnje ndjenje patriotizmi,thjesht te pasurohen ,qe u vertetua ne kohen e luftes bashkpunuan me te gjithe pushtuesit vetem per te ruajtur privilegjet ,e Kur i humben iken fare nga vendi,enveri ishte patriot,por niveli intelektual i tij ishte shume poshte,u shkeput nga populli dhe kaloi ne diktator,ne kriminel per te ruajtur privilegjet,nje lloj mafie shteterore,filluan te beheshin martesat vetem me njerez te bllokut,te Bénin krushqi me njeri tjetrin,pas viteve 90 eshte i njejti sistem si ne kohen e enverit,por me nje sistem ndryshe,P.d dhe P.s bejne marveshje me njeri tjetri per te vjedh,arrijne deri sa te kalojne ligje ne parlament qe e bejne vjedhjen e korrupsionin legal,sa me shume dhe shpejt se ikim pastaj e jetojme jashte shqiperise,si shume femije politikanesh qe jetojne jashte shqiperise por lekun e Kane nga shqiperia.Nje prokuror ne shqiperi e ka familjen ne australi ka 18 vjet por punon prokuror ne shqiperi .patriotizmi eshte pertoke se ska familje borgjeze 200 vjecare qe Kane dhene per kete ven.Per kete arsye them jemi te pa denje per te bere shtet.
Nje verejtje per Profesorin: Sot shqipja del nga grupi indoeuropian. Studimet kane treguar origjine me te hershme qe e dallon dhe vecon shqipen nga grupet e tjera gjuhesore.
Shikoje me kujdes profesor kete teori se ka shume interes per shqptaret.
Indoeurpiania eshte nje teori e ngritur per te spjeguar elemente te gjuhesise qe gjuhetaret nuk I kuptojne dhe kjo e ben shqipen me te vlere se kurre.
Jam plotsisht dakord me komentuesin Drini.nuk mund te krijojshin shqiptaret Shtet pa shkolle ose ata te vetmit qe kishin shkolle , i kishin mbaruar ne Turqi. Turqi ne nje kohe qe vet nuk ishte shtet.Ne 100 vjet shtet Shqiptar nuk ka pasur asnje Shqiptar qe te kete udhehequr kete Komb ashtu sic i takon.Eshte per te ardhur keq ne keto 100 vjet populli eshte udhehequr vetem nga te ashtequajtur Mbreter, diktatore, hajdute , kriminele dhe lloj lloj parazitash qe e kene cuar kete Komb me shume mbrapa se perpara, duke ja ulur vleren me shume ne Arenen nderkombtare ketij Kombi te vogel por me shume vlere.
Ne nuk jemi te zotet per te bere shtet dhe nuk kemi aftesi shtetformuese. Edhe vete Molotovi, alias Moikomi, pranon qe studiuesit me te medhej te gjuhes, folklorit dhe antropologjise per shqipetaret kane qene te huajt. Pra ne jemi “zbuluar” si komb nga te tjeret dhe kjo eshte fatkeqesi e madhe, por eshte e vertete. Cuditerisht profesori nuk flet per afro dy shekuj histori te shqipetareve ne mesjeten e vone, pra shek XVI-XVII. Nuk mund te justifikohet historia 200 vjecare me tre emra qe sigurisht jane te medhej per ne. Por nuk mund te krahesohet historia jone me ate te Italise fqinje. Eshte e vertete qe gjate shekullit te XIX Italia beri BASHKIMIN e te gjithe shteteve- principata-dukate apo mbreteri por te gjithe keto flisnin te njejten gjuhe, kishin te njejtat burime kulturore dhe te gjithe ishin “shtete” te konsoliduar, me kufij te percaktuar qarte,me sisteme DREJTESIE kode-ligje-polici-gjykata-burgje, MBROJTJE ushtri- grada- arsenale ushtarake unforma e kazerma, EKONOMIE me tatime-dogana dhe taksa por mbi te gjitha kishin edhe format fillestare te demokracise per sa i perket menyres se zgjidhjes se problemeve te shtetit. Pra rasti yne nuk mund te afrohet me Italine. Profesori thote se ne jemi nje popull i vogel ne numur dhe ky eshte nje nga shkaqet e vonesave ne formimin e shtetit. Pyetja ime eshte: po populli malazez sa i vogel eshte? Dhe kur eshte shpallur si shtet? Pse shqipetaret qe jetojne atje po asimilohen vazhdimisht edhe sot kur ka nje shtet ame? Pse shqipetaret ne Kosove jane per numur te popullsise nder te paret te huaj qe kontribuojne ehde me jete per themelet e shtetit islamik? Pse pikerisht Kacaniku “djepi dhe llogorja e pare shqiptare kunder pushtimit serb” behet edhe “kryeqyteti” i Kosoves nga nisen xhihadistet? Po Ahmet Zogu qe dominoi politiken e shtetit shqiptar per afro 20 vjet a ishte shqipetar apo jo? Dhe ENVER hOXHA, diktatori i cmendur cfare ishte?
Shteti esht bere si pron private e disave qysh nga themelimi i tij e as edhe njehere ska pas ate qe disa e quajn te shenjte?
Shtet ekziston vetem ne harten gjeografike por kurre per qytetaret e saj!
Shtet qe shfrytezon qytetaret e saj per interes te banditve te pushtetit per te mbushur bankat e huaja me djersen e qytetarve shqiptare!
Ju dhjevsha ate mut shtet e zagaret qe bejn gjoja sikur bejn punen e shtetit por vetem te xhepit!
Kjo eshte nje Esse e shkurter qe Mendimtari (ndër dy qe kemi) i ketij Kombi-Prof Moikomi, na e ben dhurate te gjithe neve: te ditur dhe te paditur.
Kam bindjen se komentuesit negative nuk e njohin kete personalitet te rralle qe kemi, pa lere me vepren e tij.
Ketij njeriu i eshte borxhli nje komb i tere, per te gjithe vepren e tij.
Lum kush arrin ta kuptoje!
Ku di dhia se cfare eshte tagjia o zoti Pano ! Madje disa nga dhite me siper , pavaresisht nga nicku , jane punetore interneti qe pagohen nga greku dhe nga serbi !
Keta mjerane te kauzave te humbura , harrojne se fjala “shtet” , “State” , “stato” etj , vjen nga fjala “shtate” e gjuhes shqipe !
z.Zeqo e ke ulur shume steken me kete shkrim,gati sa sthua qe shteti fillon me 29 nentor te 44,pale kur thua qe pamvaresia eshte formimi i shtetit shqipetar, pamvaresia a ka qene e nxitur dhe ti e di nga kush,megjithqe se njohu askush,dhe askush se njohu edhe qeverive e nolit por ithane eshte grusht shteti…
As nuk mund te diskutohen aftesite shtetformuese te shqiptareve.Ata qe komentojne negativisht duhet te thellohen me tej ne keto ceshtje, te lexcojne me shume literature historike dhe juridike.
Ky shkrim i shkenctarit te shquar Moikom Zeqo eshte brilant. Ai ben nje pergjithesim te zotesive shtetformuese te shqiptareve qe nga lashtesia e deri ne kohen tone.Me nje koncept te qarte e te drejte historik mbi shtetin dhe veprimin historik te shqiptareve ne rrethanat e kohes, shume te veshtira , por jo te pamundura .Ja tek jemi sot .
Urime Moikom !